minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Lidhëset elektorale të Ramës dhe këpucët e palidhura ende të opozitës

0

Nga Lorenc Vangjeli

Ka një anekdotë që ilustron për mrekulli atë që po ndodh në këtë epilog mandati. Një luan ju del papritur përpara tre gjahtarëve; dy prej tyre ngrinë në vend, kurse i treti u ul të shtrëngonte lidhëset e atleteve.

“Je i marrë? Të gënjen mendja se do të vraposh më shpejt se luani?”, i thanë shokët.

“Më mjafton vetëm të vrapoj më shpejt se ju”, u përgjigj ai.

Advertisement

Në mënyrë të thjeshtë, tre partitë kryesore në vend, po shkojnë drejt 25 prillit të përbashkët në mënyra të ndryshme dhe tërësisht atipike për kushtet e Shqipërisë. Zakonisht në Shqipëri qeverisja bën rolin e dembelit, kurse opozita mezi pret të gdhihet për të rendur në fushatë, si rregull ministrat dhe administrata politike përpiqen të fshihet pas vanitetit e vetëkënaqësisë, kurse kandidatët për ministra dhe administratë politike ju sulen vetullave për të marrë edhe aty gjak elektoral. Kush e kujton fushatën e socialistëve të Nanos 15 vjet më parë apo të njerëzve të Berishës në 2013-ën, e kupton se çfarë është ndryshe në këtë 100 ditësh të fundit të mandatit të dytë socialist. Në rastin e parë edhe Nano dukej se mezi priste të humbte, kurse në rastin e dytë vetëm Berisha kishte vullnet e dëshirë për të fituar, por jo grintë dhe frymëzim për të shmangur humbjen që e prisnin të gjithë njerëzit e tij si fat të parashkruar.

Kësaj here skena është e përmbysur. Një politikan tërësisht atipik si Edi Rama, edhe pse pa shkëlqimin e tij të dikurshëm në opozitë, por me eksperiencën plot dritëhije të qeverisjes, ka vendosur kësaj here seriozisht bastin për mandatin e tretë. Duke luajtur kartën kryesore të këtyre zgjedhjeve: fiton ai që beson tek fitorja dhe se fitorja nuk është shtatzani e padëshirueshme, por një kontakt direkt me votën shumë përpara vetë ditës së votës.

Prej së paku gjashtë muajsh PS është lëshuar në terren, sidomos në qarqet që do të kushtëzojnë ngjyrën e qeverisjes së nesërme. Në Tiranë e Durrës, kryetari i bashkisë Veliaj, ministrat Ahmetaj, Spiropali, menaxheri i talentuar i OSHE-së Çela, e shumë të tjerë, janë duke bërë fushatë kapilare, qoftë me tullat e rindërtimit nga tërmeti, qoftë duke i hequr kundërshtarëve tullat elektorale e faktorët njerëzorë lokalë. Ata kanë organizuar strukturat e tyre dhe janë në kontakte kapilare me elektoratin, shumë shpesh pa publicitet, por me parimin derë më derë dhe dorë më dorë deri më tani në një fushë të lënë pothuaj totalisht bosh nga kundërshtari.

Po kështu, në Elbasan Balla, në Vlorë Gjiknuri, në Shkodër Beqja apo Peleshi në Korçë, janë disa xhiro elektorale përpara kundërshtarëve të tyre. Vetë Rama është edhe në Tiranë, edhe në Durrës, edhe në Vlorë e gjetkë dhe madje bën fushatë edhe nga Ankaraja, Athina apo New Yorku kur i duhet të përdorë avionin si kalë beteje për betejën e nesërme, qoftë kur shkel syrin për gjeopolitikë, qoftë kur bën “lypësin” krenar për shtëpinë e përbashkët.

Advertisement

Vetëm së fundmi Elbasanit ju adresua kryetarja e LSI-së Kryemadhi apo sekretari i PD-së Bardhi, vetëm pak ditë më parë u mësua se ish-kreu i KLSH Leskaj do të ishte kreu i listës në Vlorë, kurse Shkodra, Korça dhe shumica e qarqeve të tjera nuk kanë as listë dhe as emra opozitarë që hidhën në garë. Vetëm këtë javë po mësohet fati i kryetarëve aleate në opozitë që më shumë se mërinë me Ramën, përplaseshin më Bashën për vendin e tyre në listë. Një process që duhet të kishte përfunduar normalisht shumë e shumë kohë më parë.

Të frustruar nga diskutimet për taktikën e përbashkët elektorale, të ndarë nga mëri të vjetra dhe interesa të rikrijuara, të vonuar pafund në akte dhe të pavendosur në veprime, të bashkëshantazhuar dhe pa besim reciprok, vetëm ditët e fundit PD dhe LSI po prezantojnë kandidatët e tyre. Por ata do të shkojnë të trokasin në dyer që janë trokitur disa herë më parë. Kjo diferencë në kohë e zbritjes në terren aty ku mbillet dhe vilet vota, mund të jetë një nga shanset e shtuara të socialistëve për 25 prillin. Për më tepër, ata mund të numërojnë në aksionet e tyre edhe efektet shkatërrimtare të djegies së mandateve të opozitës dhe mungesën e saj totale në strukturat e pushtetit lokal.

Paradoksalisht, në këto zgjedhje, më shumë se lidhëseve të tyre të këpucëve të vrapit, socialistët duhet t’i falen serisë së pafundme të zgjidhjeve të gabuara të opozitës përpara ditës së zgjedhjeve. Për t’i lënë opozitës që të fitojë atë që kishte dhe e humbi vetë: të drejtën për të bërë opozitë brenda sistemit. Dhe për të pasur nesër një fitues që mund të thotë se zgjedhjet nuk i fitoi vetëm Rama, por i humbi kundërshtari. Siç i kishte ndodhur vetë Ramës në zgjedhjet e 2009-ës në një histori që përsëritet nën shenjën e luanit anekdotik që kërcënon, tremb dhe frikëson vetë gjahtarët.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit