minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Logjika e shantazhit me parullën: “E dua edhe unë një komunë”

0

Nga Enver Robelli

Një kandidate për deputete të komunitetit boshnjak paska thënë: “E votoj atë kryeministër që i themelon dy komuna boshnjake, një në Prizren e një në Pejë”. Kjo është logjikë shantazhi: rendi organizativ i shtetit duhet të prishet për shkak se një komunitet i caktuar dëshiron komuna të reja. Pse duhen këto komuna boshnjake? A janë boshnjakët të diskriminuar në Pejë e Prizren që të kërkojnë komuna të tyre të veçanta? A ka shembuj konkretë të diskriminimit? Apo komuna kërkohet për të hapur disa vende pune në administratë? Pra, për të punësuar njerëz me çelës etnik dhe nepotist.

A është kërkesa për komuna boshnjake në Kosovë paralajmërim se nesër, në rast se shtrohet në rend të ditës njohja e Kosovës nga Bosnjë-Hercegovina, qeveritarët në Sarajevë do të kërkojnë komuna për komunitetin boshnjak në Kosovë? Që tani Kosova ka komuna të tepërta. Gjithsej 38.

Për të kënaqur apetitet e komunitetit serb dhe me shpresën naive se Serbia do ta shpërblejë zemërgjerësinë e Prishtinës dhe do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, janë krijuar “komuna serbe”, pra disa fshatra që nuk kanë kurrfarë baze ekonomike janë avancuar në komuna, me kryetar e me administratë. Në këto komuna të kontrolluara nga serbët administrata jeton nga paratë e taksapaguesve të Kosovës, ndërsa të punësuarit valëvisin flamurin e Serbisë dhe ëndërrojnë që një ditë të kthehen si guvernatorë të Kosovës, Velko Odalloviqi e Zoran Angjellkoviqi. Komunë është – për shembull – Kllokoti (brenda komunës së Vitisë), komunë është edhe Ranillugu, edhe Parteshi. Nuk ekziston asnjë logjikë ekonomike për komuna të tilla. Ekziston vetëm “logjika” etnike.

Advertisement

Ndër shqiptarë, ndërkaq, ekziston logjika e bajraktarit: u bënë ata me komunë, pse të mos bëhemi edhe ne komunë. Ka edhe në pjesët e banuara vetëm me shqiptarë komuna që do të mund të bashkoheshin me komuna të tjera dhe kësisoj të kursehej paraja publike. Por, jo, për diçka të tillë nuk mendohet. Duhet të themelohen komuna, pa asnjë nevojë. Kështu digjen para publike, në vend se të investohet në infrastrukturë, objekte shkollore, çerdhe për fëmijë, shëndetësi, mbrojtje ambienti etj.

Në një vend tmerrësisht të pasur si Zvicra prej vitesh ekziston trendi i bashkimit të komunave. Me rënien e numrit të popullsisë në trevat rurale, komunat bashkohen. Mes viteve 2000-2017 numri i komunave në Zvicër ka rënë nga 2899 në 2255. Pra, janë zhdukur 644 komuna. Më radikali ka qenë kantoni malor i Glarusit. I kishte 27 komuna, tani i ka vetëm tri. Njerëzit janë të lumtur, nuk ka ndodhur kiameti. Në vitet e ardhshme planifikohen bashkime të tjera komunash. Sepse qëllimi është të krijohet një administratë efikase dhe kursimtare. Jo administrata që jetojnë si parazitë nga paratë e taksapaguesve.

Rrjedhimisht, kërkesa e kandidates për deputete duhet të refuzohet me vendosmëri. Gabimet që janë bërë në të kaluarën me krijimin e komunave pa asnjë kriter, nuk duhet të përsëriten. Lista Serbe tashmë ka kërkuar që edhe katundi Prilluzhë të bëhet komunë. Këtë kërkesë e ka bërë publikisht Dalibor Jevtiqi, madje në cilësinë e zëvendëskryeministrit, më 2017. Sepse në Kosovë ngaherë është instaluar logjika e të kuptuarit të shtetit si vetëshërbim. Nuk synohet funksionaliteti i shtetit, por dezintegrimi i tij edhe më i madh.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit