minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Ne shqiptarët dhe ‘Patriotizmi i rremë’

0
Ne shqiptarët dhe ‘Patriotizmi i rremë’

Nga Aranit Muraçi

Kohët e fundit patriotizmi i rremë po përhapet kudo dhe po shfaqet si një kërcënim që funksionon kryesisht në shoqëritë e vendeve të prapambetura, të cilat në funksion të tyre kanë ngritur ose iu kanë projektuar të tjerët më të përparuar, jo pa ndonjë qëllim dhe interes të caktuar, institucione kaotike përmes një sistemi të dobët arsimor dhe kulturor.

Në fund të fundit, a është patriotizmi diçka që mund ta identifikojmë aq thjesht?

Problemi është te kufizimi i ndjenjave të tilla që shfaqen në një ditë, siç është Pavarësia,  apo edhe kur ato shfaqen në nivel sipërfaqësor.

Advertisement

Në mënyrë ideale, patriotizmi varet nga puna e secilit për përmirësimin e vendit. Ai kërkon që të jetë një proces i pafund, sa më i drejtë, i cili mund të ngrihet çdo ditë ose kohë, nga e gjithë shoqëria.

Patriotizmi i mirë kërkon medoemos një shoqëri të edukuar po aq mirë. Kërkon sidoemos vëzhgues dhe identifikues të mirë. Nëse puna e mirë nuk vlerësohet, patrioti i mirë nuk ka sesi të identifikohet. Ai i zhgënjyer mund të largohet, pastaj padrejtësisht mund të akuzohet edhe për tradhti.

Të qenit patriot nuk duhet të jetë njësoj si të japësh një deklaratë mode, por më tepër se kaq, është një ndjenjë krenarie për vendin e origjinës, vendin ku ke lindur dhe je rritur.

Askund nuk është e shkruar se patriot duhet të jetë patjetër dikush që vdes, në një betejë.

Advertisement

Aq më pak, nuk mund të jetë as ai që flet vazhdimisht për Heronjtë ose këndon Himnin, apo valëvit më lart flamurin Kombëtar, sidoemos kur nuk është nevoja.

Mund të jetë patriot gjithkush që bën diçka të rëndësishme në punët e tij të përditshme, por, edhe në një mënyrë etike.

Patriotizëm do të thotë të jetosh dhe t’i shërbesh vetes dhe kombit tënd, mbi çdo mundësi dhe në çdo mënyrë të mundshme.

Nuk do të thotë të jetosh duke bërtitur sesa i madh është vendi apo kombi në hapësirën ku ti jeton. As duke sharë fqinjin, rivalin ose atë që ke pranë vetes.

Advertisement

Mund të jesh patriot duke punuar si fermer, çoban, berber, apo duke bërë çdo punë tjetër, kur vendos për të jetuar me dinjitet dhe nder.

Ata që japin kontribut në ekonominë agrare, sidoemos për një vend që nuk prodhon asgjë tjetër veç asaj që siguron nga puna e fermerëve, si shembull, mund të jenë pikërisht ata patriotët më të mirë dhe më të vlefshëm.

Përpjekja e tyre e paçmuar nuk është aspak më e vogël dhe patriotike se e një politikani, deputeti, gjyqtari, prokurori, profesori, mjeku, historiani, shkencëtari etj. Për më tepër, kur profesionin e ushtron mbi një karrierë të dyshimtë dhe të korruptuar, një shoqëri e edukuar mirë e bën dallimin lehtësisht.

Puna e veçantë dhe individuale në mijëra orë, për një studim, një vepër unike, në art, kulturë, shkencë, pse jo edhe në projektim dhe ndërtim të një objekti, rruge, pallati, qyteti mund të jetë gjithashtu një akt vetëmohues që portretizon një ndjenjë të lartë të patriotizmit dhe përkushtimit për veten dhe vendin.

Advertisement

Krenohemi edhe kur besojmë se kemi disa virtyte më të mira se fqinjët, madje edhe se bota perëndimore, si mikpritja, besa, apo përsa i përket respektimit dhe kujdesit për familjen. Por asnjëherë nuk e kemi kuptuar pse ikim vazhdimisht dhe e braktisin në masë At’dheun.

Fjala At’dhe rrjedh për një arsye; nëse si individ, nuk e respekton babain, si mund t’i shërbesh vendit dhe t’a quash po ashtu veten patriot? Nëse nuk jeni i drejtë me të afërmit dhe njerëzit që ju rrethojnë, si mund të jeni një patriot i mirë në një shoqëri më të gjerë se kaq?

Nëse i paragjykon të tjerët, i veçon për dallime krahinore, politike, fetare, sociale, i diferencon, i fyen, dhe beson se je më i mirë pa pasur asnjë të dhënë nga ndonjë garë dhe as ndonjë rezultat, a je njëkohësisht edhe patriot?

Fatkeqësisht, duke u zotuar për besnikëri ndaj vendit, kohët e fundit kjo dukuri për shumë njerëz është bërë më tepër një tendencë shfaqjeje se sa mund të besohet se ekziston ndonjë ndjenjë e vërtetë për ndonjë dashuri të veçantë ndaj Mëmëdheut. Sikur të mund të ndjeheshim ‘patriotë’ çdo ditë dhe kjo ndjenjë të kuptohej dhe vlerësohej siç duhet nga At’dheu, vetëm atëherë patriotizmi mund të ketë vlerë.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit