minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

BE t’u rezistojë përpjekjeve për ta ndalur zgjerimin në Ballkan

0
BE t’u rezistojë përpjekjeve për ta ndalur zgjerimin në Ballkan

Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është shënuar nga pengesa të vazhdueshme dhe vonesa të pajustifikuara. Dritarja e mundësisë për rajonin mund të mbyllet së shpejti, një vonesë tjetër do rrezikonte t’i jepte një goditje fatale të gjithë procesit zgjerues dhe prandaj BE nuk duhet ta injorojë progresin e Shqipërisë, shkruan Akri Çipa.

Nga Akri Çipa, Euractiv

Bashkimi Europian zyrtarizoi në vitin 2018 një strategji të re zgjerimi për Ballkanin, në të cilën pranoi një “dritare historike të mundësisë” për të lidhur të gjashtë vendet që ende nuk janë anëtarë me Bashkimin Europian. Dokumenti qartësisht theksonte se e ardhmja e tyre ishtë në bashkësi.

Kjo u konfirmua në rishikimin më të fundit të strategjisë, të paraqitur në shkurt 2020 nga Komisioneri i Zgjerimit Oliver Várhelyi, ku propozohej një metodologji e re zgjerimi pas këmbënguljes së disa vendeve anëtare. Megjithatë, ende nuk kemi parë një momentum të ri.

Advertisement

Edhe më keq, procesi është karakterizuar nga pengesa të vazhdueshme dhe vonesa të pajustifikuara. Një tjetër vonesë këtë radhë do i jepte një goditje fatale të gjithë procesit të zgjerimit.

Zërat kundërshtues brenda Bashkimit Europian, që përpiqen ta ngadalësojnë – ose edhe ta ndalojnë – zgjerimin në Ballkan, vazhdojnë të jenë efektivë në bllokimin e përpjekjeve të këtyre vendeve për të përparuar në proces. Targetet e tyre të preferuara në këtë drejtim mbeten Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Teksa raportimet e fundit flasin për qëllimin e Komisionit Europian për të rigjallëruar procesin e zgjerimit dhe për të kërkuar mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë në qershor, këta zëra po përpiqen të trazojnë përsëri ujërat.

Në këtë drejtim, ata nuk e kuptojnë se po i bëjnë një dëm të madh influencës dhe kredibilitetit të BE-së në rajon, ndërkohë që po minojnë dhe vetë politikat e BE-së.

Advertisement

Procesi i integrimit në BE nuk është fund në vetvete, por një mjet për të mbështetur reforma pozitive dhe për të sjellë progres. Ajo çfarë duan të bëjnë disa, në disa qarqe europiane, tashmë është ndryshimi i rregullave në mënyrë të padrejtë në mes të lojës dhe vetëm për një lojtar specifik.

Askush nuk e vë në dyshim faktin që Shqipëria (ose dhe Maqedonia e Veriut, për atë punë) nuk është ende gati të bashkohet me Bashkimin Europian. Por, nuk është kjo pika e diskutimit në këtë rast.

Çështja në këtë moment është nevoja për fillimin real të negociatave dhe faktin nëse Brukseli mund të realizojë atë që ka premtuar dhe ta lëvizë procesin përpara. Në këtë sens, nuk ka dyshim që Shqipëria i ka realizuar të gjitha para-kushtet. Sikurse i ka realizuar dhe Maqedonia e Veriut, por kjo e fundit gjendet përballë një konflikti bilateral me Bullgarinë.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të bashkuara deri më sot në rrugëtimin e tyre në BE, pritej t’i fillonin negociatat me Bashkimin Europian në 2019. Për fat të keq, pak vende anëtare bllokuan konfirmimin në Këshillin Europian, duke anashkaluar rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e pakushtëzuar të negociatave me Tiranën dhe Shkupin.

Advertisement

Këto bllokime artificiale kanë sjellë zhgënjim dhe kanë krijuar mundësi për aktorë të huaj si Kina dhe Rusia për të rritur influencën e tyre në rajon. Në të njëjtën kohë, mungesa e një perspektive të qartë të anëtarësisë në BE ka sjellë shumimin e ideve destabilizuese për rajonin, sikurse ato që u diskutuan rishtazi pas publikimit të një “non-paper” kontrovers.

Teksa pritet që BE të diskutojë zgjerimin në qershor, fati i Shqipërisë është përsëri në udhëkryq. Injorimi i progresit të Shqipërisë do të ushqejë një skepticizëm të thellë për vetë Bashkimin Europian dhe rrezikon të vrasë perspektivën e zgjerimit të rajonit. Dhe kjo do jetë akoma më e vështirë për t’u shpjeguar duke marrë parasysh zhvillimet e fundit.

Muajin e kaluar, Shqipëria mbajti zgjedhjet parlamentare. Sipas Urszula Gacek, e cila drejtoi misionin vëshgues të OSBE-ODHIR për zgjedhjet, parregullsi të tilla si “keq-përdorimi i pushtetit dhe raste të blerjeve të votave vazhdojnë të ekzistojnë,” por ajo theksoi se “besimi në procesin zgjedhor është, ngadalë-ngadalë, duke u rindërtuar.”

Këto zgjedhje të mirë-organizuara, të mbajtura paqësisht dhe të përcaktuara nga një fushatë përfshirëse dhe në respekt të lirive themelore mund të ndihmojnë Shqipërinë të lëvizin përtej politikës ekstremisht konfliktuale të dy viteve të fundit. Në të njëjtën kohë, kjo mund të shënojë një moment të ri maturiteti demokratik, të cilin Brukseli duhet ta inkurajojë dhe mbështesë.

Advertisement

Për më tepër, reforma në drejtësi po i afrohet përfundimit. Institucionalisht e dhimbshme dhe e sulmuar shumë nga disa aktorë të brendshëm politikë, reforma u bë nën drejtimin e rreptë të partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë.

Të përdorin këtë proces transformues dhe të mbikqyrur nga BE si një arsye për bllokimin e fillimit të negociatave, veçanërisht tani që është drejt maturimit, do të ishte gati hipokrizi.

Probleme të ndryshme si lufta ndaj korrupsionit, sistemi gjyqësor, procesi i vetingut, liria e shprehjes, si dhe lufta ndaj krimit të organizuar mbeten kritike për konsolidimin demokratik të vendit. Sigurisht, mbetet ende shumë punë për t’u bërë në këto drejtime.

Por, vetë Komisioni Europian e pohoi në raportin e vitit 2020 për Shqipërinë se si Tirana i kishte përmbushur kushtet për Konferencën e Parë Ndërqeveritare në këto fusha. Negociatat dhe koordinimi më i afërt me BE-në dhe me vendet anëtare do të nxisin më tej reformat.

Advertisement

Pozicioni i Brukselit kundrejt zgjerimit është kritikuar për mungesë koherence dhe për standarde të dyfishta. Nëse do të forcojë influencën e saj dhe të vazhdojë të jetë një forcë pozitive në rajon, është koha që BE-ja të aprovojë kuadrin negociues dhe të lëvizë sa më shpejt përpara me Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë.

“Dritarja historike e mundësisë” e rajonit, të cilën BE-ja e përcaktoi më shumë se tre vjet më parë, mund të mbyllet së shpejti. Brukseli është ende në kohë për ta parandaluar këtë.

Shkrimi është publikuar në Euractiv

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit