
Më 28 dhe 29 nëntor, kryeqyteti finlandez do të mirëpresë edicionin e parë të festivalit “Nat e Dit”, i cili sjell filma bashkëkohorë nga Kosova dhe Shqipëria, përfshirë vepra të vlerësuara në festivale ndërkombëtare, transmeton albinfo.ch.
Kinematografia shqiptare do të prezantohet në Finlandë përmes festivalit të filmit “Nat e Dit”, i cili për herë të parë do të organizohet më 28 dhe 29 nëntor 2026, në ambientet e kinemasë Kino Konepaja në Helsinki.
Ky aktivitet i ri kulturor synon të sjellë më afër publikut finlandez krijimtarinë filmike të Kosovës dhe Shqipërisë, duke prezantuar produksione bashkëkohore që kanë tërhequr vëmendjen edhe në skenën ndërkombëtare.
Në programin e festivalit janë përfshirë filma të njohur, ndër ta “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, dhe “Dua”, me regji të Blerta Bashollit. Krahas shfaqjeve filmike, aktiviteti do të përfshijë edhe diskutime dhe veprimtari të tjera kulturore.
Përmes këtij festivali synohet krijimi i urave lidhëse ndërmjet diasporës shqiptare, kulturës bashkëkohore dhe publikut finlandez, duke ofruar mundësi për njohjen e mëtejshme të krijimtarisë shqiptare dhe nxitjen e dialogut kulturor përmes artit të filmit.
Në realizimin e kësaj nisme ka kontribuar edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm, e cila ka mbështetur organizimin e festivalit si pjesë të përpjekjeve për promovimin e kinematografisë kosovare dhe rritjen e prezencës së kulturës së Kosovës në Finlandë.
Festivali “Nat e Dit” synon kështu të krijojë një hapësirë të re për prezantimin e filmit shqiptar në vendet nordike dhe për afrimin e publikut ndërkombëtar me historitë, temat dhe perspektivat që sjell kinematografia shqiptare./Albinfo.ch
The post “Nat e Dit”, festivali që sjell kinematografinë shqiptare në Finlandë appeared first on Albinfo.