minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Shkëlzen Doli, imazhi i shqiptarëve në Austri

0
Shkëlzen Doli, imazhi i shqiptarëve në Austri

Artist i lindur! Por, puna e tij e pandalshme bëri që ai tani të jetë një nga emrat më të përmendur kur bëhet fjalë për muzikën klasike. Shkëlzen Doli është tashmë krenari e shqiptarëve. I lindur në Elbasan dhe rritur në qytetin e bukur të Gjakovës, aty ku filloi edhe mësimet e para për violinë, Shkëlzeni karrierën e vazhdoi në Austri, duke u bërë pjesë e Filarmonisë së Vjenës.

Ka 30 vjet që ka ardhur në Vjenë, por asnjëherë nuk e ka lënë anash identitetin e tij. Ndonëse është ngjitur në shumë skena botërore, ai thellë mban një vend të veçantë për muzikën e pastër shqipe, të cilën e luan me shumë emocion.

Faqet e revistës sonë do të ishin të pakta për të shkruar për një jetë të tërë artistike të Shkëlzen Dolit. Por, për albinfo.at ai ka treguar shkurtimisht rreth fëmijërisë së tij, fillimet e karrierës, e deri tek angazhimet e sotme.

Advertisement
Shkelzen Doli

Albinfo.at: Si ishte Shkëlzen Doli si fëmijë, ishit gjithmonë i apasionuar pas muzikës?

Për mua fëmijëria është baza e një njeriu, është gjithçka. Formimi, edukimi dhe kultura që marrim ne nga prindërit, rrethi dhe shoqëria, janë themelet e formimit të njeriut. Jam me fat që jam rritur në Gjakovë, sepse aty pasioni për muzikën lind në mënyrë shumë të natyrshme. Kur kjo kombinohet pastaj edhe me trashëgiminë gjenetike të talentit për artin (në veçanti muzikën), atëherë do thoja që Gjakova është qyteti më ideal për t`u formuar si artist.

Albinfo.at: Pse e zgjodhët pikërisht violinën si instrumentin tuaj?

Vendimi për të luajtur violinë ka qenë rastësi, pasi që në shkollën e muzikës atëherë nuk kishte vende të lira për Fis-harmonikë. Tani e di se sa me fat jam për këtë.

Advertisement

Albinfo.at: Na tregoni pak për fillimet e karrierës suaj!

Çdo gur ndërtimi në etapat e karrierës sime ka qenë e një rëndësie të veçantë. Si fillet e para të mësimit në violinë në shkollën e muzikës në Gjakovë me Prof. Sefedin Lleshin e deri te realizimi i ëndrrës time, duke u bërë anëtar i orkestrës prestigjioze „Filharmonia e Vjenës“. Në fakt arritjen e këtij suksesi të fundit mund ta quaj fillim të vërtetë të karrierës sime. Duke qenë anëtar i një institucioni shumë të rëndësishëm siç është “Filharmonia e Vjenës”, natyrisht që hapen dyert dhe mundësitë për të performuar si solist, muzikë dhome, por edhe për ta prezantuar muzikën tonë shqiptare në mbarë botën, siç ishte rasti me “Albanian Soul”.

Albinfo.at: Po ardhja juaj në Vjenë kur ndodhi? Kur u bëtë pjesë e Filarmonisë së Vjenës?

Në shtator të vitit 2022 bëhen 30 vjet që kur kam ardhur në Vjenë. Menjëherë, në tetor të vitit 1992 kam filluar studimet në Universitetin shtetëror të Austrisë. Kurse, në 1995 fillova të luaj njëkohësisht edhe në Filarmoninë e Vjenës.

Advertisement

Albinfo.at: Çka mund të veçoni nga karriera juaj, cilën performancë do ta mbani mend gjithë jetën?

Koncertin me Filarmoninë e Vjenës në shenjë kujtimi për viktimat e Luftës së Dytë Botërore në Mauthausen të Austrisë.

Albinfo.at: Na thoni pak si ka ndikuar situata e pandemisë te ju, meqë Austria ka pasur masa të rrepta për ta luftuar virusin, sidomos vitin e kaluar?

Advertisement

Pandemia tregoi që një masë e madhe e njerëzve kulturën dhe artin e shohin si Hobby dhe jo si detyrë esenciale për mirëqenie dhe zhvillim spiritualë të njeriut.

Albinfo.at: Sa jeni i angazhuar këto kohë, ku mund t’ ju ndjekim?

