minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Servet Pëllumbi: A mbetet Marksi alternativë për sot dhe nesër?

0
Servet Pëllumbi: A mbetet Marksi alternativë për sot dhe nesër?

Nga Prof. Servet Pëllumbi*

Antiglobalistët nuk ngurrojnë që këtë lloj globalizmi ta quajnë postkolonializëm pa e ngatërruar me hapjen e shoqërisë, as me tregtinë e lirë dhe as me afrimin dhe miqësinë midis popujve. Ndërkaq “globalizmi i lumtur” doli që të ishte një ëndërr, një utopi e radhës…! Kurse, historikisht njerëzit (fillimisht) besonin se globalizimi, “bërja kozmopolite e prodhimit dhe konsumit të të gjitha kombeve”, do të shpejtonte procesin e barazisë, do të bënte të mundur shpërndarjen e bollëkut ekonomik si në Qendër dhe në Periferi, për pasojë ata do të mund të jetonin në një shoqëri më të mirë, të ndanin sfida dhe mundësi të përbashkëta. Ndodhi e kundërta, pabarazia arriti nivele të frikshme. Një grusht njerëzish, të vetëquajtur globalistë, i shihte vlerat e globalizimit vetëm tek ndryshimi në thellësi i mënyrave të shpërndarjes së pasurisë. Pra, bota nuk u bë më e mirë, më e drejtë e më solidare. Doli të ishte euforik edhe mendimi se në botën globale ndodh afrimi i popujve, formohet dhe implementohet modeli universal ekonomik e social i së ardhmes!

Në mbështetje të idesë, po u referohem dy fakteve konkrete tepër domethënëse. Në vitin 2018, njëqind njerëzit më të pasur në botë (“klasa e vogël e supernjerëzve”), zotëronin më shumë pasuri sesa katër miliardë të tjerë më të varfër. (Yuval Noah Harari – “21 leksionepër shekullin 21”. 2018. Shtëpia botuese Botart). Mark Zukerberg ka nga pas dy miliard përdorues të facebook-ut, pra një të tretën e njerëzimit. Dhe, ai mund të drejtojë relativisht lehtë sjelljen e tyre duke përdorur algoritma dhe sisteme shifrore të monopolizuara. Përveç fitimeve marramëndëse, kjo krijon edhe një tablo krejt tjetër të luftës politike. Një klasë e vogël apo “liderët në hije”, më të fuqishëm nga liderët e politikës, nuk mund të mos kërkonte një rend globalist, një qeveri e parlament botëror, që duhej të ishin në duart e tyre. Logjikë e thjeshtë pushteti, që, e ritheksoj, nuk duhet idendifikuar me digjitalizimin masiv të aktiviteteve ekonomike, financiare, shërbimeve, arsimit, shkencës etj.

Tek e fundit, përsosja e vazhdueshme e teknologjisë së gjurmimit dhe survejimit të njerëzve, ka motivuar futjen e një emërtimi të ri për sistemin e sotëm, termin surveillance capitalism. “Parësia e lartë botërore” e këtij sistemi, po përpiqet që me ndihmën e teknologjisë së gjurmim-survejimit, të zgjidhë në interesin e vet edhe problemin e të zgjedhurve. Po investohet për gaxhete, që “të fortët” të bëhen të padukshëm, të pakapshëm, që t’u lejohet çdo gjë, që as të mos zgjedhin dhe as të zgjidhen realisht. Stratifikim social i frikshëm! Ja dhe përligjja: “Nëse ata do të jenë të hapur e nën vëzhgimin e njerëzve për gjithçka, si do të drejtojnë”? – pyet German Graff, që i zhytur thellë në okultizëm dhe në dialog me “djallin” (Film i tij 12 minutësh “Supernjeriu”), ëndërron ndarjen e shoqërisë në: 1.kastën e “skllevërve të pa arsimuar”, të cilëve nuk duhet t’u jepen dije për t’i manipuluar më lehtë; 2. Kastë e të zgjedhurve, gjenive, supernjerëzve, të lartësuar deri në nivelin e “njerëzve-perëndi”! Këta, si nga Graff, ashtu dhe nga ata që e mbështesin, duhet të rrojnë në një “botë të mbyllur” e të “sigurtë”. Veçse, si nga Graff, ashtu dhe nga ata që e mbështetin, injorohet fakti që në çdo sistem të mbyllur, rritet entropia dhe sistemi fillon kalbëzimin e tij të shpejtë.

Advertisement

Sistemi global i drejtimit, që bazohej mbi liberalizmin dhe demokracinë liberale, mbi tregun botëror, shoqërinë e hapur dhe lëvizjen e gjitha vendeve me shpejtësi të ndryshme drejt një bote të vetme globale, u përbys si linjë, si projekt dhe si praktikë. Pandemia COVID-19 e shndërroi në proces pa kthim! Në rrethana të tilla, faktorë të shumtë, objektivë dhe subjektivë, e bëjnë domosdoshmëri historike riformatimin e botës, përpunimin e projekteve alternative të zhvillimit drejt së ardhmes.

Mirëpo, njerëzimi si komunitet ka përpara katër sfida të mëdha ekzistenciale të së tashmes: luftën bërthamore, kolapsin ekologjik, ndryshimin e klimës dhe sfidën teknologjike, që nuk mund të zgjidhen në kuadrin e një “kapitalizmi digjital”, por vetëm duke u bashkuar e dialoguar paqësisht për shoqërinë solidare si civilizim i së ardhmes.

Situatë e vështirë dhe e rrezikshme kjo, po të mbajmë parasysh, së pari, reagimet e globalistëve, që për të ruajtur sistemin globalist po projektojnë zgjidhje të përbindshme, vendosjen e diktaturës globale satanike, të skllavërisë shifrore dhe të “kampeve shifrore” të përqendrimit si ato që pat propozuar Z. Brzezhinskij; Sëdyti, (hutimin,) drojtjendhe mbylljen e antiglobalistëve, që deri tani kanë debatuar mbi shpejtësinë e lëvizjes, por jo dhe për dejtimin e saj. Shqetësuese është, gjithashtu, se njerëzit nuk janë aq të vetëdijshëm, të përgatitur e të gatshëm për të luftuar e rrezikuar për të ardhmen.

Prandaj, përmbysja e globalizmit si rend botëror, duhet vlerësuar si shans dhe si mundësi reale për të ecur përpara. Edhe pse sistemi botëror do të bëhet më i fragmentarizuar. Detyra tashmë është e shtruar për zgjidhje, duhen ide dhe programe konkrete për botën e re dhe civilizimin e ri njerëzor. Një detyrë e tillë madhore kërkon detyrimisht bashkimin e ideve, vullneteve politike, të djathtë dhe të majtë, kontributet e të gjitha kulturave të popujve, sidomos të intelgjencies. Meriton të vlerësohet maksimalisht fakti, që Covid-19 e bëri më të kapshme idenë, se një armik a rrezik i përbashkët, si dhe një sfidë e përbashkët, janë katalizatori më i fuqishëm për të krijuar një idenditet të përbashkët, një bashkësi popujsh (dhe jo vetëm shtetesh), që nuk e mohon diversitetin si vlerë dhe as nuk dëmton patriotizmin, besnikërinë e njerëzve ndaj kombeve, kulturës dhe traditave të tyre.

Advertisement

Qasje të tilla kërkojnë, më pak fjalë dhe më shumë veprim, që politika në nivel global të marrë dimensione të reja, të sintetizojë në mënyrë urgjente tiparet dhe kërkesat e së ardhmes, duke rishikuar deri dhe struktura organizative me shtrirje ndërkombëtare si OKB, Forume e organizata të shoqërisë civile (që treguan se janë të papërgatitura për të vepruar në situata kritike), konventa dhe traktate ndërkombëtare që koha i ka lënë pas. Ndryshe, nuk mund të menaxhohen sfidat me të cilat po ndeshemi dhe me ato që na presin në çdo hap drejt së ardhmes!

Ndërsa, në nivele e struktura më konkrete kombëtare, sot kërkohen masa që forcojnë rolin socialo-ekonomik të shtetit, sidomos ruajtjen e ekuilibrit midis shtetit dhe legjimitetit me kusht që, së pari, shteti të quhet legjitim vetëm nëse ai do të mund të sigurojë jetën e njerëzve nga rreziqe globale, nga pandemi dhe katastrofa të tjera natyrore; Së dyti, që shteti të tregojë aftësi për organizimin e strukturave politiko-ekonomike në interes të zhvillimit progresiv dhe të mbrojtjes së interesave të veta, pa lakmuar ato të shteteve të tjera; Së treti, që prosperiteti i shteteve dhe i popujve të vazhdojë të jetë fryt i bashkëpunimit, i lëvizjes së lirë të mallrave, kapitaleve dhe njerëzve pa lejuar mbyllje të vendeve në kufijtë nacionalë, shfaqje ekstreme të proteksionizmit, të sanksioneve, manipulimeve valutore, të kufizimit të lëvizjes së lirë dhe të emigracionit etj.; Së katërti, që gjatë epokës postglobaliste, rendi shoqëror i çdo vendi të veçantë të jetë i vetëmjaftueshëm dhe i pavarur për çështjet e prodhimit industrial, sistemit financiar, të sigurimit të produkteve të konsumit për popullin, për potencialet mbrojtëse etj. Në këtë rrafsh, merr prioritet harmonizimi i interesave nacionale dhe private me qëllimet e zhvillimit për një afat të gjatë kohor.

Ndërkaq, situatat e reja që krijoi pandemia COVID-19, pritet të nxjerrin në plan të parë rendin e një pluralizmi ekonomish sovrane, të vetmjaftueshme për një “shoqëri solidare”, q­ë duhet të garantojë sigurinë në raport me produktet, sidomos të produkteve ushqimore. Ekonomitë sovrane nuk duhet të gjenden asnjëherë në një situatë kur popullsia të varet kryesisht nga importi i produkteve ushqimore. Nga një këndvështrim i tillë, kërkohet edhe një kthim në gjirin e natyrës, rritje e kujdesit dhe investimeve për zhvillimin e bujqësisë dhe mbrojtjen e mjedisit, ndryshime drastike për të mënjanuar disa prej pasojave të globalizmit që njëjtësoheshin me progresin. Ndër të tjera u duhet thënë “Jo” hendekut ndarës “Qendër – Periferi”, “Veri-Jugë”, “Jo” tregjeve globale që “mbytin” tregjet lokale dhe rajonale; “Jo” megapoliseve, e ardhmja janë banesat me pak kate dhe jashtë megapoliseve etj. E gjitha kjo duket si një “arkaizim” i jetës, por në të vërtetë është rruga më sigurtë e garantimit të saj përballë rreziqeve globale të tilla si COVID-19 që nuk i duket fundi.

Faktorë të tilllë imponojnë, që civilizimi i së ardhmes pritet të ketë një nivel të lartë humanizmi, socialiteti dhe komunitarizmi. Kjo kërkon një politikë të re aleancash strategjike dhe gjeopolitike pa krijim blloqesh të mbyllura. Kurse për mangësitë dhe dukuritë e shfaqura gjatë pandemisë COVID-19, nuk duhet fajësuar demokracia dhe aq më pak të përdoret si pretekst për të hequr dorë prej saj. Kjo krizë, thuhet në Manifestin e nobelistit Mario Vargas dhe rreth 150 anëtarëve të shquar nga radhët e intelektualëve dhe politikanëve, nuk duhet të përballet duke sakrifikuar të drejtat dhe liritë që kushtojnë shtrenjtë për t’u arritur. Ne hedhim poshtë, vazhdon Manifesti, dilemën e rreme, se gjoja këto rrethana na detyrojnë të zgjedhim midis autaritarizmit dhe pasigurisë, midis veprave filantropike dhe vdekjes” (Gazeta Sot, 27 prill, 2020).

Advertisement

Gjithsesi, mundësitë e realizimit të objektivave të së ardhmes pritet të rriten me shpejtësi. Kështu, distancimi social dhe fizik i tanishëm i diktuar nga pandemia COVID-19, shpresohet që të shndërrohet në më shumë miqësi, respekt e dashuri ndërnjerëzore, në më shumë ndërgjegjësim për fatin e përbashkët në planetin Tokë, në më shumë hapësira për shkencën dhe multikulturalizmin. Mbi të gjitha, si busull orientuese për vlerësimin e sistemeve politike të së ardhmes, duhet të bëhet ligjësia sipas së cilës: Sa më e lartë shkalla e socialitetit e shtetit dhe e shoqërisë (në kushtet e një ekonomie të zhvilluar), aq më e stabilizuar, më e sigurtë dhe më e qëndrueshme, në rrafshin etiko-moral, do të jetë rruga drejt së ardhmes së civilizimit njerëzor.

Prirja dominuese e së ardhmes së afërt dhe premisat bazë të zhvillimit postglobalist të civilizimit njerëzor, lindën që në gjirin e kapitaizmit global. Prona, si faktori kryesor i fitimit kalon pa kthim në të kaluarën. Vendin e riprodhimit të zgjeruar dhe të pronës si burim kryesor fitimi, e zenë spekulimet dhe operacionet financiare, shitblerja e aksioneve dhe e titujve të tjerë të pronës, sidomos pasja akses pa pengesë në bankat qëndrore, buxhetet e shtetit dhe porositë qeveritare. Po kështu, përqendrimi i mjeteve digjitale të prodhimit gjithnjë e më në pak duar, apo në kompani që numërohen me gishtat e dorës dhe që marrin fitime marramendëse duke mos paguar asgjë në këmbim, shoqërohet me ndryshime substanciale.

Gjithsesi, prona private humbet kuptimin e mëparshëm dhe kjo e bën shumë më të lehtë shoqërizimin e mjeteve kryesore të prodhimit, duke i mbyllur rrugën çdo lloj “diktature digjitale”. Pas kësaj, prioritet merr ndryshimi i drejtimitrritjes dhe shpërndarjes së të ardhurave dhe jo shpejtësia e rritjes si qëllim në vetvete. Thënë ndryshe, na pret një botë e re, e cila ka për të pasur pak gjëra të përbashkëta me botën që do të lemë pas! Kjo, mendoj, është arsye e mjaftueshme për të mos pranuar idenë e disa ekonomistëve e politologëve, sipas të cilëve “vendin e kapitalizmit global do ta zerë kapitalizmi digjital” dhe rendi botëror do të vazhdojë riciklimin!

Pra le të jemi edhe më konkretë: një shoqëri e tillë, me një ekonomi të re shkëmbimesh, në të vërtetë, shoqëria që po formësohet, nuk ka arsye as që të quhet edhe më tej kapitalizëm, aq më pak “kapitalizëm digjital”, siç propozohet nga disa ekonomistë dhe sociologë të njohur. Madje, shumë shpejt edhe termi “kapitalizëm” do t’i përkasë historisë, njëlloj siç ndodhi me termin “feudalizëm”. Vendin e sistemit që “i mbaroi koha”, do ta zenë modele të reja ekonomike dhe sociale, të çliruara nga domosdoshmëria e “zhvillimit për hir të zhvillimit”, që realisht rrënoi kapitalizmin e sotëm.

Advertisement

Prandaj, mund të supozohet, se do të jetë relativisht e afërt koha kur faktorët ekzistencialë, të imponojnë realizimin e profecisë së Luis Morganit, sipas të cilit “do të vijë një kohë kur arsyeja e njeriut do të forcohet për të sunduar mbi pasurinë, kur ajo do të caktojë si pozitën e shtetit kundrejt pronës që ai mbron, ashtu dhe kufijtë e të drejtave të pronarëve. Lakmia për pasurinë në vetvete nuk është misioni i fundit i njerëzimit” (Cituar nga libri “Origjina e familjes, pronës private dhe shtetit”.(Marks –Engels,Vepra të zgjedhura vëll. II, f. 347). Dikush e sheh këtë “të ngjashëm me botën fantastike oruelliane”, kurse K. Marksi do ta quante thjesht: ”Një Shoqatë, ku zhvillimi i lirë i secilit, është kusht për zhvillimin e lirë të të gjithëve”. (Marks, Engels.Vepra të zgjedhura. Shtëpia botuese 8 nëntori, 1980. Vëll. I, f. 43).

Mbase, nga një logjikë e ngjashme është nisur edhe historiani i njohur britanik dhe kundështar i marksizmit, A.Toimbi, kur parashikonte, se me kalimin e kohës nga marksizmi do të lindë civilizim i ri! Megjithatë, edhe pse e kam vlerësuar dhe vazhdoj ta vlerësoj K. Marksin si mendimtar, që parashikoi globalizimin dhe krizën globale të kapitalizmit, them se marksizmi, sidomos “doktrina e tij komuniste”, nuk mund të jetë alternativa e kërkuar dhe mundshme për kohën e sotme. Siç dihet, Marksi për gjithçka shpresat i kishte të lidhura me proletariatin, të cilin kapitalizmi e deklasoi dhe e “fshiu” gjatë rrugës së zhvillim-reformimit të vet. Sot vazhdon të ketë të varfër, por jo proletariat si mision dhe koncept politik. Dhe as internacionalizëm proletar! Ndërkaq, nuk mund të mos ruajnë vlerën e tyre: thelbi i kritikës së sistemit shfrytëzues kapitalist, metoda e analizës dhe fryma e humanizmit, që përshkon filozofinë e K. Marksit dhe për të cilat do të ketë nevojë çdo alternative racionale zhvillimi.

Mirëpo, epoka e postglobalizmit, që pritet të ketë edhe tranzicionin e vet, e lë të hapur çështjen e sistemit social-ekonomik të së ardhmes. Kurse ideologjia kërkon të rikonceptohet. Kuptohet, kjo e bën absolutisht të domosdoshme një politikë dialogu, mirëkuptimi dhe aleancash strategjike dhe gjeopolitike pa krijim blloqesh të mbyllura. Zhvillime të tilla duhen konceptuar si lidhje ekonomiko-fianciare që zgjerojnë tregjet në nivelin rajonal.

Kurse, ideologjia e konceptuar si pasqyrim i veçorive historike dhe kulturore të shoqërisë së dhënë, duhet t’i paraprijë civilizimit të së ardhmes. E gjitha kjo meriton të trajtohet si një sintezë racionale e rrugës së përshkruar në funksion të së sotmes dhe së ardhmes, si “antidot” i situatave me rrezikshmëri të lartë si kjo e pandemisë COVID-19. Për më tepër që me mbarimin e karantinës, botës do t’i duhet të mendojë, se ku duhen vendosur kufijtë e privatësisë së njeriut, por pa lejuar moralin e sintetizuar në shprehjet e filozofisë së popullit: “secili për vete” dhe “dy duar për një kokë”!

Advertisement

Mirëpo, zhvillimedhe kërkesa të tilla janë të papranueshme për elitat drejtuese të korporatave transnacionale, të karfosura fort pas egoizmit pa fre dhe strukturave okulte, që përdorin qendra e mjete të fuqishme, shërbime sekrete dhe institute ekzistuese të kapitalizmit global. Preferenca e tyre është strategjia e “drejtimit përmes kaosit”, rrjedhimisht rreziqet globale do të bëhen më të shumta dhe më kërcënuese. Elita të tilla politike, as nga shprehitë, as nga botkuptimi dhe as nga kultura administrative, nuk janë të afta për të kaluar në pozitat e postglobalizmit. Prandaj, e ritheksoj, dalja e thjeshtë nga globalizmi nuk ekziston!

Gjithsesi, mbetet sfidë historike për udhëheqësit botërorë realistë, që të dinë të përballojnë krizat duke ndërtuar të ardhmen!” Dështimi, siç paralajmëron H. Kizinger, mund t’i verë flakën botës”! (Tema”, 5 prill, 2020). Ndërkaq, le të shpresohet se historia mund ta gjejë rrugëdaljen, e cila sot për sot vazhdon të jetë e padukshme. Instrumentet teorike (intelektuale), që siguruan mbijetesën në shekullin e XX, kur ndodhën dy luftra botërore njihen, por nuk mund të veprojnë dhe të jenë adekuate edhe në shek. XXI. Kjo kërkon, si minimum, një brez të ri dijesh e liderësh vizionarë, që duan drejtësinë dhe njerëzimin! Dhe për këtë është jetike që horizontet duhet të jenë të hapura…!

Përfundime

  1. Situata e pandemisë COVD-19, është preludi i një “loje të madhe”, që ka krijuar tronditje tektonike” në botëkuptimin e njerëzve. Para mendimit politik është shtruar dilema: cili do ta luajë rolin kryesor në botën që po vjen, kapitalizmi global si e kemi njohur ne, apo një civilizim me nivel të ri solidariteti dhe humanizmi, që realizon unitetin e lirisë, të drejtës dhe zhvillimit?
  2. Imediate është, gjetja e rrugëve më racionale për përballimin e krizës aktuale dhe arritjen e një niveli optimal mirëkuptimi politik ndërkombëtar, që vendin e sundimit në “lojën e fuqisë” ta zërë bashkëpunimi, vendin e luftës – paqja dhe stabiliteti në funksion të një bote postglobaliste, që ruan vlerat e diversitetit, i hap rrugën vëllazërimit të popujve me identitet, si dhe tejkalimit të përplasjeve mes problemeve globale, rajonale dhe lokale.
  3. Procesi i integrimeve ekonomike dhe politike në epokën postglobaliste, duhet të bazohet maksimalisht mbi parimet e barazisë e leverdisë reciproke dhe të synojë bashkësinë e popujve, ndryshe nuk do të jetë integrim, por nënshtrim i partnerit më të dobët ndaj më të fortit.
  4. E ardhmja e njerëzimit, pavarësisht nga emërtimet e sistemit politiko-shoqëror postglobalist, mund të arrihet vetëm duke e rindërtuar demokracinë mbi bazën e një paradigme adekuate për mijëvjeçarin e tretë. Prej këtej rrjedh kërkesa metodologjike, që secili vend të përpiqet në nivel lokal për tipin dhe nivelin e demokracisë që dëshiron, shoqëruar me ndërrimin e elitave dhe forcimin e rolit social-ekonomik të shtetit.

* Ese e marrë nga libri “Midis realitetit dhe imagjinatës”

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit