minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Gratë që thyejnë barrierat

0

Nga përqafimi i traditave tek thyerja e barrierave, gratë në fshatin algjerian të Sahel mbajtën një ditë plot me evente në mars, për të celebruar të drejtat e tyre në Ditën Ndërkombëtare të Grave.

Disa dolën në ring në një ndeshje boksi, që tradicionalisht është një sport burrash, ndërsa të tjera u stolisën me veshje shumëngjyrëshe të kulturës Berber dhe u mblodhën për të endur pambuk. Gratë në kulturën Berber patën rol të rëndësishëm ndikues në shoqëri, por një kryengritje islamiste në vitin 1990 i shtyu ato në shtëpitë e tyre. Pavarësisht progresit për të drejtat e grave në Algjeri, shumë konsiderojnë ende se mungojnë.

“Gratë janë të lodhura pasi janë shtylla kryesore e shtëpisë. Pavarësisht kësaj, atyre nuk u jepen të drejtat që u takojnë. Me gjithë atë që gratë bëjnë, ata u japin gjysmë ditë pushim, as edhe një ditë të plotë. Shpresoj që gratë të fitojnë të drejtat e tyre, pasi ato janë gjithçka”, shprehet Louiza.

Ndërsa pandemia koronavirus ka marrë shumë jetë njerëzore, për 19-vjeçaren Ruby Jocelyn ka hapur një rrugë të re në karrierë. E inspiruara nga e ëma Jacqui, e cila ka punuar si infermiere për 30 vite, adoleshentja britanike zgjodhi të mos ndiqte degën e saj të biznesit dhe ekonomisë, por hapat e së ëmës. Të dyja punojnë në pavionin e përkujdesjes intensive në spitalin Royal Blackburn, ku luftojnë krah për krah për të shpëtuar pacientët e sëmurë.

Advertisement

“U bëra infermjere për shkak të mamasë. Nisa këtu në njësinë kritike pasi e dija që duhej ndihmë”, Ruby Jocelyn.

Ndërsa Jacqui Jocelyn tha: “Ajo do të ndiqte studimet për biznes dhe ekonomi në Universitetin e Liverpulit në shtator. Vitin e kaluar më shikonte teksa kthehesha në shtëpi nga puna dhe i tregoja histori të asaj çfarë bëja. Mendoj se është inspiruar. Më pas, bëri një kthesë totale.”

“Mamaja ime është e fortë. Ajo është e mrekullueshme. Ajo nuk dorëzohet kurrë, gjë të cilën ma ka mësuar që fëmijë, që të mos dorëzohem, pavarësisht se çfarë ndodh”, shtoi Ruby.

Refilwe Ledwaba, nga Afrika e Jugut, nuk lejon asgjë, as forcën e rëndesës, që ta frenojë. Pavarësisht se është rritur gjatë periudhës së aparteidit, ajo u bë gruaja e parë me ngjyrë që piloton një helikopter, duke thyer barrierat racore dhe gjinore në të njëjtën kohë. Tani, një instruktore e certifikuar, Ledwaba, drejton fondacionin e saj “Programi i Grave që Fluturojnë në Afrikë”, prej një dekade dhe ka trajnuar qindra gra në fushën e hapësirës ajrore dhe aviacionit.

Advertisement

“Jam një ndër gratë e para me ngjyrë të vendit dhe duhet ta them se për mua ajo nuk është e rëndësishme, ajo që vlen të shikohet është kush do të jetë e dyta, treta, e katërta apo e 100, më pas të nisim e të flasim. Përtej faktit që jam vlerësuar, kisha përgjegjësinë të siguroja që të mos përfundonte me mua, por të vijonte. Kur vajzat e reja më dërgojnë mesazhe si psh “jam bërë inxhiniere aeronautike”, “jam inxhiniere mekanike”, atëherë e di që e kam bërë siç duhet punën time”, tregon Ledwaba.

Pas ullishteve të Tayyibe Demirel në Turqinë jugperëndimore, shtrihet një fushë e gjerë, e zhveshur nga një minierë qymyri që po gëlltit kodrën. Në horizont, shtëllunga të mëdha tymi që dalin nga 3 oxhakë të impiantit energjitik të qytetit Yatagan. E përkushtuar të shpëtojë tokën e saj dhe fshatin, Demirel, një gjyshe 64-vjeçare, ka kundërshtuar e vetme zgjerimin e minierës, që furnizon një nga impiantet më të mëdhaja të energjisë në Turqi. Muajin e kaluar, fitoi një çështje gjyqësore e armatosur me informacion, të cilin e ka zbuluar vetë nga një vendim gjykate që thotë se ullishtet duhet të mbrohen, ajo gjithashtu fitoi apelin në Gjykatën e Lartë. Fitorja e saj ndaloi planet për zgjerimin e minierës, por Demirel e ndjen se prona e saj është në rrezik. Megjithatë, thotë se nuk do të dorëzohet pa luftuar: “Do të vazhdoj betejën time, pavarësisht sëmundjes që kam. Do të kërkoj të drejtat që më jepen me ligj”.

Protestuesit në Mianmar përdorën linja të veshjeve për fundet tradicionale, të njohura si “Longyi”, më 8 mars, në përpjekje për të ngadalësuar ecjen e ushtarëve dhe policisë, pasi të kalohet poshtë tyre konsiderohet fat i keq për burrat. Demonstruesit përdorën këtë metodë për të manifestuar kundër grushtit ushtarak të shtetit. Policia dhe ushtria kanë vrarë dhjetra persona për të ngjallur frikë, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Protestuesja Su Myat Thin deklaroi: “Sot është dita e revolucionit Longyi dhe ajo ndërkombëtare e gruas, gjë e cila më jep shumë energji. Arsyeja është se këto janë të shenjta dhe na mundësojnë që të sulmojmë pjesërisht ushtrinë”.

Advertisement

Rreth 400 aktiviste në Filipine dolën në rrugë dhe protestuan pranë portave të Pallatit Presidencial në kryeqytet, kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe sulmeve vdekjeprurëse ndaj kritikëve. Presidenti Rodrigo Duterte është kritikuar fuqishëm për shakatë seksite dhe komentet publike që ka bërë. Joms Salvador, nga Shoqata e Grave, deklaroi: “Dëshirojmë të nënvizojmë faktin që jemi në krizë të thellë dhe po përballemi me një virus vdekjeprurës dhe me këtë presidencë të prishur, anti-njerëz, pro interesave të huaja dhe macho-fashiste të presidentit Duterte”.

Emrat e grave të vrara u shkruajtën në një barriere sigurie në sheshin “Zocalo” në Mexico City, teksa kryeqyteti meksikan përgatitej për një marshim të ndezur në Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Dhuna përfshiu rrugët kryesore, ndërsa fenomeni i dhunës ndaj grave është një plagë shumë e rëndë në këtë shtet.

“Një grup kolegesh vendosën të vinin dhe të shkruanin emrat e grave që janë viktima të vrasjeve. Nuk i kemi të gjitha emrat, por vetëm të 10 viteve të fundit. Shkruajtja e emrave të tyre është e rëndësishme sepse lufta është për to. Ajo që kërkojmë është drejtësi”, deklaroi një aktiviste.

Duke valvitur pankarta dhe me thirrje të ndryshme, qindra gra u mblodhën jashtë godinës së qeverisë në Sidnej për të dënuar dhunën ndaj grave dhe kërkuan barazi gjinore në punë. Kjo vjen teksa qeveria nisi një fushatë prej 19 milionë dollarësh duke nxitur njerëzit të flasin kur dëshmojnë mungesë respekti ndaj grave. Parlamenti australian është nën presion për shkak të disa skandaleve seksuale. 3 gra që punonin për partinë në pushtet thanë se janë përdhunuar nga i njëjti person në 2019 dhe 2020.

Advertisement

Hannah, nga Federata e Mësuesve, tha: “Jam këtu të mbështes të gjitha gratë, jo vetëm të kërkoj ndryshim, i cili është shumë i nevojshëm për grate, por edhe për këdo në shoqëri, pasi nga feminizmi nuk përfiton vetëm njëra gjini. Vërtetë kemi nevojë për barazi dhe duhet të çmontojmë patriarkinë që të marrin ndryshimin që të gjithë ne meritojmë”.

Në përpjekje për të inspiruar gratë, një 32-vjeçare nga India theu një rekord botëror më 7 mars, duke u bërë gruaja më e re që zbret me sytë e mbyllur nga një kodër në Tamil Nadu. Muthamil Selvi u vlerësua nga libri Unico i rekordeve botërore, pasi përfundoi me sukses sfidën e saj: “Jam e lumtur për këtë rekord botëror. Lejoni gratë që të shndërrisin botën dhe që burrat t’i mbështesin ato”.

Parashutistët rusë zbritën nga qielli dhe u dhuruan lule kolegeve të tyre në Ditën Ndërkombëtare të Grave. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pati shumë protesta, por edhe festa. Edhe në të gjithë pjesën tjetër të botës ka pasur aktivitete të shumta për të celebruar arritjet historike, ndërsa nuk kanë munguar historitë që frymëzojnë.

Dita Ndërkombëtare e Grave e ka origjinën në fillim të 1900 nga grevat e punëtorëve që kërkonin avancimin e të drejtave të grave në Amerikën e Veriut dhe përreth Europës. Demonstratat e vazhdueshme bënë që shumçka të ndryshojë, megjithatë duhet bërë akoma shumë që të arrihet barazia gjinore.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit