
Shoqata shqiptare “Abeja” ka organizuar në Moosburg të Gjermanisë aktivitetin e përvitshëm të Darkës së Lamës, një traditë që simbolizon mirënjohjen për të korrat, bashkimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, shkruan albinfo.ch.
Në një sallë të mbushur me bashkatdhetarë, veprimtarë të çështjes kombëtare, miq dhe dashamirës, kjo festë u shënua në një atmosferë festive, duke bashkuar anëtarë të komunitetit shqiptar rreth traditave të përbashkëta.
Në aktivitet morën pjesë edhe konsullet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Mynih, Erinda Boçi dhe Miranda Kokona.
Në fjalën e saj përshëndetëse, në emër të Konsullatës, Erinda Boçi falënderoi organizatorët për ftesën dhe organizimin, duke vënë në pah rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së zakoneve e traditave shqiptare te brezat e rinj.
Një vlerësim i veçantë iu kushtua Arif Arifajt për angazhimin e tij në mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e komunitetit, si dhe për organizimin e aktiviteteve që bashkojnë shqiptarët rreth gjuhës, kulturës dhe traditave kombëtare.
Pjesë e veçantë e mbrëmjes ishin edhe këngët dhe vallet e interpretuara nga nxënësit e klasës së gjuhës shqipe, të përgatitur nga mësuesja Buqe Arifaj.
Aktiviteti dëshmoi edhe një herë rëndësinë e organizimeve të tilla në diasporë, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e identitetit kulturor dhe në përcjelljen e traditave shqiptare nga njëri brez te tjetri./Albinfo.ch
The post Shoqata “Abeja” organizon Darkën e Lamës në Moosburg, ruhet tradita shqiptare në diasporë appeared first on Albinfo.