minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Kardiokirurgu Edvin Prifti, viktimë e dhuratave apo korrupsionit?!

0

Nga Gjon Ndreja

Arrestimi i kardiokirurgut Edvin Prifti, nga ana e Prokurorisë së Posaçme, të cilit ju gjetën shuma të mëdha parash në banesë dhe zyrë, ka ngjallur këto ditë debate e analiza nga më të ndryshmet. Analistë dhe pseudoanalistë, gazetarë dhe kolegë të mjekut, janë aktivizuar këto ditë dhe me opinionet e tyre kanë pushtuar faqet e medieve. Për hir të së vërtetës opinionet janë edhe pro edhe kundër arrestimit të mjekut por në dominancë janë ato kundër, që fajësojnë Prokurorinë e Posaçme për arrestimin e mjekut.

Sot isha duke ndjekur emisionin “Shqipëria Live” në TCH dhe gazetari drejtues i emisionit, kishte mobilizuar mjekë, gazetarë, opinionistë, madje disa edhe me banim jashtë vendit, për të ju kundërvënë veprimit të ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme për arrestimin e mjekut. Disa nga të ftuarit në studio  e mbështesnin tezën  për mbrojtjen e mjekut, duke i paraqitur  shumat e parave të sekuestruara, si dhurata që i kanë bërë qytetarët e ndryshëm për shërbimet cilësore që ai mjek u kishte bërë.

Disa të tjerë e argumentojnë shumën e konfiskuar, me faktin se ai mund të ketë pranuar dhurata ose mund të ketë marrë edhe  para, pasi mjekët kanë shpenzuar shumë kohë për t’u kualifikuar dhe pagat e tyre në sektorin publik janë shumë të ulëta. Të tjerë për të zbehur aktin e mjekut e vendosin atë në një sfond ku gjithë shërbimi i mjekësisë në vendin tonë është i korruptuar etj.

Advertisement

Meqenëse këto ide apo teori kanë filluar të zënë shumë vend në diskutime dhe në opinione, si një njeri që kam studiuar dhe publikuar shkrime mbi korrupsionin, e ndjej si detyrim qytetar që     të jap edhe unë ndonjë opinion modest  rreth kësaj çështje.

Më duhet të theksoj që në krye të herës, se sensi i diskutimit për të shfajësuar mjekun më duket tërësisht i pakuptimtë. Sistemi i ri drejtësisë, objekt i të cilit është bërë edhe mjeku kardiokirurg, ka gjithë ekskluzivitetin për trajtimin e kësaj çështje. Në se arrestimi i mjekut do të ishte  një vendim i padrejtë, shkallët e gjyqësorit do të nxirrnin të vërtetën dhe do të vendosnin drejtësinë. Disa nga ata prokurorë që kanë marrë vendimin për arrestimin e mjekut  dhe që i kanë kaluar shkallët e vetingut, i njoh personalisht dhe kam bindjen se asgjë nuk do të pranonin në këmbim të integritetit të tyre profesional.

Nga ana tjetër nuk ndodh askund në botë që kur një çështje ka filluar nga Prokuroria, media të bëhet palë në gjykimin e veprimeve të vlefshmërisë apo pavlefshmërisë së veprimeve të saj. Unë do ta kisha pritur me shumë dëshirë hapjen e një diskutimi qytetar, se përse ka ndodhur kjo, cilët janë faktorët socialë dhe ekonomikë që e kanë mundësuar një gjë të tillë dhe çfarë duhet të bëjmë për ta ndaluar këtë fenomen.

Por le të kthehemi te opinionet. Në shumicën e rasteve dominon opinioni se shumat e parave të gjetura  në banesë e kanë burimin nga dhuratat e bëra nga qytetarët për shërbimet që mjeku ju ka bërë atyre. Një gazetar, madje solli një shembull nga eksperienca e tij se përpara disa ditësh një i afërm  i tij, kishte bërë një ndërhyrje kirurgjikale dhe pas përfundimit me sukses të ndërhyrjes, ky i kishte bërë një dhuratë mjekut  e cila nuk ishte kondicionuar më parë nga mjeku dhe ky i fundi e kishte pranuar.

Advertisement

Teoritë mbi korrupsionin japin një përkufizim mbi dhuratat dhe  dallimit midis dhuratës dhe ryshfetit ose korrupsionit. Sipas këtyre teorive çdo përfitim i realizuar, në formë materiale ose monetare, nga një person që është duke ushtruar një detyrë publike,dhe   marrja ose pranimi i këtyre dhuratave është rrjedhojë e shërbimit publik, konsiderohet korrupsion. Për të dalluar dhuratën nga korrupsioni marrësi i dhuratës duhet t’i bëjë pyetjen vetes. Në se unë nuk do të isha në këtë detyrë, a do të më ofrohej kjo dhuratë apo ky përfitim?

Në se përgjigja e pyetjes është negative, atëherë dhurata nuk duhet pranuar, pasi ajo nuk është e tillë por është një ryshfet. Siç shikohet edhe nga arsyetimi i mësipërm dallimi lidhet drejtpërdrejt me  ushtrimin e funksionit publik. Sigurisht edhe një zyrtar publik mund të marrë ose të pranojë dhurata por që ato të mos konsiderohen korrupsion, ofruesi i dhuratës nuk duhet të jetë përfitues i shërbimeve publike të dhëna prej zyrtarit. Dhurata, nuk është shpërblim i një shërbimi të përfituar por ajo është diçka shpirtërore, simbolike dhe nuk përfaqëson kurrsesi  çmimin e shërbimit apo përfitimeve të siguruara nga dhuruesi.

Ama “dhuratat” që marrin në përgjithësi, mjekët nuk është e vështirë për t’i dalluar, për faktin se ato jepen menjëherë pas kryerjes së operacionit apo të një shërbimi tjetër mjekësor. Evolucioni i këtyre “dhuratave”, siç kam dëgjuar, ka ardhur deri edhe në caktimin paraprakisht të  shumës që duhet të paguajë pacienti, nga mjeku që kryen shërbimin dhe dhuruesi është i detyruar ta plotësojë, pasi nuk e merr shërbimin.

Por nga shërbimi varet jeta e një njeriu dhe dhuruesi nuk merr parasysh kostot, mjafton që të marrë shërbimet. Por edhe këto raste që janë shfaqja më e shëmtuar e korrupsionit, konsiderohen si “dhurata”. Por a ndodh kjo në spitalet publike jashtë vendit apo në spitalet private brenda vendit. Kam dëgjuar që edhe jashtë mjekët mund të pranojnë dhurata në nivelin e vlerave simbolike por kurrsesi si një çmim i shërbimit. Ndërsa në spitalet private brenda vendit nuk jepen as dhurata simbolike dhe as kurrkush nga mjekët apo personeli nuk guxon të marrë para për shërbimet që kryejnë.

Advertisement

Disa opinionistë e ligjërojnë marrjen e këtyre”dhuratave” si më sipër, me faktin se mjekët kanë paga të ulëta në krahasim me shërbimet që ata kryejnë. Sigurisht ka vend për ta përmirësuar sistemin e shpërblimit të mjekëve por kurrsesi në nivelin e premtimeve elektorale, siç jam shprehur edhe në një shkrim tjetër por siç sugjerojnë edhe teoritë mbi korrupsionin, ai nuk lind kryesisht nga nevoja. Nëpunës të niveleve të ulëta apo punonjës të thjeshtë, janë më pak të prekur nga korrupsioni.

Por me që është rasti, përse mund të lindë korrupsioni ? Në përgjithësi vlerësohet se tre janë faktorët që mundësojnë korrupsionin. Së pari mundësia, që do të thotë  se sistemet e projektuara antikorrupsion sido që janë projektuar për të ndaluar korrupsionin, përsëri nuk janë perfekte dhe njerëz të prirur për këtë gjejnë mundësinë për të realizuar veprime korruptive. Në këtë drejtim bashkohem pjesërisht me disa opinionistë që fajin për ekzistencën e korrupsionit e adresojnë te sistemi i korruptuar shëndetësor në vendin tonë. Për të shfajësuar mjekun ato shkojnë edhe më larg dhe tërë fajin ja hedhin këtij sistemi por sigurisht që nuk kanë drejtë. Në sistemin shëndetësor ka në shumicë mjekë dhe personel shëndetësor që janë brenda këtij sistemi por nuk janë të korruptuar.

Njeri syresh madje  deklaroj hapur, se ai nuk pranonte asnjë lloj dhurate nga pacientët për shërbimet që u kryente atyre. Nga ana tjetër mendoj se strukturat qeveritare kanë shumë për të bërë në lidhje me vendosjen e sistemeve dhe procedurave antikorrupsion në institucionet shëndetësore.  E pra fajin nuk e ka tërësisht sistemi por faktori i dytë  që lidhet me lindjen dhe ekzistencën e korrupsionit është motivi. Shumë njerëz priren të kryejnë veprime korruptive sepse bien pre e dëshirave për pasuri dhe të mira materiale pa kufi dhe kjo bëhet e mundur në kushtet kur sistemi e lejon një gjë të tillë.

Faktori i tretë po kaq i rëndësishëm ka të bëjë me racionalizimin e veprimeve korruptive. Personat që kryejnë korrupsion fillojnë e bindin veten se një gjë e tillë është e drejtë dhe se atyre ju takon një shpërblim ose përfitim më i madh. Elementë të këtij faktori gjejmë edhe në arsyetimet e opinionistëve tanë që mua më duket se kjo i kalon kufijtë e korrupsionit dhe merr përmasat e kalbëzimit të shoqërisë.

Advertisement

Sektori i mjekësisë është më i ekspozuar nga korrupsioni, për shkak se shërbimet mjekësore nuk sigurojnë mbulimin e plotë të gjithë qytetarëve dhe për t’i siguruar këto shërbime qytetarët përdorin mekanizma nga më të ndryshmet në funksion të realizimit të shërbimeve. Kështu disa nga personeli mjekësor që ka prirjen dhe motivimin e shfrytëzon këtë situatë në favor të përfitimeve falë edhe mungesës së mekanizmave antikorrupsion.   Përfundimisht në opinionin tim të gjitha të ardhurat e siguruara nga një zyrtar publik, jashtë burimeve të ligjshme por në sajë  të ushtrimit të funksionit publik , duhet të konsiderohen të ardhura të paligjshme  dhe me karakter korruptiv.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit