Kristian Zefi është një i ri shqiptar i pasionuar për etnografinë shqiptare. Ai posedon një koleksion të madh e të përzgjedhur me shumë shije, të objekteve të ndryshme që shënojnë kulturën materiale shqiptare ndër shekuj, shkruan albinfo.ch. Kristiani, me prejardhje nga Shkodra, është i lindur dhe rritur në Itali ndërsa prej disa vitesh, jeton në Zvicër.
Këtu ai ka ngritur dhe pasuruar një koleksion të madh me instrumente, kostume kombëtare, armë dhe objekte të tjera të trashëgimisë shqiptare, një pjesë të të cilave edhe i konstrukton ose prodhon vetë.
I pranishëm me një pjesë të vogël të koleksionit edhe në mjaft manifestime kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër, ai së fundi ka vendosur që së bashku me bashkëshorten, Xhesikën, të hapë një ekspozitë në të cilën kjo pasuri do të shpaloset para një publiku më të gjerë. Ekspozita mban titullin domethënës “Shkëlqimi shqiptar: Zbuloni elegancën e kohëve të kaluara”.
“Me kënaqësi ju ftojmë në hapjen e Ekspozitës Etnografike Shqiptare, e organizuar Kristian dhe Gjesika Zefi. Ekspozita do të mbahet më datën 25 tetor 2024, në orën 19:00, në Rothrist. Ky do të jetë një rast i shkëlqyeshëm për të shijuar diversitetin dhe pasurinë e etnografisë shqiptare”, thuhet në ftesën e bërë nga çifti Zefi.
Në këtë ekspozitë do të paraqiten instrumenta tradicionale, artefakte etnografike dhe kostume të kulturës shqiptare. Ju ftojmë të na bashkoheni për të përjetuar një përvojë të mahnitshme kulturore dhe për të shijuar diversitetin tonë.
Data: 25 Tetor 2024 Ora: 19:00
Adresa: Heimatmuseum Rothrist/ Bachweg 18/ 4852 Rohtrist
The post Shkëlqimi shqiptar dhe eleganca e kohëve të shkuara në ekspozitën e Kristian Zefit appeared first on Albinfo.