Si pasojë e pandemisë pothuajse të gjitha koncertet janë shtyrë ose anuluar. Në varësi të situatës përveç koncerteve me Filarmoninë e Vjenës do të kem një agjendë të ngjeshur me koncerte si solist dhe muzikë dhome në 2022. Duhen veçuar koncertet në muajin shkurt, në Zvicër, me ansamblin tim nga Gjakova (me muzikë te ndryshme shqiptare). Pastaj, koncerte me Philharmonic Ensemble në mars në Baden të Zvicrës. Turne në prill në Japoni me Toyota Master Players, Turne në maj në Korenë e Jugut me Philharmonic Ensemble, e kështu me radhë.

Albinfo.at: I luani me shumë ndjeshmëri këngët shqipe, cilën do ta veçonit?

Advertisement

Arti si pasuri e pashtershme e popullit tonë na bën neve të jemi me shumë fat. Meloditë shqiptare janë vërtetë të bukura, jetojnë dhe marrin vlerë nga diversiteti dhe larmia që i karakterizon. Kënga e parë që më kujtohet dhe do të doja ta dëgjoja për momentin është „Si m`ke sytë m’i ke vetullat“, por nesër me siguri që do të më kujtohej një këngë tjetër.

Albinfo.at: Cilat janë përshtypjet tuaja për Filarmoninë e Shqipërisë dhe atë të Kosovës?

Përkundër faktit që në trojet shqiptare ekzistojnë artistë (instrumentistë) të shkëlqyer dhe si individë kanë arritur majat e skenave botërore, duke u bërë pjesë e orkestrave më me emër si ato të Vjenës, Berlinit, Cyrihut etj, nga ana tjetër në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në trevat tjera të banuara me shqiptarë nuk ka traditë të mjaftueshme të një KULTURË ORKESTRALE për muzikën klasike. Pra, të luajturit në orkestër nuk i jepet shume rëndësi dhe nuk është e kultivuar në nivelin e duhur.

Ky deficit nuk vlen vetëm për Ballkanin, është dukuri e cila mungon edhe në shumë vende të tjera të Evropës.

Advertisement

Për të arritur nivelin që kanë p.sh. Austria e Gjermania, duhet të ketë financim serioz nga institucionet shtetërore e private, duke sjellë njerëz kompetent për hedhjen e gurthemelit në ngritjen e nivelit dhe gjithashtu, duke investuar kohë punë shumëvjeçare për ta realizuar atë.

Albinfo.at: Në çfarë niveli e shihni muzikën e kohës që po jetojmë?

Unë mendoj që zanafilla e degradimit shoqëror ndodhë me përhapjen në masë të mediumeve të pa kontrolluara dhe të pa filtruara për nivelin që duhet të kenë. E njëjta gjë ndodhë edhe me muzikën. Për mua, degradimi i muzikës fillon sidomos atëherë, kur njerëzit atë e dëgjojnë vetëm me sy! Ajo tanimë është në kulmin e bastardimit të saj dhe është shumë e vështirë të jesh minoritet në mbrojtjen e një gjëje origjinale dhe autoktone. Prandaj, duhet të bëjmë maksimumin dhe të japim energji pafund për të vazhduar rrugëtimin në ngjizjen e dëshirës së flaktë për muzikën e vërtetë te brezat e rinj.

Advertisement

Si përfundim dua ta citoj dirigjentin e njohur italian, Ricardo Muti, i cili në përgjithësi për kulturën thotë:

“Një orkestër simfonike kushton sot më pak se një futbollist, çfarë trashëgimie presim t’u lëmë fëmijëve tanë? Kultura nuk ekziston për të përfituar, por për të edukuar. Nëse kjo nuk ndryshon, atëherë njerëzit sipërfaqësorë dhe shumë të rrezikshëm do të mbizotërojnë në brezat e ardhshëm.”

box

Keni ndonjë këshillë për muzikantët e ardhshëm shqiptarë?

Advertisement

Të vazhdojnë rrugëtimin e tyre vizionar, sepse çdo gjë është e mundur. Duke i këshilluar që “ÇELËSI I SUKSESIT” është: VIZIONI, PASIONI, STRATEGJIA dhe të gjitha këto patjetër të ndërlidhura ngusht me PUNËN!

The post Shkëlzen Doli, imazhi i shqiptarëve në Austri appeared first on Albinfo.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit