minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Njëherë bashkë, ngahera bashkë

0

Të ikurit që mbeten pranë nesh!

Nga Artan Xh. DUKA Prof. As. Dr.

Koha ndal dhe gjithshka përmbyset kur të dashurit tanë ndahen nga kjo jetë. Mëndja e shpirti trazohen sikur të fundosen në një dimension të huaj e vorbull emocionesh e përjetimesh të pazakonta ku fjala e imagjinata nuk ia dalin dot dhe ajo që ndjehet nga qënia duket e pamundur të thuhet e kuptohet. 2020 na e rikujtoi aq shpesh këtë gjë.

Por ndërsa ndarja me të dashurit e boshllëku i papritur brënda e rrotull ku ngjizen tinëzi dëshpërimi e brenga bëjnë të tyren, ashtu mes mpirjes dhe zymtësisë që pllakos, ndarja struk edhe jetën duke rikujtuar gjithshka të mirë që ajo dhuron. Sa këmbanë dramatike e humbjes ndarja po aq është trumpetë e jetës e madhështisë së saj.

Advertisement

Mes dhimbjes së humbjes, ndarja është himn për jetën dhe dashurinë për ata që mbeten pas. Rikujtesë se të gjithë nuk jemi keq për para e mall që shkojnë e vijnë por për kohën që shkon tutje dhe me të edhe shanset për dashuri e respekt në jetë. Ndarja me të dashurit është shansi sublim që vetë jeta na jep për më tej, një amanet magjik që vetëm ajo arrin ta përcjellë. Apel për t’u bërë bashkë jo vetëm në botën e zhurmshme të të gjallëve por dhe mes saj e botës së heshtur të të ikurve që ajo i ndan dhe i bën bashkë njëkohësisht.

Sa kohë pati dashuri, të ikurit tanë mbeten gjithmonë pranë. Ndarja veçon dhe afron njëkohësisht falë dhuntisë së asaj “shqise” ekstra që ajo çliron me të cilën kuptojmë ku ishte konfuzion më parë, shohim ku nuk dallohej më parë dhe ndjejmë kur nuk prekeshim më parë. Një zhgjëndër e dimension “alien” ku dalim nga vetvetja duke mos e njohur atë, ku të mirëqënat shihen nga e para, ku të “pakuptimtat” e djeshme bëhen domethënëse e plot gjëra të “vyera” nuk emocionojnë më.

Drama e ndarjes zgjon “magjiken” brënda nesh, ndjeshmërinë që sfidon shabllonet e jetës për të komunikuar përtej të zakonshmes edhe me të ikurit tanë. Çdo gjë zë vënd dhe kujtimet, gjërat e lëna pas, rutina e djeshme etj marrin tjetër kuptim. Karrikja, hapat në korridor, stilolapsi dhe shënimi i saponisur, libri i hapur mbi tavolinë, fjala e ëmbël, kapelja e varur… asgjë nuk është si më dikur por sërisht është aty dhe ndryshe nga më parë, nuk moshohet më kurrë.

E përtej kujtimit dhe të paprekshmes që ndarja çliron duke na bërë sërisht bashkë me të dashurit tanë, familja e fëmija janë dimensioni tjetër që na mban bashkë në përjetësi me ta. Dashuria dhe “klonimi” që lë pas brez pas brezi fillin e jetës, gjakun, genin, ndjesitë, zakonet, temperamentin e morinë e të pashpjegueshmeve të shpirtit, që të gjitha bashkë kapërcejnë kufijtë mes dy botëve duke zbehur dhe frikën e vetë ndarjes mes nesh. Jeta vazhdon, edhe pa qënë fetar, teksa familja e fëmija garantojnë përjetësi e afërsi pafund. Përjetësia është thelbi i vetë natyrës dhe ri-mishërimit pafund të kujtdo në të.

Advertisement

Qoftë në dimensionin shpirtëror apo atë biologjik, ndarja nuk është fund por rifillim. Shans për të parë gjërat në tjetër dimension dhe bërë më mirë ato, apel për të kaluar mirë me të gjallët dhe respektuar e nderuar të ikurit trashëgimia e të cilëve mbetet tek e përditshmja e gjithkujt pas. Ndarja ngre një mur por dhe zgjat një urë me të ikurit tanë duke qënë ai dimensioni i munguar që plotëson vetë jetën, guri i fundit në mozaikun solemn të saj që vetëm ndarja e shpalos dhe na mundëson ta vërejmë. Të ikurit mbeten sërisht pranë dhe është ndarja ajo që mundëson që shqisat, mëndja e shpirti të bëhen bashkë në fillin e ri që na përbashkon.

Amaneti që na sjell pranë!

Ca nga mosha, ca nga sëmundja, ca nga e keqja mes nesh, ndarja nuk kursen kënd. Dhe kur ndodh, ndarja bart vërtet solemnitet kur të ikurit vlerësohen e respektohen sa janë gjallë. Duke filluar nga prindërit tanë gojë ëmbël dhe duar artë që dedikuan një jetë për familjen e shoqërinë dhe që kur ikin një ditë, prapë mbeten këtej, sepse e mira që bënë në jetë mbetet në vetë qënien tonë.

Për fat të keq, në 30 vjet demokraci, politika e mbrapshtë volli vrer pafund në emër të antikomunizmit ndaj një brezi të tërë që nën socializëm punoi për shtetin e kombin shqiptar. Një llum absurd që nuk kurseu kënd dhe tentoi të përçajë në emër të ideologjisë një komb të tërë. Kjo nuk duhej të ndodhte dhe ajo mbetet brenga e amaneti i të ikurve tanë.

Advertisement

Askush nuk është i përsosur por prindërit tanë dhanë gjithshka mundën në kontekstin historik. Komunist apo pa parti, punëtor apo drejtues, qytetar apo fshatar, sigurims apo ushtarak, në masë dërmuese kontribuan për forcimin e shtetit shqiptar të mbetur një shekull pas fqinjëve tanë. Besonin tek komunizmi por akoma më shumë tek shteti e kombi shqiptar. Dhe nëse u abuzua, në demokraci nuk futet gjithshka në thes duke etiketuar një brez të tërë. Demokracia është çudibërëse pikërisht sepse gjen tek e shkuara, qoftë monarki apo socializëm, atë fillin që na bën një si komb dhe respekton punën pa dallim.

Mes dhjetra e qindramijrave prindërve të nderuar që kontribuan deri dje dhe nuk janë më sot ishte dhe im atë, inxhinier major Xhemal Duka për ata që e njohën në jetë. Si plot të tjerë kontribuoi në luftë, më pas u diplomua shkëlqyeshëm në Akademinë Navale në Leningrad ku dhe e kërkuan si asistent pedagog por u rikthye për të punuar nga drejtues tek Dega e Teknikës Operative tek Shtëpia me Gjethe (ku bën spektakël dyshja PS-PD ndonse Sigurimi Shtetit ishte domosdoshmëri përballë antishqiptarizmit shekullor) ku kontribuoi për modernizimin e teknikës dhe ngritjen e standarteve profesionale që i kundërviheshin edhe praktikave abuzive të agjenturës të bazuara në llafin e gojës apo presionit nga lart, më pas mësues dhe drejtues në arsim, drejtues i Uzinës Metalike Tirana që nga problem i përvitshëm për dikasterin u shndërrua në fituese flamujsh garash në rang republike etj. Kaloi një pleqëri modeste si shumë bashkëmoshatarë të tij, befasuar nga shpërfillja sistematike e politikës abuzive ndaj punës së brezit të tij por dhe besimplotë se në demokraci e drejta zë vënd gjithmonë.

Të gjithë mund të kenë rezerva për të djeshmen sepse vesi njerëzor hedh tentakulat në çdo sistem dhe ideologjia mund t’a maskojë e inkurajojë atë. Por në demokraci nuk ka bardhë e zi dhe zëmërthyerja nuk ka vënd për dhjetra e qindramijra prindër të mirë që dhanë sa mundën për shtetin e shoqërinë. Shumë prej tyre nuk janë më mes nesh dhe ndarja me ta ende nuk flet pa vlerësuar si duhet kontributin e tyre dhe gjithshka të mirë lanë pas. Të gjithë do të donim një ditë më shumë me të dashurit tanë për të thënë ca gjëra që nuk i zumë në gojë një jetë të tërë por mbi të gjitha peshon amaneti për t’u përmbushur i vlerësimit të punës së një jete të tërë që na bashkon e bën të ndjehemi mirë të gjithë si individ e shoqëri.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit