
Edicioni i gjashtë i Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj” u përmbyll me një gala-mbrëmje spektakolare në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke sjellë për publikun një mbrëmje të mbushur me muzikë klasike dhe interpretime të artistëve me renome ndërkombëtare.
Koncerti nisi me uverturën e operës “Il Barbiere di Siviglia” të kompozitorit Gioacchino Rossini, ndërsa gjatë mbrëmjes u interpretuan disa nga ariet më të njohura të repertorit botëror.
Në skenë, përveç tenorit Rame Lahaj, performuan edhe sopranoja Vanessa Goikoetxea, mezosopranoja Štěpánka Pučálková dhe bass-baritoni Luca Pisaroni, nën dirigjimin e maestros Giuseppe Finzi.
Ashtu si edhe vitin e kaluar, artistët u shoqëruan nga Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar, duke i dhënë një dimension të veçantë natës përmbyllëse të festivalit, që këtë vit mbante moton “Play Music, Not War”.
Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte interpretimi i këngës së njohur italiane “Bella Ciao”, himni antifashist që vazhdon të mbetet një simbol i lirisë dhe rezistencës, duke u mirëpritur me duartrokitje të gjata nga publiku i pranishëm në zemër të kryeqytetit.
The post Rame Lahaj mbyll festivalin me një gala-mbrëmje madhështore në Prishtinë appeared first on Albinfo.