
Në gjithë këto vite, e gjithë propaganda e opozitës kundër Edi Ramës, është fokusuar tek nxitja e urrejtjes për këtë të fundit. Mjafton të shohësh gjuhën që përdoret ndaj tij, për të kuptuar këtë gjë.
Basha, Berisha, Monika, mediat pranë PD e LSI, të gjithë kanë në fokus pikërisht figurën e “urryer” të Edi Ramës, i cili vizatohet si djalli që ka mbërthyer për gryke Shqipërinë dhe sapo ai të largohet, Shqipëria do të çlirohet dhe njerëzit më në fund do të jetojnë të lumtur e të qetë.
A thua se para se të vinte Rama, Shqipëria me këta që duan të rikthehen në pushtet, ishte kopështi i Edenit, ku nuk ekzistonte vuajtja dhe që gjarpri Rama i gënjeu e mashtroi shqiptarët, të cilët kafshuan mollën e helmatisur dhe tani veçse zvarriten për të mbijetuar.
Edi Rama, falë edhe arrogancës së tij, natyrisht që e ka nxitur dhe ushqyer këtë urrejtje. “Edhe katër javë, dhe kjo vuajtje e tmerrshme e kjo urrejtje merr fund”, i thoshte një qytetari Lulzim Basha, gjatë një takimi të mbajtur këtë të shtunë në Tiranë.
Dhe pastaj vazhdonte me fjalitë klishe të përdorura në çdo takim, se Shqipëria ka nevojë për ndryshim, se 25 prilli është dita e fitores për shqiptarët, meqë do vijë Basha me Monikën në pushtet, se duhet të bëhemi të gjithë bashkë me 25 prill kundër Edi Ramës etj, etj.
Por a mjafton veç urrejtja ndaj Ramës, që PD e LSI të vijnë në pushtet? Se e marrim të mirëqenë që ai është e keqja e këtij vendi. Cila është ajo alternativë e “dashur”, që të shtynte shqiptarët të votonin kundër të urryerit Edi Rama?
Basha me Kryemadhin, e natyrisht Berisha e Meta pas tyre? Apo Fatmir Mediu, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Shpëtim Idrizi e shokët e tyre?
Natyrisht që përgjigjia dihet, duke qenë se kjo është një tezë e stërkonsumuar, pasi edhe sondazhet e tregojnë qartë këtë, aq sa vetë Lulzim Basha u detyrua të zhdukë nga fushata e saponisur, Sali Berishën e LSI-në.