
Pesëmbëdhjetë vjet janë shumë për një medium. Por, kur shikoj prapa në rrugëtimin e platformës albinfo.ch, këto vite nuk i vlerësoj vetëm me lajmet që kemi publikuar, me intervistat, reportazhet apo me numrat e magazinës që kemi nxjerrë.
I vlerësoj, para së gjithash, me njerëzit dhe historitë e tyre.
Platforma albinfo.ch nisi rrugëtimin online në vitin 2010, në një kohë kur prania mediatike e komunitetit shqiptar në Zvicër ishte shumë më ndryshe nga ajo që njohim sot. Në vitin 2014 këtij rrugëtimi iu shtua edhe magazina e shtypur. Sot numërojmë 95 numra të magazinës, të botuara në print.
Dhe ky numër ka një domethënie të veçantë.
Ne vazhduam ta shtypnim magazinën dhe ta shpërndanim atë kudo ku jeton e vepron komuniteti ynë, pikërisht në një kohë kur mediat e printuara po humbnin terren dhe shumë prej tyre po shuheshin. Kur gjithçka po zhvendosej në ekran, ne besuam se kishte ende vlerë që albinfo.ch të mbërrinte edhe fizikisht te lexuesi.
Magazinat tona kanë qenë në biznese, restorante, institucione, evente, qendra kulturore e në shumë vende ku takohen shqiptarët. Kanë kaluar nga dora në dorë dhe kanë sjellë pranë lexuesit portrete, intervista, analiza dhe histori të komunitetit tonë.
95 magazina nuk janë thjesht 95 botime. Janë 95 dëshmi të një kohe dhe të transformimit të një komuniteti.
Viti 2017 ishte një periudhë përcaktuese, sepse duhej të ndërtonim një model që do ta bënte albinfo.ch të qëndrueshme dhe të aftë për të vazhduar me forcat e veta.
Nga ajo kohë, platforma albinfo.ch funksionon si një medium i vetëfinancuar.
Nuk ka qenë gjithmonë rrugë e lehtë. Të mbash një medium profesional për komunitetin shqiptar, me një ekip të vogël dhe me ambicie të mëdha, kërkon shumë më tepër sesa të prodhosh lajme çdo ditë.
Kërkon besim.
Besimin e lexuesve, të bashkëpunëtorëve, të partnerëve dhe të bizneseve që kanë parë tek albinfo.ch një platformë serioze komunikimi me komunitetin shqiptar.
Por, mbi të gjitha, kërkon ta dish pse ekziston.
Për mua, përgjigjja gjatë këtyre viteve ka qenë e qartë: albinfo.ch duhet të jetë aty ku është komuniteti shqiptar dhe të tregojë historinë e tij.
Dhe ky komunitet ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë.
Në këto 15 vjet kemi parë shqiptarë që kanë ndërtuar kompani, të rinj që kanë përfunduar universitete prestigjioze, profesionistë që kanë marrë përgjegjësi të rëndësishme, artistë që janë bërë pjesë e skenës kulturore zvicerane, sportistë që kanë arritur suksese ndërkombëtare dhe gjithnjë e më shumë shqiptarë që janë bërë pjesë aktive e jetës politike dhe institucionale të Zvicrës.
albinfo.ch ka pasur privilegjin t’i ndjekë shumë prej këtyre rrugëtimeve.
Kemi realizuar me qindra intervista, portrete, reportazhe dhe rrëfime. Kemi hyrë në kompanitë e ndërtuara nga shqiptarët, kemi vizituar familje, kemi takuar artistë, sportistë, studentë, profesionistë e sipërmarrës. Kemi treguar sukseset, por nuk i kemi shmangur as temat dhe sfidat që e kanë preokupuar komunitetin tonë.
Me kalimin e viteve kuptuam se roli ynë nuk duhej të përfundonte me publikimin e një artikulli.
Prandaj kemi organizuar forume ekonomike, evente për sipërmarrësit, aktivitete kulturore dhe takime që kanë sjellë në një vend njerëz nga fusha dhe gjenerata të ndryshme.
Nga një platformë që raportonte për komunitetin, albinfo.ch është përpjekur të bëhet edhe një platformë që e lidh komunitetin.
Kur shoh sot prapa, një nga gjërat për të cilat ndihem krenar është pikërisht raporti ndërmjet përmasave tona dhe asaj që kemi arritur.
Një kapitull i veçantë i këtij rrugëtimi kanë qenë edhe mbrëmjet albGala e platformës albinfo.ch dhe përzgjedhja e “Personalitetit të Vitit” në Zvicër.
Kemi besuar gjithmonë se të arriturat e njerëzve tanë nuk duhet vetëm të raportohen. Ato duhet edhe të vlerësohen, të bëhen të dukshme dhe, mbi të gjitha, t’u gëzohemi e t’i festojmë së bashku.
