minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Kuturu për Kosovën

0
Kuturu për Kosovën

Nga Enver Robelli

Si të lexohen dhe si të kuptohen deklaratat e Donald Trumpit dhe Hashim Thaçit? I pari thotë: “Këto dy vende (Kosova e Serbia) do të unifikohen (bashkohen)”. I dyti: “Ajo që ndodhi të premten, ndërmarrja më serioze diplomatike e SHBA-së në dy dekadat e fundit”. Këto janë deklarata kuturu, absurde, të pabaza, johistorike dhe të dëmshme.

Shtëpia e Bardhë e ka një të mirë, mes shumë të tjerave: çka thotë presidenti, protokollohet dhe mund të lexohet në rrjet. Edhe paraqitja e Donald Trumpit para mediave me rastin e nënshkrimit të “marrëveshjes” mes Kosovës dhe Serbisë të premten, është protokolluar. Në pyetjen se cili ka qenë roli i presidentit Trump në arritjen e marrëveshjes dhe përse diçka e tillë nuk është arritur me dekada, Trump dha një përgjigje që shpalos paaftësinë e dukshme të tij, por edhe mungesën e vullnetit për të dhënë një deklaratë të logjikshme dhe shpjeguar në mënyrë sa më të thjeshtë një çështje komplekse. Mos të flasim këtu për diturinë e tij inekzistente sa i përket konfliktit të Kosovës.

Përgjigjja e Trumpit qe kjo: ai tha se kanë kaluar aq shumë dekada dhe nuk është gjetur një zgjidhje mes Serbisë dhe Kosovës, sepse “ata s’kishin askënd që u përpoq ta kryejë këtë punë. Kemi punuar për këtë gati që nga fillimi i administratës”. Pastaj Trump thotë se është luftuar mjaft, por tani ka dashuri – këtu nuk është e qartë nëse Trump mendon luftën e Kosovës më 1998/99 apo mendon negociatat që janë zhvilluar mes dy palëve për të arritur marrëveshjen nën dirigjimin e Richard Grenellit. Për një gjë Trump është i sigurt, natyrisht në stilin e tij: ai thotë se Serbia e Kosova do të kenë “marrëdhënie madhështore” (Trumpi është keqpërdoruesi më i madh i superlativit prej se janë themeluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës – këtu ka diçka të përbashkët me Hashim Thaçin, edhe ky përdorues inflacionar superlativësh të pabazë). Pastaj Trump shtoi: ekonomia do t’i bëjë bashkë (Kosovën dhe Serbinë). Dhe: Marrëveshja do t’i bashkojë (unifikojë) të dy vendet (“It’s going to unify the two countries”). Duke mos e njohur historinë e konfliktit kosovar, Trump nuk është i vetëdijshëm se çfarë peshe negative në Kosovë mund të ketë fjalia se marrëveshja “do t’i bashkojë (unifikojë) të dy vendet” (Kosovën dhe Serbinë).

Advertisement

Trump në vijim të fjalës së tij zbulon se Richard Grenelli tërë kohën ka folur për këtë çështje, pra arritjen e marrëveshjes. Grenell pastaj, sipas Trumpit, i bëri bashkë ata (palën kosovare dhe serbe) “me Robertin, Jaredin dhe Avin”. Bëhet fjalë për Robert O’Brien, këshilltar për siguri nacionale i Trumpit, i treti me radhë në këtë post në kabinetin e presidentit, një avokat nga Los Angeles që s’kishte rënë në sy si strateg në aparatin gjeopolitik dhe gjeostrategjik amerikan. Jared Kushner është dhëndri i Donald Trumpit. Avi? Kush është Avi? Me gjasë Avrahm “Avi” Berkowitz, i cili u lind më 4 nëntor 1988; në atë muaj në Kosovë shpërtheu vala e madhe e protestave kundër agresionit serb – që nisi si agresion juridik i Beogradit dhe mori hov për një dekadë si agresion policor dhe politik. Avi Berkowitz është këshilltar i Trumpit dhe Jared Kushnerit. Berkowitz konsiderohet si aktivist jozyrtar i kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanjahu në Shtëpinë e Bardhë. Pas vendimit të Trumpit për të zhvendosur ambasadën e SHBA-ve nga Tel Avivi në Jerusalem qëndron Berkowitz, kanë shkruar mediat serioze amerikane.

Ky ekip duket se kishte për synim që një ngaterresë ballkanike ta përziej me konfliktin e madh në Lindjen e Afërt, në mënyrë që “marrëveshja” të duket si “plan gjenial” i Donald Trumpit për të ndihmuar edhe Izraelin. Së pari për shkak se Trump gjendet në fushatën zgjedhore dhe shpreson se kështu do të josh votues konservatorë hebraikë dhe besimtarë evangjelistë. Së dyti: Jared Kushner është i dërguar i Trumpit për Lindjen e Afërt. Kushner, edhe ky hebre me origjinë, njihet qëmoti me Benjamin Netanjahun. Bile njëherë Netanjahu kishte fjetur në shtratin e Jared Kushnerit, kur ky ishte tinejxher. Në fund të viteve 80-të Netanjahu kishte mbaruar studimet për menaxhment në Massachusetts (SHBA), i ishte bashkuar partisë konservatore izraelite Likud dhe kishte përparuar shpejt në karrierë duke u bërë ambasador i Izraelit në Kombet e Bashkuara.

Në New York Netanjahu u miqësua me Fred Trumpin, babain e Donald Trumpit, por edhe me familjen ortodokse hebraike të Charles Kushnerit, një magnat financiar. Kjo miqësi me gjasë ka qenë aq e ngushtë, saqë me një rast Netanjahu fjeti në shtratin e Jared Kusherit, i cili më vonë u martua me Ivanka Trumpin, të bijën e Donald Trumpit. Në kabinetin e Trumpit Jared Kushner luan një rol me ndikim si pëshpëritës e këshilltar. Jo të gjithë në Shtëpinë e Bardhë kanë qenë të kënaqur me rolin e tij. Më 27 shkurt 2018 shefi i shtabit të Trumpit, John Kelly, ia hoqi Jared Kusherit qasjen në informacionet “rreptësisht sekrete” të shërbimeve amerikane. Si shumë zyrtarë të tjerë që janë përpjekur ta korrigjojnë e disiplinojnë Trumpin edhe John Kelly është larguar nga Shtëpia e Bardhë.

Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, e cila nuk është as marrëveshje, duket si një punë e përbashkët e anëtarëve të familjes Trump dhe Richard Grenellit, ambicia e të cilit për të qenë protagonist i politikës së jashtme është në disproporcion të thellë me aftësitë e tij (natyrisht të mangëta). Por Grenell ka një “talent” tjetër: si shefi i tij edhe atij i pëlqen të kacafytet me kritikë, sidomos kur ata kanë të drejtë. Por siç u pa këto ditë, Grenell nuk ngurron që në stilin e periferisë amerikane t’ua tregojë gishtin e mesëm edhe atyre në Prishtinë që muajve të fundit patën mbetur pa frymë duke propaganduar “misionin historik” të Grenellit.

Advertisement

Duket se edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është i entuziazmuar në aftësitë e Grenellit për zgjidhjen e paqartësive mes Serbisë e Kosovës (në të vërtetë bëhet fjalë për sabotimin nga Serbia të çdo përparimi në Kosovë me qëllim të shkaktimit të tensioneve dhe provokimit të ndarjes së Kosovës). Në një konferencë për media kryetari i Kosovës sot tha: “Ajo që ndodhi të premten, ndërmarrja më serioze diplomatike e SHBA-së në dy dekadat e fundit”. Në dy dekadat e fundit? Ndërmarrja më serioze diplomatike e SHBA-së? Vërtet? Seriozisht? A po i bie që një shou i Donald Trumpit është më i rëndësishëm se shpallja e pavarësisë më 2008 me ndihmën ecenciale amerikane? A domethënë se në retrospektivë nuk ka vlerë fjalia e famshme e presidentit George W. Bush se Kosova duhet të jetë e pavarur?

T’i lëmë faktet të flasin. Vetëm në mandatin e dytë të Barack Obamës Kosova ka siguruar 27 njohje, shumica si rrjedhojë e lobimit direkt amerikan. Nga viti 2016, kur në Shtëpinë e Bardhë hyri Trumpi, deri më tani Kosova ka vetëm 4 njohje, përfshirë edhe këtë të fundit nga Izraeli. Më 2009, gjatë mandatit të parë të Barack Obamës dhe Joe Bidenit, Kosova u anëtarësua në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Më 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) theksoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare – dhe këtu argumentet e juristëve amerikanë kanë qenë vendimtare. Nën “ndërmjetësimin” e Grenellit, të shumëlavdëruarit nga presidenti i Kosovës, pushtetarët e Kosovës kanë pranuar që për një vit të mos kërkojnë hyrje në organizata ndërkombëtare. Kaq sa i përket artit të ndërmjetësimit dhe zgjidhjes së konflikteve nga i dërguari i “gjeniut stabil” (Trump për vetveten).

