minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Një ftesë për në feminizmin e ri!

0

Nga Jona Draçini

Para ca ditësh po flisja me një shoqen time. Duke biseduar po më tregonte disa probleme në lidhje me familjarët e saj, veçanarisht me vëllain. Vajza në fjalë është e martuar dhe është rritur në një familje patriarkale, dhe në një zone me mentalitet goxha të mbyllur.

Ca fjalë që më tha më bënë të reflektoj thellë. “Tani ai (vëllai) nuk përzihet më. Ndonjëherë hedh ca fjalë vend e pavend por nuk më përzihet. Unë jam e martuar, jam në shtëpinë time. Kam burrin tani. Tani pyes burrin.” Këta fjalë më bënë të mendoj.

Është e çuditshme se si vajzat në vendin tonë janë rritur me bindjen se do jetë gjithmonë ai “dikushi” që do marrë vendimin për ta, do jetë gjithmonë prezent në jetën e tyre ai “dikushi” që duhet pyetur. Po të reflektojmë thellë do kuptojmë se shumica e vajzave janë rritur me këtë ide.

Advertisement

Në fakt më shumë se ide ka qënë një bindje e thellë. Ata fjalë që më tha mikesha ime i kam dëgjuar edhe nga vajza të tjera. Shumë shpesh kam dëgjuar të thonë prindërit : “Është e martuar tani. Është në shtëpinë e saj. Ne nuk ndërhyjmë.”

Është e vërtetë që këto fjalë i kemi dëgjuar edhe për meshkujt, por për femrat kanë gjithmonë një qasje tjetër, një qasje vendimmarrëse. Realiteti u është servirur vajzave tona bashkë me figuren e një gjykatësi që mban shkopin e tij në dorë dhe merr vendimet finale.

Vetëm me verdiktin e gjykatësit vendoset se si duhet të sillet një vajzë, kur duhet të dalë dhe kur jo, kur është orari për tu kthyer, me kë i lejohet të dalë, si duhet të vishet, kur duhet të martohet etj etj. Në vendin tone ky gjykatës është gjithmonë një mashkull i familjes, ose babai ose vëllai.

Në një shoqëri si e jona ku mashkulli konsiderohet superior ai patjetër do marrë edhe gjithë rolet vendimmarrëse, duke nisur nga familja që është edhe bërthama bazë e një shoqërie. Pas babait ose vëllait kalon çështja tek një gjykatës tjetër që është burri.

Advertisement

Tani është burri ai që duhet pyetur për çdo gjë, ai që merr vendimet finale. Pushteti i gjykatësit të parë ka dalë jashtë funksionit. Ai e ka mbaruar detyrën e tij. Martoi vajzën dhe mbylli dosjen. Shumë mund të thonë që po e bëj shumë dramatike situatën ndërsa unë jam e bindur që ky është realiteti.

Shumë vajza sidomos në zonat rurale jetojnë akoma në këtë gjendje. Madjes ata e pranojnë këtë gjendje dhe i janë mirënjohëse gjykatësit të tyre kur ai mjaftohet me rolin e vendimarrësit dhe nuk i trajton keq. Kjo është e vërteta dhe e vërteta duhet thënë.

Duke legjitimuar rolin vendimmarrës të një mashkulli automatikisht kemi legjitimuar edhe superioritetin e tij. Kur legjitimojmë superioritetin e tij atëherë nuk duhet të habitemi me numrin e madh të femrave të vrara dhe të dhunuara. Babai në shtëpi e shtyp duke vendosur ai për jetën e saj.

I fejuari e dhunon ose e abuzon seksualisht. Babi merr të drejtat ekskluzive mbi jetën e saj. I fejuari vendos t’i marrë mbi trupin e saj. Dikush tjetër vendos t’i hedhë fjalë ndërsa po kalon në rrugë. Roja i shkollës e përdhunon. Secili prej këtyre meshkujve ndjehet superior dhe shpreh superioritetin e tij me veprimet e mësipërme.

