minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Armando Duka është shëmbëlltyra dhe gjasimi i kapitalizmit shqiptar

0
Armando Duka është shëmbëlltyra dhe gjasimi i kapitalizmit shqiptar

Nga Ilir Yzeiri

Nëse Zoti do të kishte vepruar ashtu siç u soll me popullin e Izraelit kur u tha që të dalin nga Misiri sepse, pas vuajtjesh e vuajtjesh, do t’u sillte shpëtimin me shëmbëlltyrën e tij dhe me gjasë të një njeriu që do të lindte nga shpirti i shenjtë, pra, nëse Perëndia me të madh të vet, do të na kishte thënë edhe ne shqipove trutharë që dilni nga mbretëria e Hoxhës se do t’ju begatoj me një jetë të re dhe, nësë ne do ta kishim pyetur : po si do të jetë kjo botë e re ?

I madhi Zot do të duhej të na kishte thënë : fytyra e kësaj jete së re, e kësaj mbretërie së re do të jetë në shëmbëlltyre e në gjasë të Armando Dukës.

Kjo analogji më erdhi ndërmend tash që për arsye krejt të tjera po merrem me Pjetër Bogdanin dhe kryeveprën e tij « Çeta e profetënve » nga njëra anë, e nga ana tjetër pse, pa dashjen time, portreti i Armando Dukës bashkë me të ftohtin e këtij dimri më hyn si një ashkël në tru.

Advertisement

Po pse Armando Duka është shëmbëlltyra jonë, pse është modeli i Shqipërisë që kemi ndërtuar në këta tridhjetë e ca vjet kapitalizëm kriminal e të egër..

Më së pari, ky njeri mishëron filozofinë e re të kapitalizmit shqiptar që është pasurimi me çdo kush e me çdo mjet. Shqiptarët i kanë lënë pas të gjitha ëndrrat.

Sot, në këtë vend, askush nuk ka tjetër dëshirë, por vetëm të jetë i pasur, vetëm të marrë çfarë i del përpara dhe nëse ka vëllezër, farefis, krushqi, shokë e miq, të shfrytëzojnë çdo gjë, çdo mjet dhe të përdorin çdo formë që Shqipërinë ta vënë ndër këmbë e ta shqyejnë. Armando Duka dhe gjithë çfarë ai përfaqëson e kanë arritur këtë.

Aty ku është sot e solli Fatos Nano. Ata që duan ta largojnë janë vazhduesit e filozofisë së Nanos, por kanë harruar se ai që e mbron është i kundërti i Nanos, është Sali Berisha. Ky është thelbi i filozofisë që aplikuam ne për ndërtimin e kapitalizmit kriminal.

Advertisement

Zgjedhim njerëz që i lidhin nyje interesat e tyre në dy gozhdë të ndryshkura politike që përfaqësohen nga dy krahët politikë që luftojnë ditën e shpartallojnë Shqipërinë natën.

Armando Duka është shëmbëlltyra dhe gjasa apo ngjashmëria me fytyrën e kapitalizmit kriminal shqiptar sepse te ai nuk peshon rregulli dhe ligji. Ai është zaptuesi i një toke, i një vlere apo i një pasurie dhe, sipas ligjit të bandave, ajo që ti zapton nuk dorëzohet ajo trashëgohet. Në logjikën e këtij kapitlaizmi nuk ekziston ndërrimi i vendit.

Ai institucion që zaptohet bëhet prona jote, sepse kapitalizmi shqiptar i ndërtuar me filozofinë e krimit mbështetet në shenjtërimin e asaj që ti rrëmben apo merr nga ajo që është publike. Shihni se çfarë ndodh në këtë vend.

Nga mëngjesi në darkë dëgjon vetëm pasunarë që marrin nga pasuria publike që ndërtojnë fshatra privatë e çdo gjë private. Si nuk dëgjuam nga këta pasunarë të ndërtojnë një gjë publike ? Një spital fjala vjen, një shkollë ? Jo. Shqipëria po shkon me shpejtësi drejt copëtimit dhe sot është turp të thuash që unë po punoj për atë që është publike dhe e përbashkët. Sot çdo shqiptar punon për vete, zapton për vete dhe rrëmben për vete.

Advertisement

Heronjtë që na frymëzojnë ne janë Samir Mane e Çet Kastrati apo të tjerë që na tregojnë se si mund të pasurohesh duke i shërbyer vetes, por jo të tjerëve. Dini ndonjë gjë publike që kanë bërë këta pasunarë ? Dini ndonjë donacion të rëndësishëm që kanë bërë këta pasunarët shqiptarët ?

Në shëmbëlltyrë të Armnado Dukës kapitalizmi shqiptar nuk është ndërtuar mbi parimin e shërbimit apo të punës, por mbi parimin e sakrificës që të ndërtosh perandorinë tënde.

Në kapitalizmin tonë me shëmbëlltyrë të Armando Dukës nuk ekzistojnë institucionet. Sepse presidenti është çmendur, opozita është shpartalluar, qeveria është mpirë nga avujt e hashashit që kërkon të hedhë mbi kokat tona boshe, shkollat dhe arsimi kanë mbi tridhjetë vjet që jo vetëm nuk ngrohen, por janë plevitosur nga drejtimi idiot dhe pa asnjë vizion. Universitetet në këtë vend ndjekin dëshirat e tregut gjerman dhe të gjithë po bëhen shkolla infermierësh që të mbushin spitalet gjermane.

Vetëm këtu te ne ndodh që të gjitha universitetet, pa përjashtim, publik e privat, kanë hapur me shpejtësi degët e infermierisë dhe aty regjistrohen ¼ e atyre që mbarojnë shkollën e mesme dhe pa asnjë kriter. Ndërsa që të regjistrohesh në një degë mësuesie në një universitet rajonal duhet mesatarja 7.5.

Advertisement

Ndaj universitetet po mbyllen sepse makineria punon për Germaninë, shteti nxit emigrimin e trurit e ati pak truri që ka mbetur që të bëjnë këtu një shkollë idiote e të thyejnë qafën në Gjermani. Ne jemi kthyer jo vetëm në lavatriçe parash të pista, por me politikat arsimore po nxisim largimin e të rinjve, sepse çdo vit i japim Gjermanisë dhe të tjerëve gati 1000 apo 2000 të rinj e të reja që i përgatisim këtu për infermiere.

Kapitalizmi që po ndërtojmë ka shëmbëlltyrën dhe gjasën e Armando Dukës sepse ne nuk ndërtojmë dot institucione të pavarura. Ne nuk mund të jetojmë dot nëse nuk zaptojmë një institucion që ka ngjyrë publike.

Ne kemi tridhjetë vjet që nuk kemi promovuar dhe nuk njohim ndonjë organizatë, shoqatë, grup shoqëror që të na frymëzojë me dëshirën dhe etjen për t’i shërbyer publikut, për të sakrifikuar për të mirën e përgjithshme.

Ne nuk e njohim më Shqipërinë. Të flasësh në emër të saj, të ndërtosh një model brenda të cilit të gjithë të japim diçka për të, është imorale në këtë vend.

Advertisement

Ndaj shqiptarët nëse do të rrinë në këtë vend dhe nëse kanë pasion apo dëshirë ata turren dhe zaptojnë atë që është publike për ta bërë private, pastaj ngulen aty dhe e shpallin veten të përjetshëm.

Nëse do të ndodhte vërtet që Armando Duka do të largohej nga ai post me votim të rregullt, kjo do të ishte një gjë e padëgjuar.

Kështu do të përmbysej modeli, atëhere vërtet do të lindte shpresa, dhe në atë çast do të duhej të hidhnim sytë nga Mali i Dajtit e të shihnim se çfarë modeli do të na dërgonte Perëndia për kapitalizmin shqiptar.

Mirëpo, thonë se edhe Zoti është lodhur me ne. Ndaj është kotë, mos i mbani sytë nga Dajti : do të vazhdoni të jetoni dhe të adhuroni kapitalizmin që zgjodhët vetë : ai është në shëmbëlltyrë dhe në gjasë të Armando Dukës. Amin !

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit