Të shtunën, më 14 shtator, në Cyrih promovohet libri me udhëpërshkrime “Si e zbuluam Zvicrën duke ecur. Një shtegtim nëpër alpe dhe histori”, i autorëve Enver Robelli dhe Omer Xhemali. Dy emrat e njohur të fushave përkatëse: Robelli, në gazetari e letërsi dhe Xhemali, në mjekësi kanë bartur në letër përvojat e tyre interesante nga shtegtimet nëpër malet e Zvicrës.
“Pas rreth 10 vjet ecjeje nëpër alpet, bjeshkët e kodrat e Zvicrës, unë dhe Omer Xhemali, i cili është drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar në Zürich, kemi nderin dhe jemi të lumtur t’ju njoftojmë për botimin e librit tonë me titullin: “Si e zbuluam Zvicrën duke ecur. Një shtegtim nëpër alpe dhe histori”. Libri është botuar nga shtëpia e re botuese zvicerano-shqiptare “Dora D’Istria”.
Dora D’Istria ishte shkrimtare dhe aristokrate me origjinë shqiptare dhe njihet edhe me emrin Elena Gjika. Ajo ka qenë, mes tjerash, edhe alpiniste në Zvicër”. Libri ynë nuk është vetëm një udhëpërshkrim i ecjeve tona, por diçka më shumë: është një histori e Zvicrës, e miteve të saj, e legjendave, e zhvillimit ekonomik dhe politik si dhe shumë aspekteve të tjera të rëndësishme”, shkruan veç tjerash bashkautori Enver Robelli, në prezantimin e librit.
Libri do të promovohet në Zürich, të shtunën, më 14 shtator, nga ora 14:00, në SOHO, Events Location, Hardstrasse 260.
The post Promovohet libri: “Si e zbuluam Zvicrën duke ecur. Një shtegtim nëpër alpe dhe histori” appeared first on Albinfo.