
Tre talente të reja të muzikës klasike nga Shqipëria kanë fituar të drejtën të performojnë në edicionin e 34-t të Festivalit të Lubjanës për Virtuozët e Rinj, një aktivitet prestigjioz që mbledh muzikantë të rinj nga vende të ndryshme të botës, transmeton albinfo.ch.
Për herë të parë, Shqipëria do të përfaqësohet në këtë festival me tre instrumentistë, falë përfshirjes së Ambasadës së Shqipërisë dhe bashkëpunimit me organizatorët e aktivitetit. Sipas njoftimit, datë 14 janar 2027 do t’i kushtohet tërësisht përfaqësimit shqiptar.
Në piano, Shqipërinë do ta përfaqësojë Lea Kaci, e cila është formuar në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe aktualisht vazhdon studimet e pianos nën drejtimin e profesorit Moris Zaka.
Në kitarë do të performojë Xhoni Xhavari, i formuar në Liceun Artistik në Tiranë, nën udhëheqjen e profesorit Denis Bizhga.
Ndërkaq, në violinë, Shqipërinë do ta përfaqësojë Elena Lamnica, e cila është formuar në Liceun Artistik “Jordan Misja”, nën drejtimin e pedagoges Pranvera Tego.
Festivali i Lubjanës për Virtuozët e Rinj organizohet prej 34 vitesh radhazi. Gjatë kësaj periudhe, në rreth 500 koncerte kanë marrë pjesë më shumë se 1.000 muzikantë të rinj nga vende të ndryshme të botës.
Pjesëmarrja e tre instrumentistëve shqiptarë përbën një mundësi për prezantimin e talentit të ri muzikor të Shqipërisë në një skenë ndërkombëtare, duke vënë në pah edhe punën e institucioneve artistike dhe pedagogëve që kontribuojnë në formimin e tyre./Albinfo.ch
The post Tre të rinj shqiptarë do të përfaqësojnë Shqipërinë në Festivalin e Virtuozëve të Rinj në Lubjanë appeared first on Albinfo.