Advertisement

Secili merr të drejta eksluzive mbi një qënie tjetër që e konsideron inferiore. Secili merr një vendim. Unë mendoj që raportet familjare mes babait dhe vajzës, motres dhe vëllait ose burrit dhe gruas janë një ndër pasuritë më të mëdha në jetë. Janë të tilla nëse udhëhiqen nga respekti dhe dashuria e ndërsjelltë.

Përkundrazi nëse udhëhiqen nga superioriteti i njërës pale ndaj tjetrës shndërrohen në hiç. Askush s’duhet të ketë rol vendimmarrës ndaj askujt sepse askush nuk është superior ndaj askujt. Kush e mendon veten superior jeton në mjegullen e një psikoze të tmerrshme, jeton në hiç.

Ndjenja e të qënurit superior lind gjithmonë nga një kompleks inferioriteti. Dëshira për superioritet lind nga frika e të qënurit inferior dhe nga nevoja për tu afirmuar tek vetja dhe tek të tjerët. Një njëri me vetëbesim të shëndoshë, një njëri që është i sigurtë për veten e di shumë mire kush është dhe nuk ka nevojë të kërkojë afirmim tek askush.

Ndjehen superior njerëzit e pasigurtë, ata që kanë më shumë frikë. Guximtarët, përkundrazi e ndjejnë vetën si të barabartë mes të barabartëve. Dhe unë dua t’i mendoj baballarët, bashkëshortët dhe vëllezërit shqiptarë si burra guximtarë.

Advertisement

Duke i menduar të tillë i ftoj t’i rrisin vajzat e tyre të afta për të menduar dhe për të marrë vendime vetë. I ftoj t’i rrisin vajzat e tyre të lira. I ftoj t’i mbrojnë vajzat e tyre dhe t’i rrisin të afta për të mbrojtur veten në një të ardhme.

I ftoj t’i thonë “jo” një sistemi që e bën burrin “Zot” dhe femren krejtësisht të paaftë për të vendosur. I ftoj të bëhen burra dhe të shembin një sistem që po vret bijat e tyre. Ju që i shihni femrat si objekte seksuale, bëhuni burra dhe shihini ashtu siç janë në të vërtetë, njerëz si ju. Ju që dhunoni gratë tuaja bëhuni burra dhe mos tregoni forcën fizike me qenie më të dobëta fizikisht.

Ju që nuk mbështesni vajzat tuaja bëhuni burra dhe rrini në krah të atyre vajzave që ndoshta pa e ditur as vetë, shpresën e fundit e mbajnë akoma tek ju.

Bëhuni burra dhe konsiderojeni të barabarta me ju vajzat, gratë dhe motrat tuaja. Bëhuni burra, dhe nëse nuk arrini, nëse nuk mundeni largohuni në heshtje në mënyrë që pasojat e paburrërisë tuaj t’i vuani vetëm ju dhe jo qenie të tjera të pafajshme.

Advertisement

Shpesh feminizmi është keqkuptuar dhe është parë si një lëvizje kundër burrave. Feminizmi ka lindur si një lëvizje e femrave për të kërkuar dhe mbrojtur të drejtat e munguara në shekuj të tërë vetëm sepse dikush dikur vendosi se femrat duhej të ishin inferiore.

Feminizmi në fakt është një lëvizje pro burrave, ose më qartë pro burrave të vërtetë. Feminizmi ka lindur në prani të paburrërisë dhe në mungesë të burrërisë. Sikur bota të kishte burra të vërtetë feminizmi s’do kishte lindur kurrë sepse burrat e vërtetë nuk shkelin të drejtat e askujt.

Prandaj tani e tutje kur të mendojmë për feminizmin le të mos e mendojmë vetëm si një lëvizje që mbron të drejtat e munguara të femrave. Le të mendojmë për një feminizëm të ri, një feminizëm që synon t’i kthejë dinjitetin dhe burrërinë e munguar meshkujve.

Në momentin e parë që do kemi burra me dinjitet s’do kemi nevojë të luftojmë për të drejtat tona. Ata të drejta do të jenë të garantuara.(Dritare.net)

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit