Mbrëmjen e të shtunës në Bibliotekën Pestalozzi-Hardau në Cyrih, Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, organizoi një takim me veprën letrare të autores, Drita Ademi.
Drita Ademi është e njohur si autore e katër përmbledhjeve poetike dhe e një romani. Ajo është e përkthyer në disa gjuhë të rëndësishme ndërsa së fundi i është botuar edhe një përmbledhje poetike në gjuhën gjermane. Për veprën e saj letrare kanë shkruar emra të spikatur të kritikës shqipe e gjermane.
Një vështrim kritik për veprën e saj të fundit “Me kend fola” e mbajti Valdet N. Berisha, kryetar i SHKSHZ. Më poshtë ca fragmente të këti vështrimi:
“Për t’iu qasur kësaj rruge të njënjëshme, është e paikshme përballja me vetveten, derisa aty është secilën herë fillimi. Drita Ademi na e sjellë në vëllimin e saj me poezi një strukturë të tillë, e cila kalon pak a shumë nëpër kapilarët ndjenjor të ciklit përsiatës. Ajo e fillon këtë rrëfim me manifestin e mallit.
Përcaktimi edhe emocional edhe vizuel është karakteristikë tjetër; ajo lëkundet në njëlloj biodiversiteti molekulash fjalore, duke e lënë si dritë udhëtreguese perimetrin e joalternatives.
Për më tej, është lehtësia e sjelljes me vargun, natyrshmëria e tij, surprina popullore e ftuese. Kjo cilësi mundëson rrjedhën plotësisht të pakeqkuptueshme, duke thurur brenda saj simbolikën e lojës tematike, për të krijuar thellësinë në sipërfaqën përmbajtësore, në dukje të parë të thjeshtë”, thuhet veç tkerash në vështrimin e Valdet N. Berishës.
The post Vepra letrare e Drita Ademit u prezantua para publikut shqiptar, në Cyrih appeared first on Albinfo.