
Koncerti i këngëtares kolumbiane në Madrid u bë performanca e transmetuar drejtpërdrejt më e ndjekur nga një artiste femër në historinë e Amazon Music, përcjell albinfo.ch.
Shakira ka thyer një rekord të ri në Amazon Music me koncertin e mbajtur më 3 tetor në Madrid, ndërsa në skenë iu bashkua edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, raporton albinfo.ch.
Koncerti, i transmetuar në Amazon Music, Prime Video dhe Twitch, u zhvillua në kuadër të “Las Mujeres Ya No Lloran World Tour” dhe rezultoi të ishte performanca live më e ndjekur nga një artiste femër në historinë e platformës.
Momenti i veçantë për publikun ishte paraqitja e Dua Lipës, e cila iu bashkua Shakirës për të interpretuar në version akustik këngën “Antología”.
Koncerti në Madrid ishte pjesë e fushatës së Amazon Music “Music Connects Us”, e cila këtë vit i kushtohet grave që kanë ndikuar në zhvillimin e muzikës latine. Sipas platformës, Shakira është artistja latine më e dëgjuar në botë në Amazon Music gjatë vitit 2026 deri më tani.
Ndërkohë, bashkëpunimi i Shakirës me Burna Boy, “Dai Dai”, është renditur si kënga më e dëgjuar në botë në Amazon Music gjatë këtij viti.
Shakira e ka cilësuar turneun si një projekt që është shndërruar në diçka shumë më të madhe nga sa kishte imagjinuar, ndërsa ka shprehur krenarinë për mundësinë që këtë eksperiencë ta ndajë me fansat në mbarë botën. /Albinfo.ch
The post Shakira dhe Dua Lipa thyejnë rekordin e shikueshmërisë në Madrid appeared first on Albinfo.