Në paraqitjen për media presidenti i Kosovës disa herë e përmendi fjalën “tribal” për t’i etiketuar kritikët e tij. Presidenti me këtë gjuhë po përpiqet t’i njollosë kritikët duke i krahasuar me “fise primitive”. E pashmangshme në konferencën për media të presidentit ishte edhe çështja e “thikave dhe hartave” në Shtëpinë e Bardhë. Gjithsesi formulimi për “thikat mbi harta” është një deklaratë joserioze, jodiplomatike, e pamenduar e Albin Kurtit, i cili kur ishte kryeministër nganjëherë mendonte se ende është aktivist i Vetëvendosjes dhe opozitar i zhveshur nga përgjegjësia shtetërore. Një politikan që sheh pak përtej kodrës nuk bën këso deklaratash. Dhe për këtë Kurti duhet të kritikohet pamëshirshëm.

Por përtej deklaratës së panevojshme të Kurtit, e vërteta e pamohueshme është se plane, ide, propozime për prishjen e kufijve të Kosovës ka pasur dhe për këto plane është diskutuar në takime sekrete mes palëve në kryeqytete europiane dhe në SHBA. Lobistë të të gjitha ngjyrave kanë përkahur këtë ide. Edhe këshilltari i dikurshëm për siguri i Trumpit, John Bolton, qartë ka thënë se ka shenja se palët duan një “zgjidhje të tillë” (prekje të kufijve) dhe SHBA nuk do të pengojë një “zgjidhje të këtij lloji”. Këto plane ranë në ujë për shkak se fronti i kundërshtarëve ishte i madh. Britania e Madhe si shtet me të drejtë të vetos në OKB, ishte skeptike dhe parashihte rrezik për stabilitetin rajonal, sidomos në Bosnjë-Hercegovinë. Gjermania si shteti më me ndikim në BE kishte rezervat e njëjta, shto këtu edhe qëndrimet kritike shumëvjeçare të Berlinit kundër një pjese të “krahut të luftës” që qëmoti është vetëm krah i korrupsionit masiv në Kosovë.

Advertisement

Mbështetësi i vetëm aktiv i opsionit për prishjen e kufijve të Kosovës ishte kancelari i ri austriak Sebastian Kurz, ndër zërat më kritikë të kancelares gjermane Angela Merkel për shkak të politikave të saj humanitare ndaj refugjatëve. Pikërisht për këtë arsye Grenell ishte adhurues i madh i Kurzit. Në qershor të vitit 2018 Grenell shtroi drekë në rezidencën e tij në Berlin “in honor of his Excellency Sebastian Kurz, Chancellor of the Republic of Austria”. Ky veprim i Grenellit nga mediat gjermane u quajt i pazakonshëm. Në një intervistë Grenell e pati quajtur Kurzin “Rockstar”. Në raste të tjera: “A leader in Europe”, lider në Europë.

Krejt shoun e Washingtonit me atë që po quhet marrëveshje mes Kosovës e Serbisë në mënyrën më goditëse e përshkroi në një koment Peter Münch, i cili gjatë viteve 90-të ka raportuar shpesh mbi ngjarjet në Kosovë dhe tani është korrespondent i “Süddeutsche Zeitung” nga Lindja e Afërt. Në një koment Münch shkroi se me marrëveshjen e arritur në Washington mes Kosovës dhe Serbisë “Trumpi i ka bërë një shërbim qeverisë izraelite, e cila ngul këmbë që Jerusalemi të jetë kryeqytet, dhe kësisoj ai e ka vënë veten në skenë për fushatën elektorale. Por me këtë ai sigurisht nuk u ka bërë nder presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit kosovar Avdullah Hoti, kur ua luajti lojën pas shpinës dhe i shtyu në një fushë të minuar. Për më tepër, Trump i përdori këta dy politikanë të Ballkanit, të cilët duan t’i fusin vendet e tyre në BE, për nevoja të veta dhe i nxiti të minojnë politikën e BE-së në Lindjen e Afërt. Edhe kësaj radhe politika e pazareve e Trumpit është politikë sipas qejfit dhe përçarëse. Mekanizmat që mund të funksionojnë në jetën e biznesit, në politikë mund të jenë të rrezikshme”.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit