minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Relativizimi i së keqes

0

Nga Ilir Yzeiri

Arrestimi i mjekut Prifti dhe dyshimet se ai ka përfituar në mëyrë të paligjshme dhe korruptive, duke u marrë para pacientëve për operacionet që kryente si dhe shuma e madhe a tyre që iu gjet në zyrë dhe në shtëpi, krijoi në opinioni publik një situatë paradoksale. Disa u shprehën se duhet ndalur dora e mallkimit dhe gurët që po hidhen mbi mjekun e talentuar dhe ndonjë tjetër, më naiv akoma, u shpreh se një mjek si ai nuk mund të jetonte me 700 mijë lekë në muaj, duke nënkuptuar me këtë rast se paratë që ai merrte nga pacientët që operonte ishin të ligjshme. Ndërkaq, kolegu im Denis Dyrnjaja ishte më i qartë në analizën e tij dhe e ndante drejt profesionin për të shërbyer nga pasioni për të fituar me çdo kusht e me çdo çmim.

Në disa ligjërime të tjera kamë parë se shumë vetë mendojnë apo arsyetojnë se nuk mbeti korrupsioni te mjekët, se ne kemi politikanë të korruptuar, kemi drejtora policie me vila e me biznese, kemi gjyqtarë, kemi kriminelë që shetisin të lirë apo që dalin nga burgu edhe kur janë të dënuar me burgim të përjetshëm. PO. Të gjitha këto janë të vërteta. Ne jemi një shoqëri në krizë të thellë identiteti. Ne kemi kaluar nga shoqëria e kontrolluar me dorë të hekurt që i priste kokën clitdo që guxonte të abuzonte me pasurinë e përbashkët, në shoqërinë e shthurur ku pasuria e përbashkët shihet si një mall që duhet vjedhur e shpërndarë mes hajdutëve të politikës, mes të fortëve të rrugës, mes atyre që e kanë për detyrë të na ruajnë e mes gjithë atyre që kanë mundësi të fusin duart në këtë pasuri. Lajtmotivi i shqiptarëve në këtë tranzicion të vështirë e të pështirë ka qenë « të bësh lekë ». Ky virus i llhatarshëm e ka shkatërruar këtë vend më shumë se të gjitha viruset e fatkeqësitë që ka kaluar ky vend në këta vjet.

Ne jemi një shoqëri që i kemi rrafshuar vlerat mbi të cilat mbahet në këmbë një komb. Nderi, virtuti, shërbimi dhe ndihma për më të dobtit, vullnetarizmi dhe sakrifica për të dhënë më shumë për komunitetin sesa për veten, nuk njihen më ndër shqiptarë. Vendet ku promovohet apo ku riprodhohet kombi apo populli si masmedia dhe televizioni, përgjithësisht, janë kthyer të gjitha në pasqyra të neveritshme ku promovohet injoranca, të fortët dhe luftëtarët e politikave që synojnë vetëm të marrin pushtet ose të mos dorëzojnë pushtet. Kulmin e promovimit të kotësisë dhe të antivlerave të njerëzve që fitojnë dhe që konsumojnë lekët që nuk dihet si i kanë fituar, por që shfaqen në televizion për të na sfiduar ne të tjerëve duke treguar jetën luksoze, paratë që u falin apo veshjet luksoze që mbajnë, e shënon një emision i pasdites që tani së fundi u kërkon shqiptarëve të gjejnë sesa kokrra fasulesh janë në një enë qelqi. Është vetëm një emision modest te Report Tv – « Pa gjurmë » që tregon një anë të dhimbshme të realiteti shqiptar.

Advertisement

Duke qenë kështu në kaos dhe pa asnjë orientim moral, shqiptarët besojnë dhe janë të ndarë në formacione politike të egra. Shqipëria vërtitet gati si në një luftë pa mbarim mes një pale që është në pushtet dhe një pale tjetër që do të vijë në pushtet. Opozita shqiptare na ka mbushur mendjen të gjithëve se për të qeverisur këtë vend nuk ka asnjë vështirësi, mjaft të marrësh pushtetin dhe pastaj do hedhës para nga qielli. Këtë punë bën Lulëzim Basha nga mëngjesi në darkë.

E vizatuar kështu, Shqipëria duket sikur është pa shpresë dhe mjeku që u arrestua të duket si një gjynahqar që i kanë rënë në qafë kot sepse këtu të gjithë janë hajdutë e të gjithë vjedhin. JO. Nuk është kështu. Më në fund ne kemi një shpresë. Reforma e thellë në drejtësi dhe veprimet që ka ndërmarrë SPAK janë shpresa e madhe se e keqja nuk do të relativizohet më. E kam përsëritur disa herë dhe po e përsërit edhe në këtë rast. Kjo qeveri dhe Edi Rama mund të kenë një mijë e një të zeza, por ama do të mbahen mend si qeveria që ndërmori reformën më të thellë në drejtësi. Sot ne kemi me të vërtetë një sistem drejtësie që po mundohet të këpusë lidhjet me politikën dhe me krimin, sot ne duhet të nxisim e të mbështesim ata prokurorë e gjyqtarë që do të përpiqen të japin drejtësi mbi të gjithë ata që kanë abuzuar në këtë vend. Mjeku Prifti që në një shkrim të tijin që iu botua këto kohë mrekullohej me dhuratën që i bënin në Itali një mjeku pas një operacioni dhe ngrinte zërin ndaj ndalimit të dy kolegëve të tij, më duket se nuk e ka kuptuar ende se çfarë përfaqëson bluza dhe talenti që ai ka. Nëse ka pasion fitimin, nuk e pengon askush të japë dorëheqjen dhe të shkojë në një spital privat e të vërë çmimin e operacionit sa të dëshirojë ai. Nëse ka pranuar të shërbejë në një spital publik duhet të dijë se aty do të operojë edhe njerëz që nuk kanë mundësi t’i dhurojnë atij një « Masserati », por që do të kenë nevojë që ai t’u dhurojë atyre talentin dhe profesionalizmin e tij dhe t’i mbajë në jetë.

Askush nuk do që të dëgjojë e të shohë mjekë që përfundojnë në pranga, sepse ata ashtu si shumë të tjerë, si policët apo punonjësit që gjurmojnë kriminelët – guximtarët e heshtur që nuk i shohim asnjëherë, janë heronjtë tanë. Mirëpo, nëse një mjek harron se pasioni dhe lumturia e tij vjen kur ai shpëton një jetë dhe jo kur i merr lekët apo kur e trajton pacientin si një makinë, atëherë shoqëria ka humbur thelbin e saj, sepse nëse mjeku, gjyqtari, polici, mësuesi, prifti, hoxha, e kthejnë profesionin e tyre në një sistem fitimi të paligjshëm, atëherë atë shoqëri nuk e shpëton dot asnjë Perëndi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit