minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Pse Ilir Meta shfaqet gjithmonë në dreka e darka, në pushime e takime, vetëm me meshkuj kokoroçë dhe asnjëherë me ndonjë femër?!

0
Pse Ilir Meta shfaqet gjithmonë në dreka e darka, në pushime e takime, vetëm me meshkuj kokoroçë dhe asnjëherë me ndonjë femër?!

Nga Mustafa Nano

Dua të ndaj një anekdotë nga jeta ime. Dhjetë vjet të shkuara unë u ndodha në një fshat të thellë, të një rrethi në kufi me Tiranën.

Atë ditë, isha i ftuar nga deputeti i zonës, i cili dëshironte që ta shoqëroja, sepse ishte një ngjarje e veçantë: përurohej ndërtimi i një shkolle. Në fakt, kur shkova atje u kapa në befasi.

Prisja të gjeja një godinë të hijshme, të madhe, por ajo ishte një shkollë e vogël, jashtëzakonisht e vogël, gati-gati m’u duk e mjerë. E megjithatë, ky fakt nuk i pengonte ata njerëz t’i gëzoheshin ngjarjes, ta konsideronin si një ngjarje të rëndësishme.

Advertisement

Dhe në fakt ishte e rëndësishme për atë komunitet, sepse ishte shkolla e parë në historinë e atij fshati. Në mungesë të shkollës, fëmijëve të atij fshati u ishte dashur të që çdo ditë, me përjashtim të fundjavave, të bënin më shumë se një orë e gjysmë rrugë në këmbë vajtje, dhe po aq kthim, brenda ditës.

Çfarë sakrifice! Sakrifica të bëra në verë dhe në dimër, në zagushi dhe në ngrica. Sakrificë sublime!

Por nuk është kjo çështja me të cilën dua të merrem sot, por diçka tjetër. Pas përurimit të shkollës, na mbajtën në fshat dhe e pamë veten në një shtëpinë e një familjeje. Ajo ishte një shtëpi e madhe, e sapondërtuar, me një verandë të madhe dhe të bukur.

Në këtë verandë, fal motit që na e dha mundësinë, u ulëm të gjithë. Ishim 30 veta. Na pritën si jo më mirë, siç dinë të presin shqiptarët. Por mua, që në krye të herës më tërhoqi vëmendjen një fakt, një karakteristikë e asaj dreke. Unë uroj që ajo gjë t’i ketë tërhequr vëmendjen edhe dikujt tjetër, por nuk besoj kështu.

Advertisement

Dhe kjo karakteristikë kishte të bënte me faktin se ne ishim 30 vetë, dhe ishim 30 burra. Nuk kishte asnjë grua në tavolinë. Madje jo vetëm në tavolinë, por gjatë tre-katër orëve të asaj dreke, unë nuk pashë grua me sy, nuk pashë asnjë siluetë gruaje.

Ne e dinim shumë mirë që gratë e asaj familjeje ishin aty. Prezenca e tyre ndihej, ato shërbenin, gatuanin, madje i sillnin pjatat deri te dera e verandës dhe aty i merrnin djemtë e familjes. Gratë nuk i nxirrnin as duart përjashta.

Të them të drejtën, u shokova dhe doja t’u thosha atyre njerëzve të mirë, që më kishin hapur derën bashkë me deputetët e të tjerët: “Hej miq, nuk ka pikën e kuptimit kjo sjellje. Nuk ka pikën e kuptimit kjo që po bëjmë. Ato gra që janë brenda shtëpisë – dhe ne të gjithë e dimë që aty ka gra, dhe janë shumë gra që po gatuajnë e na shërbejnë ne – ato duhet të jenë këtu me ne, pasi të mbarojnë punët e tyre, detyrat e tyre,, që i kanë sipas kodeve dhe normave, dhe rregullave të zonës apo të gjithë Shqipërisë. Ato duhet të jenë me ne.”

Por unë nuk ua thashë këtë gjë atyre. Dhe bëra shumë mirë, sepse nëse do të isha shprehur, do t’i lëndoja. Sepse këto janë normat dhe rregullat e asaj bote, të ethosit të asaj bote.

Advertisement

Ata kanë me mijëra vjet që jetojnë me këto rregulla. Dhe nuk ishte e hijshme nga ana ime, që isha veç një mik që kisha bujtur aty, t’u tërhiqja vëmendjen për gjëra të tilla. Dhe bëra shumë mirë që nuk ua thashë. Si unë do të vepronin që të gjithë.

Pyetja është: a është kjo një ngjarje e pazakontë? A është kjo një anekdotë e çuditshme? Absolutisht jo. Shqipëria e këtyre kohërave, e të gjitha kohërave ka qenë dhe është e mbushur me vende, qoshe, cepa, ku mungesa femërore është një normë.

Ka plot nga këto vende e cepa të llojit lokale, bilardo, apo stadiumi i futbollit në Laç, apo stadiume të tjerë ne vende të tjerë, apo shumica e xhamive të Shqipërisë etj, etj, etj.

Nuk është fjala vetëm për periferitë e kombit. Edhe në Tiranë është e njëjta situatë në vende të caktuara. Një situatë e tillë (vini re! Kjo është e rëndësishme, sepse këtu fillon diskutimi im.)

Advertisement

Vihet re edhe në drekat e darkat e presidentit të Republikës së Shqipërisë, në drekat e darkat e Ilir Metës. Nuk e keni vënë re këtë gjë?! Nëse nuk e keni vënë re, nuk ju falet. Sepse vetëm një syri gjinofobik, ose mizogjin, do mund t’i shpëtonin këto situata.

Në fakt, Ilir Metën kudo që ta shohësh, kudo që ai shkon, në Çepan apo Elysee, te Pilo Lala apo te Hotel Plaza, në udhëtimet e tij private apo shtetërore jashtë vendit, mes tifozëve të Celtic-ut apo në zyrat e FRD-së, ai është gjithmonë i rrethuar nga burrat, vetëm burra. Krijohet ideja sikur Presidenca është vatër mizogjine.

Në fakt, unë jam i sigurt që atje ka dhe gra që punojnë. Është e sigurt që ka edhe gra. Por fytyra e Presidencës janë burrat. Burrat dalin në konferenca për shtyp, burrat dalin në studiot televizive, burrat bëjnë pjesë në entourage-in e presidentit, por gratë kurrë.

Gratë e Presidencës janë si gratë e familjes së atij fshatit që unë sapo fola. Gratë shërbejnë, nuk shfaqen.

Advertisement

Secili prej nesh – e kam fjalën për burrat – është ndodhur të paktën një herë në jetën e vet në një situatë të tillë, është ndodhur mes 10, 20 apo 30 burrash dhe ka pirë raki, e birrë, e verë e ka harbuar bashkë me shokët e tij. Është e pashmangshme.

Të gjithë kemi qënë në situata të tilla. Por ai që është aty është presidenti (foto e Ilir Metës në një nga drekat e famshme me meshkuj). Dhe për atë, kjo nuk është një situatë e pazakontë. Nuk është një situatë e paprecedente. Por është një normë, një situatë e rregullt.

Presidenti i Republikës shkon shpesh në dreka e darka të tilla, ku e sheh veten të rrethuar vetëm nga djem kokoroçë, të bërë çakërqejf, të parruar, pa kravata (kjo është pamja e tyre e zakonshme) dhe me gotat e rakisë, birrës a verës në duar.

Në këtë foto, më kanë thënë se numri i personave që janë aty është dymbëdhjetë. Është numër sugjestiv. Dhe presidenti vet trembëdhjetë. Dhe kjo situatë të krijon asociacionin e dymbëdhjetë apostujve dhe të presidentit si Mesia, si Krishti. Ky është thjesht asociacion. Sepse numri dymbëdhjetë është vetëm rastësi, nuk është diçka e kërkuar nga presidenti apo nga personat që janë në dreka a darkë me presidentin. Është thjesht një rastësi.

Advertisement

Por ajo që nuk është rastësi, është fakti që mes tyre nuk ka asnjë grua. Kjo nuk është rastësi.

Unë mendoj që nuk kemi të bëjmë me një qasje gjinofobike vetëm të presidentit Meta. Janë të shumtë politikanët e tjerë, në Tiranë e Prishtinë, që kanë, ekspozojnë apo evidentojnë të njëjtën qasje.

Madje, meqë ra fjala, Albin Kurti është personazhi i momentit, star-i i momentit dhe ai është një personazh gjinofobik. Të paktën kështu është regjistruar në kujtesën time.

Sa herë që bëhen vizita në Tiranë, ai edhe shoqërohet nga burra (nuk e kam parë asnjëherë të shoqërohet nga gra; nga gra që janë pjesë e Vetëvendosjes), por edhe në Tiranë takon burra. Është diçka që të vret syrin. Të paktën, ua vret syrin një pjese të vogël, por të rëndësishme njerëzish në Tiranë.

Advertisement

Këta persona duhet të bëjnë kujdes. Edhe nëse nuk e kanë pjesë të mindset-it të tyre, duhet të bëjnë kujdes që kur ulen në rrethana të tilla, kur shoqërohen vetëm me burra, le të përpiqen, të paktën për sytë e botës, të paktën për të larguar syrin e keq, për t’u mbrojtur edhe vet nga syri i keq, të përpiqen të kenë edhe një grua sa për shenjë në atë mjedis.

E mira do të ishte të kishin më shumë, por të paktën një sa për shenjë. Shpresoj që kësaj këshille t’ia venë veshin.

Për ta mbyllur, sot(dje) ka ditëlindjen presidenti i Republikës. Dhe teksa unë jam duke mbajtur këtë monolog, e teksa ora po shkon 21:10, unë jam i sigurt se presidenti i Republikës është diku, i ulur me një tufë burrash duke festuar ditëlindjen e tij. Jam i sigurt se nuk ka asnjë grua mes tyre, ashtu siç ndodh rëndom.

Jam shume i sigurt dhe e konsideroj një ngjarje të sigurt, ashtu siç konsideroj të sigurt edhe ngjarjen se në 25 prill janë zgjedhjet parlamentare.

Advertisement

Unë shfrytëzoj rastin të uroj “Gëzuar ditëlindjen, z. president! Edhe 100 vite të tjerë!”

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit