
Numri më i ri revistës vë në fokus përvjetorin e 15-të Albinfo.ch
Doli numri më i ri i revistës sonë, albinfo.ch. Ky numër i është kushtuar 15 vjetorit të platformës mediale albinfo.ch, këtij jubileu të rëndësishëm jo vetëm për platformën por edhe për informimin dhe peizazhin medial shqiptar në Zvicër e në diasporë.
Duke shënuar këtë jubile, platforma jonë vlerëson kontributin e institucioneve zvicerane që ndihmuan në themelimin e saj dhe lexuesit në radhë të parë por edhe partnerët afaristë dhe të tjerë, që bënë të mundur ngritjen dhe zhvillimin e Albinfo.ch.
Në këtë numër jubilar siç e do rendi, me editorialet e tyre paraqiten themeluesit dhe drejtuesit aktualë të Albinfo.ch. Ata bëjnë një rekapitullim të punës së platformës nga themelimi deri më sot, duke sjellë në kujtesë zhvillimin e saj me sfidat dhe sukseset që e kanë shoqëruar këtë zhvillim. Këtu sigurisht gjejnë vend edhe emocionet që lidhen pashkëputshëm me përjetimin e momentit, mund të themi historik, të themelimit të mediumit.
Sidoqoftë, përvjetori i Albinfo.ch nuk është patjetër arsye vetëm për të festuar. Në këtë numër të revistës kemi mjaft artikuj në të cilët pasqyrohet jeta e diasporës, me problemet, zhvillimin dhe arritjet e diasporës dhe me to edhe të albinfos, e cila që nga fillimi është shoqëruese besnike e të gjitha këtyre.
Në fokus të revistës janë një numër afaristësh të cilët kanë lënë Zvicrën për të investuar në Kosovë ose të tillë që me veprimtarinë e tyre japin kontribut në marrëdhëniet ekonomike të Kosovës me Zvicrën. Ata prezantojnë zhvillimin e bizneseve të tyre duke trimëruar edhe të tjerët që të shqyrtojnë kthimin e tyre fizik ose të investimeve të tyre në Kosovë.
Në këtë numër të revistës gjejnë vend sigurisht edhe rubrikat e rregullta standarde të saj.
Revistën mund ta siguroni, sikur dhe deri më tani, në shumë ambiente kompanish, lokale dhe mese të tjera që frekuentohen nga shqiptarët në Zvicër.

The post “15 vjet albinfo.ch”, motoja e numrit më të ri të magazinës albinfo.ch appeared first on Albinfo.