
Pas përfundimit të edicionit të dytë të Marshit për Drejtësi, i organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Dhunë nën moton «Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë», pjesëmarrësit do të mblidhen në pjesën zyrtare të manifestimit në Sheshin e Kombeve (Place des Nations), përballë selisë evropiane të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
Kjo ceremoni do të mbledhë përfaqësues të autoriteteve zvicerane dhe të Republikës së Kosovës, organizatave ndërkombëtare, trupit diplomatik, familjeve të personave të zhdukur me dhunë, si dhe përfaqësues të komuniteteve shqiptare, boshnjake, kroate, argjentinase, kiliane dhe komuniteteve të tjera të prekura nga kjo tragjedi.
Me përfundimin e ceremonisë përkujtimore, publiku ftohet ta vazhdojë këtë ditë kujtese, në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë, duke marrë pjesë në një mbrëmje letrare të veçantë kushtuar Ukshin Hotit dhe çështjes së personave të zhdukur me dhunë.
Takimi do të mbahet të dielën, më 30 gusht 2026, në orën 19:00, në La Cité des Vents SA, Rue de la Coupe Gordon-Bennett 3, 1219 Le Lignon (Vernier – Gjenevë), në prani të Sébastien Gricourt, editor, përkthyes nga gjuha shqipe në frengjisht dhe njohës i shquar i shoqërisë, kulturës dhe historisë së Kosovës.
Me këtë rast, Sébastien Gricourt do të prezantojë librin “Bisedë përmes grilave” (Conversation à travers les barreaux), shtypur në Éditions Non Lieu. Ky libër përmbledh korrespondencën e fshehtë të shkëmbyer në vitin 1998 ndërmjet Ismail Kadaresë dhe Ukshin Hotit. Gricourt bënë përkthimin e letrave në gjuhën frënge, korrespondecë kjo që ka ndodhur kur Ukshin Hoti ndodhej i burgosur nga Serbia.
Këto letra përbëjnë një dëshmi të jashtëzakonshme mbi mendimin, kthjelltësinë dhe angazhimin intelektual të Ukshin Hotit, zhdukja e të cilit në maj të vitit 1999 mbetet një nga plagët më të rënda të historisë bashkëkohore të Kosovës.
Sébastien Gricourt njihet gjithashtu për përkthimin në gjuhën frënge të veprës së Enver Dugollit “Rreth i (për)mbyllur i burgjeve-Masakra e Dubravës”, duke kontribuar në njohjen nga publiku frankofon të një prej dëshmive më domethënëse mbi krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës. Poashtu Gricourt ka përkthyer dhe edituar në gjuhën frënge edhe librin historik « Shtepia e verdhë » e autorit Bashkim Hoxha.
Filozof, profesor universitar, shkrimtar dhe mendimtar politik, Ukshin Hoti mbetet një nga figurat më të rëndësishme intelektuale të historisë moderne të Kosovës. Mbrojtës i lirisë, dialogut dhe të drejtave themelore të njeriut, ai u arrestua disa herë nga regjimi serb për shkak të bindjeve të tij politike.
Pas disa vitesh burgimi në burgjet serbe, Ukshin Hoti duhej të lirohej më 16 maj 1999. Një ditë para lirimit të tij, ai u nxor nga Burgu i Dubravës, në Kosovë, dhe u dërgua në një drejtim të panjohur. Që nga ai moment, çdo gjurmë e tij humbi. Më shumë se njëzet e shtatë vjet pas zhdukjes së tij, fati i Ukshin Hotit mbetet ende i panjohur dhe emri i tij vazhdon të jetë një nga simbolet më të fuqishme të luftës kundër zhdukjeve me dhunë.
Përmes kësaj mbrëmjeje, Shoqata Kulturore Dora d’Istria dëshiron të nderojë jo vetëm Ukshin Hotin, por edhe të gjitha viktimat e zhdukjeve me dhunë në mbarë botën. Kjo mbrëmje letrare përputhet plotësisht me frymën e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Dhunë, duke rikujtuar se e drejta për të vërtetën, drejtësinë dhe kujtesën është universale dhe se familjet kanë të drejtë të dinë fatin e të afërmve të tyre të zhdukur.
Mbrëmja do t’i ofrojë publikut një mundësi të veçantë për dialog në gjuhën shqipe dhe dhe në gjuhën frënge me Sébastien Gricourt rreth veprës, mendimit dhe trashëgimisë së Ukshin Hotit. Ajo do të jetë gjithashtu një rast për të rikujtuar se, përderisa mijëra familje në mbarë botën vazhdojnë të presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre, lufta kundër zhdukjeve me dhunë mbetet një sfidë madhore në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Në këtë mbrëmje të pranishmit do t’i nderoj edhe prezenca e djalit të Ukshin Hotit, Andin Hoti i cili do të shpalos kujtimet dhe eksperiencën e jo vetëm njërit prej familjarëve por edhe njërit prej profesionistëve të angazhuar politikë në folin e ishudheheqeit të Komisionit qeveritar te te zhdukurve me dhunë dhe sot Ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Informacione praktike
Prezantimi i librit: Bisedë përmes grilave (Conversation à travers les barreaux)
Në praninë e: Sébastien Gricourt
Moderatore : Nerxhivane Sejdiu Ferati
Data: E diel, 30 gusht 2026
Ora: 19:00
Vendi: La Cité des Vents SA
Rue de la Coupe Gordon-Bennett 3
1219 Le Lignon (Vernier – Gjenevë)
Hyrja është e lirë. Pas prezantimit do të organizohet një sesion nënshkrimi librash dhe një aperitiv.
Për më shumë informata : 079 607 46 74, Mirishahe Limani Hiler ose përmes postës elektronike : [email protected]
Sponzor medial i manifestimit, Albinfo.ch
The post Gjenevë: Mbrëmje kushtuar Ukshin Hotit në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Dhunë appeared first on Albinfo.