
Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka shënuar një tjetër sukses në karrierën e saj muzikore. Projekti i saj “New Religion” është renditur në vendin e 35-të në listën e 50 këngëve më të dëgjuara në Spotify nga artistet femra, sipas statistikave të publikuara nga vetë këngëtarja, transmeton albinfo.ch.
Rexha ka ndarë këtë arritje me ndjekësit e saj në rrjetin social X, duke shprehur krenarinë që kënga e saj renditet përkrah projekteve të artisteve të njohura ndërkombëtare.
Për këngëtaren, kjo renditje ka një domethënie të veçantë, veçanërisht në një periudhë kur ajo po e zhvillon karrierën jashtë strukturave tradicionale të kompanive të mëdha diskografike.
“Fakti që ‘New Religion’ renditet në vendin e 35-të në listën Top 50 të Spotify-t është vërtet i jashtëzakonshëm”, ka shkruar Rexha, duke theksuar sfidat me të cilat përballen artistët e pavarur në industrinë muzikore.
Ajo ka shprehur gjithashtu krenarinë për vendimin që të besojë në vizionin e saj artistik dhe për mbështetjen që po merr nga publiku gjatë këtij rrugëtimi.
Sipas Bebe Rexhës, ajo është artistja e vetme e pavarur në këtë renditje. Këngëtarja ka vazhduar karrierën e saj jashtë Warner Records, duke synuar të ndërtojë një kapitull të ri profesional me më shumë pavarësi në vendimmarrjen artistike.
“New Religion” është pjesë e albumit “Dirty Blonde”, përmes të cilit Rexha po vazhdon të zhvillojë projektet e saj muzikore dhe të ruajë praninë në tregun ndërkombëtar.
Renditja e fundit përbën një tjetër rezultat të rëndësishëm për këngëtaren shqiptare, e cila vazhdon të jetë e pranishme në industrinë globale të muzikës, ndërsa ndërton rrugëtimin e saj të ri si artiste e pavarur./Albinfo.ch
The post Bebe Rexha renditet në mesin e 50 këngëve më të dëgjuara të artisteve femra në Spotify appeared first on Albinfo.