Përmes mbrëmjeve albGala kemi sjellë në një skenë personalitete shqiptare që kanë lënë gjurmë në Zvicër dhe më gjerë, në kulturë, politikë, biznes, shkencë, sport dhe në shumë fusha të tjera.
Kemi duartrokitur suksesin e sipërmarrësit, artistit, politikanit, profesionistit, sportistit dhe të rinjve që me punën e tyre kanë thyer barriera e kanë hapur rrugë të reja.
Për ne, “Personaliteti i Vitit” nuk ka qenë vetëm një çmim. Ka qenë një mënyrë për të thënë se si komunitet duhet të dimë t’i njohim vlerat tona, t’i mbështesim njerëzit që arrijnë dhe të krijojmë modele frymëzimi për gjeneratat që vijnë.
Sepse një komunitet nuk ndërtohet vetëm duke folur për problemet e tij. Ai forcohet edhe kur di t’u gëzohet sukseseve të veta.
Dhe ndoshta ky ka qenë një nga misionet më të bukura të albinfo.ch gjatë këtyre 15 vjetëve: të tregojmë historitë e njerëzve tanë, por edhe të krijojmë momente ku mund të ndalemi, të shohim se sa larg kemi arritur dhe të festojmë së bashku të arriturat e tyre.
Kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi një ekip i vogël.
Por pas këtij ekipi të vogël janë 95 numra të magazinës, mijëra lajme dhe qindra intervista, portrete e reportazhe, aktivitete ekonomike e kulturore dhe, mbi të gjitha, mijëra njerëz, historitë e të cilëve kanë gjetur hapësirë në albinfo.ch.
Një ekip i vogël, me rezultate të mëdha.
Natyrisht, gjatë këtyre viteve kemi bërë edhe gabime. Kemi mësuar, jemi përshtatur dhe kemi ndryshuar bashkë me mënyrën se si po ndryshon gazetaria. Nga portali dhe magazina e shtypur, te rrjetet sociale dhe videot, mënyra e komunikimit ka evoluar vazhdimisht.
Por një gjë nuk duhet të ndryshojë: besueshmëria.
Në një kohë kur informacioni prodhohet dhe shpërndahet më shpejt se kurrë, kur rrjetet sociale e kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si konsumojmë lajmin, besoj se një medium si albinfo.ch ka edhe më shumë përgjegjësi për të qenë profesional, serioz dhe pranë lexuesit.
15-vjetori është natyrisht një arsye për të festuar. Por për mua është, para së gjithash, një moment për të thënë faleminderit.
Të gjithë gazetarëve, redaktorëve, fotografëve, bashkëpunëtorëve dhe miqve që ndër vite kanë lënë gjurmën e tyre në albinfo.ch.
Partnerëve dhe kompanive që na kanë besuar dhe që, veçanërisht pas vitit 2018, kanë qenë pjesë e rëndësishme e modelit që na ka mundësuar të vazhdojmë si medium i vetëfinancuar.
Dhe, mbi të gjitha, lexuesve tanë.
Atyre që na lexojnë online çdo ditë, por edhe atyre që ndër vite kanë marrë në dorë një nga 95 magazinat tona.
Pa ta nuk do të kishte albinfo.ch.
Kur albinfo.ch nisi në vitin 2010, komuniteti shqiptar në Zvicër ishte në një etapë tjetër. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, ky është një komunitet shumë më i konsoliduar, më profesional, më i dukshëm dhe me një brez të ri që po merr gjithnjë e më shumë përgjegjësi në shoqërinë zvicerane.
Në njëfarë mënyre, edhe historia jonë është rritur bashkë me këtë histori.
Kemi raportuar për komunitetin, por njëkohësisht kemi ecur bashkë me të.
95 magazinat e albinfo.ch janë sot një arkiv i këtij rrugëtimi. Në një epokë kur printi po humbte terren, ne vazhduam t’i shtypnim dhe t’i shpërndanim, sepse besuam se historitë e komunitetit tonë meritonin jo vetëm të lexoheshin në ekran, por edhe të mbeteshin të dokumentuara në letër.
Dhe tani, pas 15 vjetësh, kur shohim prapa atë që kemi ndërtuar, shikojmë edhe përpara.
Sepse historia e komunitetit shqiptar në Zvicër vazhdon të shkruhet.
Dhe albinfo.ch do të vazhdojë të jetë aty për ta treguar, tani më me projekte të reja, si albpodcast, zgjerimin në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët.
The post 15 vjet albinfo.ch – kemi ecur bashkë me komunitetin shqiptar në Zvicër dhe gjetiu appeared first on Albinfo.