minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Debati i munguar Rama- Basha, a ia vlen?

0
Debati i munguar Rama- Basha, a ia vlen?

Nga Altin Ketro

Në disa nga takimet e tij elektorale, Lulzim Basha ka shprehur dëshirën që kryeministri Rama të përballet me të në një debat publik. Siç duket, konsulentët izraelitë e kanë bindur që po të bëhet një debat i tillë, për ta, Basha del i fituar. Duket se edhe vetë Basha ka fituar një lloj sigurie në vetvete, nisur edhe nga shpërfillja që i ka bërë kësaj kërkese kryeministri Rama.

Në fakt, Rama ka thënë shpesh në formë ironie që fillimisht duhet të deklarohet se cili është kryeopozitari: Basha, Berisha apo Meta? Dy të fundit po luajnë një rol protagonisti në këtë fushatë zgjedhore, pavarësisht se nga ana vizuale Basha del më tepër në televizion.

Gjithsesi, përtej kësaj, një debat televiziv Rama- Basha, nuk e shoh aspak produktiv. Dhe kam disa argumente.

Advertisement

Debatet politike televizive përpara zgjedhjeve më së shumti zhvillohen në shtetet të cilat e zgjedhin presidentin nga populli. Këtij të fundit i jepet mundësia që të shohë platformat politike të secilit kandidat dhe në bazë të tyre të krijojë një ide më të qartë se cilit do t’ia japë votën.

Rasti më klasik është ia i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vetë kandidatët për president kalojnë një tur eliminimi brenda për brenda partive të tyre dhe pasi marrin mandatin nga konventat e partive respektive, përballen me rivalin në tri debate publike në televizion.

Siç na tregoi edhe rasti i zgjedhjeve të nëntorit të vitit të shkuar, debati midis kandidatëve Tramp dhe Biden u konsiderua një turp kombëtar, sepse kush më shumë e kush më pak, secili prej tyre e kaloi cakun e një debati konstruktiv duke kaluar në sulme personale.

Nga ana e saj, Shqipëria nuk ka një traditë të kultivuar të debateve televizive të kundërshtarëve politikë me njëri tjetrin. Edhe ndonjë debat i rrallë, ku më i famshmi është ai Nano- Berisha, nuk u zhvillua në prag të një procesi zgjedhor, ndaj edhe nuk pati asnjë “incident” mes palëve.

Advertisement

Megjithatë, për ata që e dëshirojnë një debat Rama- Basha, u them që kjo ka ndodhur dhe ka qenë pikërisht salla e Kuvendit. Debatet Rama- Basha kanë qenë më se normale sa kohë opozita nuk i kishte djegur mandatet. Bile mazhoranca socialiste ndryshoi edhe Rregulloren e Kuvendit duke i njohur me ligj kryetarit të opozitës, të drejtën që të ketë të njëjtin minutazh sa kryeministri për të folur nga podiumi.

Kur mazhorancën e kishte Partia Demokratike, socialistët e kërkuan me forcë këtë të drejtë, por ishte Sali Berisha që nuk e pranonte. E pra, nëse kryeministri Rama do i bishtnonte debatit me Lulzim Bashën, nuk ia jepte mundësinë që ai të fliste po aq sa zgjat fjala e tij.

Po të ndjekësh gjithë debatet parlamentare Rama- Basha në YouTube, nuk gjen ndonjë gjë të veçantë që të të ketë lënë mbresa nga fjala e Lulzim Bashës. Gjuha e tij e varfër, përmblidhte vetëm tri fjalë: krim, drogë, vjedhje, dhe me to ndërtonte 50 fjali duke i përsëritur vazhdimisht deri sa të mbushej minutazhi prej 1 ore. Në ato seanca parlamentare Lulzim Basha pati fatin e keq sepse rivalizohej keqas nga ish-kryeministri Berisha, i cili e kishte në gjak protagonistin e foltores duke e lënë shpesh në hije kryetarin formal të partisë së tij.

Gjithsesi, një debat televiziv Rama- Basha do të kishte përfitim vetëm për televizionin që do e transmetonte, pasi do i rriste çmimin e reklamave, por publiku nuk do përfitonte asgjë, përkundrazi, do rriste bojkotuesit e zgjedhjeve.

Advertisement

Edhe pa ndodhur ai debat, nuk është e vështirë ta përfytyrosh se si do të shkonte. Basha do kurdisej tek fjalori i tij i varfër: krimi, droga, vjedhja, kurse kryeministri Rama do i kundërpërgjigjej këtyre akuzave me sarkazmat e tij, të cilat, në varësi të shpotisë, do ndikonin në gjendjen emocionale të sfidantit opozitar për të rritur dozën e akuzave.

Praktikisht secili prej të dyve kanë dalë pothuajse çdo javë nëpër debate televizive me gazetarë të ndryshëm, ku nuk ka mbetur pyetje pa u shteruar në to, prandaj përveçse akuzave të ndërsjella, asgjë të re s’do t’i sillte publikut debati i tyre.

Ndoshta Lulzim Bashës do t’i shijonte ky lloj debati, pa e vrarë mendjen se çfarë shije do të linte tek elektorati gri. Atij i pëlqen që baza militante e partisë ta shohë një herë prokuror, pastaj si gjykatës, më tutje si polic që bën arrestime dhe në fund si gardian burgu që ruan të dënuarin në qeli, kurse Rama refuzon që ta marrë këtë rol.

Besoj se kjo është arsyeja që kryeministri Rama nuk do që t’ia japë këtë kënaqësi Lulzim Bashës, sepse detyra që kryen e detyron që të jetë shumë herë më i përmbajtur në debat, që të mos thonë fjalën e fundit në fillim.

Advertisement

Midis dilemës nëse duhet që të ruash një nivel të lartë debati, ku të mbizotërojë logjika e ftohtë dhe forca e arsyes, apo të biesh në nivelin mediokër të diskutimit të kundërshtarit, për t’iu përgjigjur atij me të njëjtën monedhë, gjykoj se gjëja më produktive është që të mos pranosh të jesh pjesë e një farse të tillë të padobishme.

TemA

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit