minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

“Gjeneratori” që e solli pranverën disa ditë më shpejt

0
“Gjeneratori” që e solli pranverën disa ditë më shpejt

Nga Andrea Danglli

Kryeministri është në të drejtën e tij të thotë se pjesëmarrja në protestë është e çartur, se në të ka ngjyrime politike apo njerëz të kamur, pasi kjo përputhet me strategjinë vetjake për të venitur besueshmërinë e revoltës.

Ajo që të bën përshtypje është se si një lider partie i cili pretendon se nuk mundi të identifikojë dot banditët me kostum që futi në Parlament e Bashki, sot kërkon teste integriteti për mijëra protestues.

Të qash e të qeshësh kur pretendohet ky lloj “vetting-u” ndaj protestuesit që hyn në shesh, ndërkohë ca hajdutë hyjnë gjithnjë e më lehtë në Kuvend si përfaqësues të popullit.

Advertisement

Nuk ka ndonjë protestë të organizuar në Shqipëri a në botë ku qytetarët kanë shkuar me dëshmi penaliteti apo prova ndershmërie me vete për të vërtetuar paraprakisht se kujt i takon moralisht të revoltohet me qeverinë e kujt jo. Atëherë, pse në këtë rast paska kaq shumë peshë pyetja se krah kujt proteston, dhe nuk paska rëndësi pyetja se për çfarë po proteson?

Nuk është ndonjë lajm i ri e befasues të thuash që disa dalin për karrige pushteti, një pjesë për flamuj partie, ca për të justifikuar fonde organizatash apo të tjerë thjesht për delir personal. Ata aty kanë qenë, aty janë dhe po aty do të jenë për sa kohë xhepi t’u flasë para zemrës, por kjo nuk do të thotë se protestuesit janë një tufë qelbanikësh që po i bien në qafë kësaj qeverie që e ka për detyrë të punojë jo vetëm për votuesit e saj, por për të gjithë shqiptarët.

Jo: në shesh mund të shquash me sy të lirë mjaftueshëm vajza e djem, gra e burra që e kanë moralin për të ngritur gishtin e akuzës duke shërbyer veç të tjerash si serum për shëndetin e demokracisë sonë dëshpërimisht të sëmurë.

Tek zëri i tyre i lirë gjenden përgjigjet edhe për kategorinë e individëve që i shohin protestat e drejta si tempull për të pastruar mëkatet; ndaj, para se t’i futim të gjithë në një thes, kush dëshiron, mund ta bëjë fare lehtë dallimin.

Advertisement

Përveç çka shohim dhe dëgjojmë, duhen menduar edhe fjalët e pashqiptuara të atyre që sot nuk e kanë mundësinë apo forcën e duhur të vijnë para Kryeministrisë për të shprehur zëshëm hallin që i mundon.

Ka shumë shqiptarë që teksa i ndjekin nga shtëpia këto zhvillime, do të donin të ishin në shesh për të zbrazur dëshpërimin e realitetit të tyre që duhet të ishte shumë më i jetueshëm.

– Të tejlodhur nga pritja, shumë të rinj do të donin të ishin aty për perspektivën e punësimit dhe cilësisë së jetës që duket shumë më larg zotimeve elektorale.

– Të tejlodhur nga pritja, shumë studentë do të donin të ishin aty për të ngritur zërin për cilësinë e edukimit që marrin nëpër auditore, tek e cila nuk gjejnë dot asnjë lidhje me atë të bashkëmoshatarëve të tyre nëpër botë dhe që nuk i përgatit për asnjë treg pune për të përballuar jetesën, e aq më pak rritjen e çmimeve.

Advertisement

– Të tejlodhur nga pritja, shumë burra e gra do të donin të ishin aty për nivelin bazik të jetesës që u mungon për t’ua ofruar fëmijëve të tyre duke ua cunguar fëmijërinë prej 30 vitesh të mbushura me breza fëmijësh martirë të tranzicionit që s’po ka fund.

– Të tejlodhur nga pritja, shumë pensionistë do të donin të ishin aty që mos konsideroheshin si makineri lufte të dalë nga përdorimi për të cilët pakkush mendon, të varur nga remitancat dhe nga mëshira e fëmijëve të shpërndarë nëpër botë.

– Të tejlodhur nga pritja, shumë nga të sëmurët do të donin të ishin aty për një shëndetësi që e ka të vështirë të përgjigjet nëse nuk shohin së pari ryshfetet e që mbyt edhe zërin e të ndershmit.

– Të tejlodhur nga pritja, shumë fshatarë do të donin të ishin aty para se të zhdukeshin nga varfëria e cila s’ka nevojë më për propaganda me “Akademi Barinjsh”, por për zgjidhje.

Advertisement

– Të tejlodhur nga pritja, shumë qytetarë do të donin të ishin aty pasi nuk mund të përdoren gjithë jetën si kavje krizash, vetëm e vetëm që prej 30 vjetësh qeveritë të kujtohen për çatinë vetëm kur nis rrebeshi.

– Të tejlodhur nga pritja të gjithë jemi aty, se më shumë se çmimin e naftës, nuk përballojmë dot “naftën” që i bëhet demokracisë.

Kjo listë mund të ishte më e gjerë, më e gjatë dhe më e plotë nëse rreshtat e këtij artikulli do të kishin përmasat e halleve që kanë shqiptarët. Natyrisht që pushteti qendror dhe vendor nuk njeh realisht asnjë krizë ekzistuese, përderisa i lejon vetes të mos pranojë asnjë ankesë nga qytetarët. Si konstatim të kësaj do të mjaftonte të shihje replikat e Kryeministrit ndaj protestës, ku në asnjë moment ai nuk pranon asnjë kritikë a sugjerim që i adresohet.

Për këtë, ai dhe bashkëpunëtorët e tij duhet dalën nga rrjetet sociale, rezidenca, zyra, makina apo restoranti, pasi përndryshe s’kanë nga ta besojnë sakrificën e një fasoniereje, një bujku apo arsimtari. Kështu do të vazhdojnë të jetojnë në iluzionin se të gjithë kanë automjete të shtrenjta apo darkojnë jashtë, pa kuptuar që ka edhe nga ata njerëz që nuk kanë kafshatë e jo më të shkojnë të blenë bukë me makinë siç sugjeron ministrja.

Advertisement

Për këtë duhet zbritur me këmbë në tokë në një cep të humbur të Shqipërisë, por edhe në Tiranën e cilësisë së tmerrshme të jetesës me çmimet e shtëpive të paluajtshme që janë ngritur në qiell, me trafikun shpirtmarrës dhe me ndotjen kanceroze.

E vërtetë që çmimet janë rritur ndjeshëm thuajse në të gjithë botën si rrjedhojë e përplasjes së Rusisë me Ukrainën, por para se të flasim për kupën e derdhur sot në luftë, duhet të shohim se si u mbush kupa dje në paqe, me iniferencën e treguar ndaj qytetarit të zakonshëm, me arrogancën ndaj kritikave, me mungesën e vizionit për të parë larg dhe më kryesorja, me qasjen për t’iu fshehur përgjegjësive përherë pas një krize që edhe kur nuk ka ekzistuar, është shpikur artificialisht.

Në fillim artikulohej hemoragji e lënë pas nga qeveria “Berisha”, pastaj papërgjegjshmëri nga koalicioni “Meta”, më tej nga tërmeti, më vonë nga pandemia dhe së fundmi, nga lufta e cila solli revoltën për “naftën” që i bëhet zërit të qytetarëve.

Andaj edhe sikur kjo protestë të mos fitonte asnjë betejë me Kryeministrin, ajo ka shënuar një etapë të re që është zgjimi i empatisë te njerëzit e imunizuar nga e keqja. Ky është sukses i madh për një shoqëri të paorganizuar si e jona, e cila vazhdon të besojë, të rrëzohet e të ngrihet sipas temenasë së atyre që e udhëheqin, por që kur do, mund ta sjellë fare mirë ndryshimin.

Advertisement

Dhe për këtë mjafton një mikrofon dhe një gjenerator para kryeministrisë, i cili këtë vit mesa duket e solli pranverën disa ditë më shpejt.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit