minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Basha kërkon votat e shqiptarëve për t’u bërë ‘qytetar nderi’ në Kosovë

0

Nga Albert Nikolla

Nëse do më kërkonte dikush ta përshkruaja shkurt Bashën, do të thoja: frikacak i fshehur në kufi mes Kosovës e Shqipërisë. Nëse e kërkojnë në Kosovë – thuhet se ka shkuar në Shqipëri; nëse e kërkojnë në Shqipëri – thuhet se ka shkuar në Kosovë. E perceptoj përherë diku në kufi, i pavendosur, as këtej as andej. Njeri në dilemë të përhershme pasi nuk di ç’të bëjë me pushtetin e pamerituar që ka trashëguar nga “beu i fshatit”.

Kaq frikë ka nga e vërteta saqë kanë lindur shumë batuta rreth tij në mjediset e PD-së. Më interesantja: mos e pyet për orën se të gënjen. Marrëdhënia e tij me të vërtetën, sidomos mbi rolin e tij në hetimet e luftëtarëve të UÇK-së, më sjell ndër mend thënien e M. Pomilio-s: “Kemi humbur zakonin e heshtjes, se kemi frikë të përballemi me të vërtetën. Kështu nuk rritemi dot: jemi dënuar me mediokritet”. Ndoshta ky është fati i tij.

E shoh në kotnajat e tij televizive, se për ta lexuar nuk e kam të mundur pasi nuk shkruan asgjë, duke folur për politikën e sotme ku ngatërron dëshpërimisht sloganet me mendimin, e duke stërthënë stereotipe të lodhura të përsëritjeve moçalore të PD-së pa kurrfarë mendimi politik.

Advertisement

Madje po të mos kishte ardhur pandemia Covid-19, nuk do kishte as pesë pikat e famshme të shpëtimit! Është i ngjashëm me një figurë të novelave të soc-realizmit: djali i beut që ka gjithçka por nuk di e nuk është i aftë të bëjë asgjë. Sa herë kujtoj ardhjen e tij të beftë në krye të komitetit të orientimit të politikave (KOP-i i PD-së në 2004), më vjen ndërmend një bisedë në Padova me dy personalitete të PD-së.

Ishte viti 2004. Jetoja në Itali dhe kishte pak kohë që kisha filluar mësimdhënien me kohë të pjesshme në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë dhe më tërhiqte fort ideja e një kthimi përfundimtar në Shqipëri. Diku në nëntor të vitit 2004 u organizua një konferencë në Padova, me rastin e Festave të Nëntorit, ku erdhen edhe dy nga figurat më në zë të PD-së. Me njërin syresh kisha një njohje që mund ta quaj edhe miqësi të thjeshtë me natyrë intektuale, ndërkohë që me tjetrin nuk kisha kurrfarë njohje.

Natyrisht e njihja nëpërmjet mediave dhe veprimtarisë së tij politike. Pas konferencës, me dëshirën e mikut tim, dolëm të tre për një gotë birrë pasi në darkë ishin ftuar nga autoritetet organizuese të konferencës nga një Kolegj Universitar në Padova.

Gjatë ndenjes në një bar në Rrugën Savonarola, patëm një bisedë interesante. Miku im dhe personi tjetër ishin ndër personalitetet më të spikatura të PD-së, por me histori të trazuara brenda saj. Pas një largimi prej diktatit të Berishës, ishin kthyer sërish në PD pas një kurthi që ngriti kryetari i saj për gjoja pajtim me kritikët e të ikurit dhe në perspektivën e hapjes ndaj intelektualëve me krijimin e KOP-it (Komiteti i Orientimit të Politikave) pranë PD-së. –

Advertisement

“Meqënëse ke filluar të japësh mësim në Tiranë dhe ke dëshirë të kthehesh përfundimisht në Shqipëri, si thua t’i them Doktorit të futesh në KOP? – mu drejtua miku im.

Ndërkohë që unë po e dëgjoja me kureshtje dhe interes, ndërhyri miku i tij:
– Më fal – tha – po ti më ke folur vetëm për studimet e tij, por unë nuk e njoh e jam kurioz të dij nga është? Dhe filloi të më pyeste me një vështrim paksa zhbirilues:
– A je nga Tropoja – mu drejtua – apo nga Kukësi? – Jo – i thashë – jam nga Lezha.
– Po origjinën e ke nga Kosova? – Jo – u gjegja. – Po dosje të Sigurimit a ke patur? – insitoi. – Jo, as dosje nuk mund të kem se kam qenë 20 vjeç kur ra komunizmi. – Atëherë nuk ke punë as në KOP as në PD – shtoi ai me humor qesh e ngjesh.”

Orientimi që ka marrë PD-ja sidomos pas ardhjes në pushtet në vitin 2005 ka qenë thellësisht lokalist dhe aspak përfaqësues për Shqipërinë si njësi politike e njësuar. Duke ndjekur këtë mendësi, PD-ja i është larguar shumë elektoratit zanafillor të viteve ’90 dhe ka krijuar një identitet të ri me dy pamje: njëra syresh e lidh atë pazgjidhshmërisht me pjesën veri – lindore të Shqipërisë, nga ku vijnë figurat kryesore udhëheqëse të saj ndër vite: S. Berisha, B. Mustafaj, A. Hajdari, J. Gjana, F. Noka, B. Gjongecaj, B. Gazidede, B. Ukcamaj, S. Zhulali, Sh. Memija, Ç. Gjata, A. Biberaj dhe lista është shumë më e gjatë se kjo.

Asnjë figurë politike e PD-së e ardhur nga Shkodra, Lezha, Shqipëria e mesme apo Shqipëria e Jugut, nuk ka patur kurrë peshe specifike brenda PD-së që mund t’u përafrohej figurave që përmenda më lart. Pra prejardhja prej zonës veri-lindore ka qenë dhe është statusi antropologjik më i fortë identitar i udhëheqjes së PD-së. Sa për ilustrim mund të jap shembullin e Qarkut të Lezhës ku në 13 vite pushtet të PD-së nuk ka patur asnjë ministër nga ky qark, ose me origjinë nga ky qark, në qeverisjet demokratike. Ndërkohë që përgjatë qeverisjeve socialiste kemi patur 5 ministra nga Qarku i Lezhës: V. Dodaj, N. Legisi, M. Kodheli, L. Nikolla, S. Lleshaj.

Advertisement

Këtyre dy pamjeve identitare, kohët e fundit, Basha i ka shtuar një të tretë që bazohet mbi krenarinë dhe përmallimin e të qenurit me origjinë nga Kosova. Besoj se nga pikëpamja kulturore kjo gjë është e lidhur me historinë e natyrshme të ndërlidhjeve më të forta, edhe për arsye gjeografike, të pjesës veri – lindore të Shqipërisë me Kosovën. Nuk shoh asgjë që nuk shkon në kreninë që dikush mund të ketë e të shprehë për prejardhjen e tij. Të gjithë duhet të jemi krenarë për prejardhjen tonë.

Për më tepër, për mua personalisht, kur dikush vjen nga Kosova më zgjon simpati të madhe pasi kam lidhje të forta shpirtërore atje, përveç lidhjeve të natyrshme që çdo shqiptar ka për Kosovën. Madje kam zbuluar edhe kushërinj të largët që kanë migruar në Kosovë para më shumë se 100 vitesh. Por ajo që më bën përshtypje në ligjërimin e Bashës është të fokusuarit thuajse total të ligjërimit të tij politik kryesisht mbi Kosovën. Gjatë ligjërimeve të fundit më ka rënë në sy fakti se Kosova, si argument është përdorur shumë më shpesh se argumentet politike që kanë të bëjnë me Shqipërinë.

Njëherazi shquhet në sjelljen e tij politike, lëvdata që i jep vetes se ka marrë titullin “qytetar nderi” në disa komuna të Kosovës dhe madje, thuajse të gjitha komunat e Kosovës ia kanë bërë një ofertë të tillë: të jetë qytetar nderi i gjithë komunave të Kosovës.

Prapë as këtu nuk ka asgjë që nuk shkon, por ajo që më bëri përshtypje kishte të bënte thirrjet e tij për ta votuar që të bëhet Kryeministër i Shqipërisë pasi ka në mendje disa projekte të rëndësishme për Kosovën. Ky besoj është gabimi thelbësor i politikës së tij. Kosovës ka kush i del për zot dhe nuk do të ishte e udhës që të shikohet Kosova si jetime që kërkon përkujdesjen e Bashës. Sepse kësaj i thonë: më jepni votat në Shqipëri që të bëhem “qytetar nderi” në Kosovë!

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit