minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Ogerta, Manastiri ku shqiptarët duhet të ndezin një qiri mirënjohjeje

0
Rama duhet të gjejë “besnikët” e dobishëm, disa nga njerëzit e tij i ndezën qiri djallit

Nga Lorenc Vangjeli

Alfred F. është një qytetar gjerman që ka lindur tek materniteti i vjetër në Tiranë, është rritur tek Brryli dhe ka pothuaj 30 vjet që jeton në Kiel, në skajin më verior të Gjermanisë.

Punon për Deutsche Post, paguan taksa dhe përfiton si individ nga një prej sistemeve shoqërorë nga më të mirët në botë, që ka kultin e individit dhe shenjtërinë e komunitetit. Ai vetë, e shoqja dhe fëmijët e morrën njëri mbas tjetrit Covid-in dhe u vetëkarantinuan në shtëpinë e tyre të madhe me tre kate.

Doktori i familjes i merrte dy herë në ditë në telefon dhe i pyeste për parametrat bazë, oksigjenin dhe temperaturën. Si kurë ju kishte dhënë vetëm Acetamol (një lloj paracetamoli për temperaturën deri në 38 gradë dhe dhembje koke e muskulare) dhe një koktejl vitaminash. Për antibiotikë as që bëhej fjalë, edhe pse pacientët ja kërkonin. Ju refuzoi disa herë vizitën në spital duke e konsideruar si të panevojshme.

Advertisement

Alfred F. dhe familja e tij kishin mundësi të merrnin asistencë për ushqimin dhe pastrimin e shtëpisë së tyre, por shqipot gjermanë e refuzuan këtë shans. Njëri mbas tjetrit ata u negativizuan në harkun e më pak se tre javëve edhe sepse fatmirësisht simptomat e tyre nuk ishin shumë të rënda. Ky është rasti tipik i asaj që ndodh në Gjermani dhe gjithësecili mund ta krahasojë me përvojën e tij shqiptare, ku mungon ndoshta telefonata e mjekut, por jo zelli për të dhënë antibiotik në çdo rast “për të qenë brenda” me pacientin.

Pandemia do të vazhdojë të jetë kryefjalë në këtë vrapim drejt finishit të zgjedhjeve të prillit. Nuk do të bëhet fjalë thjesht për individë që premtojnë trajtim dhe reagim ndryshe ndaj të njëjtës situatë, por për filozofinë e mënyrës së trajtimit dhe reagimit ndaj pandemisë.

Në mandatin e tij të parë Edi Rama e trajtoi shëndetësinë si kalin e betejës, më pas pati një distancim prej saj dhe kur rifilloi t’i dalë sërish nga sondazhet në krye të hierarkisë si prioritet i popullatës, ju rikthye sërish me zell vëmendjes për shëndetësinë. I shëndetshmi nuk e kujton kurrë sëmundjen dhe as qeveritë shqiptare përgjithësisht nuk e kanë parë shëndetësinë si violinë e parë sepse ajo zor se përkthehet në vota në zgjedhje.

Në mentalitetin shqiptar, një rrugë ku ecet shpejt me makinë për qejf, vlen më shumë se një spital ku mund të trokitet për hall. Rama vetë ka rënë shpesh pre’ e kësaj mendësie, deri në momentin që tërmeti në fillim dhe pandemia më pas, i riformatuan mënyrën e qeverisjes. Instikti i tij politik i thotë, se pa asnjë dyshim, shëndetësia dhe përgjigja e shoqërisë shqiptare ndaj saj, do të jetë një nga arsyet kryesore që do të kushtëzojë votën e nesërme. Me dy qasje tërësisht të ndryshme.

Advertisement

E para, ajo e Edi Ramës dhe qeverisjes së tij. Që do të tregojë disa të vërteta të thjeshta që nisin me spitalet anticovid, ilaçet që nuk kanë munguar, trajtimin e diferencuar të mjekëve apo flotën e zgjeruar të ambulancave të 127-ës. Eshtë një nga rastet e rralla kur askush nuk mund t’i përgjigjet Ramës kur ai sfidon të shkuarën e sistemit dhe thotë se Perëndia i ka ruajtur shqiptarët që i “ndëshkoi” me pandemi në kohën e tij dhe jo nën qeverisjen e Doktorit, kur doktorët operonin me bisturi të kohës së miqësisë shqiptaro-kineze. Rama do të deklamojë se asnjëherë më parë mjekët nuk kanë pasur këtë trajtim financiar, këtë piedestalin moral të momentit dhe se së paku, spitalet nuk mbajnë erë qoftësh që piqen e rakije që afrohej po aty.

Qasja e opozitës do të jetë tërësisht negativi i fotos me ngjyra që shkrep qeveria. Ajo do të valëvisë simbolin e Tires dhe atë do t’ja varë zyrës së qeverisë si flamur disfate. Do të flasë për atë kategori mashtruesish të pashpirt dhe keqbërësish penalë që ekzistojnë në çdo kohë, në çdo fytyrë dhe nën çdo qeverisje. Do të flasin për manipulim shifrash me të vdekur, me cilësi shërbimi dhe me gjithfarë cinizmash dramatikë, që kanë qytetari në këtë kohë cinike. Opozita do të vazhdojë të kërkojë liri më të madhe të jetës së përditshme kur shtrëngohen masat e izolimit dhe do të kërkojë shtrëngim më të fortë kur masat liberalizohen.

Do të bëjë ekzaktësisht të kundërtën e asaj që do të vendosë qeveria rast pas rasti. Dhe do të vazhdojë të përdorë lajmërimet e vdekjeve dhe paralajmërimin e kataklizmosë sa herë që merr fytyrën e Doktor Berishës, portretin e Lulzim Bashës apo grintën e Monika Kryemadhit. Madje do të jetë një skaj i pamunguar i segmetit në sherret me policinë gjatë kufizimeve të fushatës elektorale dhe do t’i konsiderojë sherret rast për rast si luftë politike.

Si rregull, sistemi shëndetësor i le të gjithë të pakënaqur. Padyshim që problemet në trajtimin e pandemisë janë të pafundme. Ka pasur dhe ka horra që janë pasuruar dhe kanë shpërdoruar bluzën e bardhë. Ka pasur maskarenj që kanë shfrytëzuar hallin e madh të viktimave, ka pasur shërbim të munguar apo të keq, ka pasur çdo të ligë që mund të krijojë mendja njerëzore, por asgjë prej tyre nuk mund të shmangë të vërtetën e thjeshtë që në Shqipëri po bëhet gjithçka e mundur për të mundur pandeminë.

Advertisement

Në llogari të fundit të gjithë mbeten të pakënaqur nga shëndetësia sepse luftën për jetën e fiton gjithmonë vdekja. Dhe po kështu, si të mos mjaftonte ky mallkim i ciklit të jetës, në jetën reale ekzistojnë edhe “tiret”. Tiret janë krijesë e mentalitetit të djeshëm otoman të shumicës së shqiptarëve që e shohin bakshishin si mjet që e jep hallexhiu dhe si të drejtë natyrore që i përket atij që zgjidh hallet. Tiret janë rrjedhojë e mënyrës së deformuar së ndërtimit të demokracisë së sotme dhe krijesa të defekteve të jashtëzakonshme morale të shoqërisë, të urisë së djeshme dhe ethes së egër të konsumizmit të sotëm.

“…mbas këtij rasti, (Tires), mjekët duhet të ulin kokën se ja keni ngritur shumë dhe kanë marrë hov”, thotë në një emision televiziv një eksponent i opozitës, nga i cili nuk u distancua askush nga krahu i tij. Kriminalizimi i bluzave të bardha është një ves që ka nisur në kohën e Doktor Berishës. Askush nuk e di se cfarë frustrimesh të së shkuarës e kushtëzuan atë sjellje të egër të kardiologut brilant ndaj atyre që i njihte emër për emër dhe që i hidhte si mish helli në cirkun e të pakënaqurve gjatë qeverisjeve të tij.

Edi Rama mund të krenohet me të kundërtën. Së paku kjo qasje frustruese ndaj mjekëve po ndryshon. Dhe kjo edhe falë dy zgjedhjeve që ka bërë, pavarësisht kundërshtive të panumërta ndaj zgjedhjeve të tij. Në fillim me Ilir Beqen, i cili është pjesë e një pakice dëshpëruese që ende prodhon politika në Tiranë dhe të Ogerta Manastirliut, që ka ndikuar në ngjizjen e asaj aleance aq të nevojshme të qeverisë me mjekët. Sepse ministrja Manastirliu ishte nga të parat që kuptoi se kabineti qeveritar dhe eprori i saj kanë nevojë për mjekët dhe jo anasjelltas.

Në fushatë pandemia do të jetë lecka e kuqe tundja e të cilës do t’i bëjë të gjithë dema të tërbuar. Tashmë gjithkush ka së paku një njeri në rrethin familjar të prekur nga Covid-i apo “dëshmor” të pandemisë. Për shkak të lehtësisë së papërballueshme të shqiptarit që e merr me “sportivitet” shkeljen e rregullave elementare të mbrojtjes prej pandemisë, shumëkush ka qenë edhe viktimë, edhe shkaktar i përhapjes së sëmundjes. Në fushatë do të kujtohen të gjitha këto.

Advertisement

Opozita duke mallkuar qeverinë, kurse Edi Rama duke bekuar qeverisjen e tij. E vërteta e vetme dhe mbi të dy palët, do të jetë fakti se shqiptarët do të mbajnë shënim me dëshpërim se edhe kësaj here, ata nuk i bëri bashkë një armik i përbashkët si pandemia, por i ndau edhe më tej interesi. Dhe në fund të fushatës, pavarësisht emrit të fituesit dhe humbësit, me të gjitha gjasat, siç thotë gjermani Alfred F., të gjithë shqiptarët do të duhet të ndezin një qiri mirënjohjeje për Ogertën dhe mjekët e saj.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit