minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Shkolla e parë kombëtare e Prizrenit

0

Nga Gazmend Shpuza

Përpjekjet për hapjen e shkollave shqipe dhe krijimin e shkollave kombëtare në trevat e Kosovës janë të kahershme, pa dyshim, të njëkohshëm me orvatjet që bëheshin në këtë drjetim në krhainat e tjera të vendit. Nuk është i rastit fakti që qyteti historik i Prizrenit bëhet qendër e këtij veprimi sa atdhetar aq dhe revolucionar.

Mësimi i gjuhës shqipe, në vend të italishtes, në shkollën e Prizrenit, të hapur nga Austro-Hungraria (pranë kishës katolike të këtij qyteti) ka filluar shumë herët nën drejtimin e klerikut atdhetar Ndue Bytyçi. Ky proçes u shtri dhe në shkolla të tjera të këtij lloji të vilajetit të Kosovës si në Gjakovë, Pejë dhe në Janjevë.

Më 1889, para 105 vjetësh drejitmi i shkollës së Prizrenit me përpjekjet e ipeshkevit Ndre Logoreci, u la në duart e të nipit të tij, Mati Logoreci. Ky ishte një hap i madh përpara në rrugën e laicizimit dhe shqiptarizimit të mëtejshëm të kësaj shkolle. Ky sukses qe rrjedhim në radhë të parë i trysnisë që ushtronte popullsia atdhetare dhe arsimdashëse e Kosovës, rezultat i luftës këmbëngulëse për një shkollë kombëtare dhe laike. Këto aspirata kishin parasysh si Vjena ashtu dhe Vatikani, të cilët me qëndrimin e tyre realist lejuan mësimin e gjuhës shqipe në disa prej shkollave të hapura dhe të administruara prej tyre në Shqipëri.

Advertisement

Themi disa sepse numri i shkollave klerikale-fetare ku jepej gjuha shqipe ishte disa herë më i vogël në krahasim me numrin e institucioneve katolike që vepronin në Shqipëri nën mbrojtjen e Perandorisë habsburge. Ky numër arrinte në 220 institucione të këtij lloji.  Në këto kushte bëhet dhe më i dukshëm roli që kanë luajtur klerikët atdhetarë si Ndue Bytyçi, Ndre Logoreci, Pashko Trokthi, e të tjerë në këtë drejtim. Parë me këta sy, duhet thënë, se hapat përpara që bënte mësimi i gjuhës shqipe në shkollat katolike ishte, në radhë të parë vepër e atdhetarëve shqiptarë, klerikë, arsimtarë e të tjerë, të cilët ditën të shfrytëzonin koniukturat e brendshme dhe të jashtme në fushën arsimore.

Me drejtimin që po merrte shkolla e Prizrenit përtrihej dhe përvijohej më tej një traditë e hershme e mësimit të shqipes në këto treva që lidhej me emrin e atdhetarëve si Pjetër Budi e të tjerë, traditë e cila nuk u ndërpre, në të vërtetë, asnjëherë. Nga ana tjetër, këto hapa në fushën e arsimit kombëtar ecnin krahas zhvillimit dhe thellimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Në këtë vazhdë shkolla e Prizrenit përparonte, numri i nxënësve rritej. me gjithë propagandat e huaja përçarëse, shkolla, duke u ngritur mbi ndarjet fetare, filloi të ndiqej dhe nga nxënës myslimanë. Shkrimin dhe këndimin e gjuhës amtare filluan ta mësonin dhe pridnërit e nxënësve. Një mësues i vetëm nuk mund ta përballonte gjithë ngarkesën dhe përkrah Mati Logarecit, në frontin e arsimit kombëtar u rreshtua dhe një mësues tjetër, Lazër Lumezi. Puna arsimore kryhej në kushte shumë të vështira. Abetaret dhe tekstet e tjera kopjoheshin me dorë me një durim dhe kujdes të jashtëzakonshëm dhe me një shkrim  për t’u patur zili. Kjo gjendje vazhdoi deri në fillim të shekullit, kur shkolla u pajis me një poligraf dhe sidomos pas ardhjes së teksteve të hartuar nga Ndre Mjedja e të botuar nga Shoqëria “Dija”.

Puna e mësuesve në shkollë mbikqyrej rreptësisht nga autoritetet osmane. Xhandarmëria lokale bëri objekt ndjekjesh disa shënime të nxënësve, në të cilat bëhej fjalë për luftrat e popullit tonë nën udhëheqjen e Skënderbeut kundër pushtuesve osmanë. Ishte viti 1897. U arrestuan jo vetëm mësuesi i shkollës Mati Logoreci, por dhe mjeku i Bashkisë, Haki efendiu. Situata e krijuar u kapërcye, siç na dëshmon studjuesi më i parë i historikut të kësaj shkolle etnografi i mirënjohur Rrok Zojzi me studimin e tij të mbetur në dorëshkrim “Ma e vjetra shkollë në Prizren”, me ndihmën e Lazër Lumezit dhe prindërve të nxënësve.

Advertisement

Përparimi i shkollës shqipe të Prizrenit po bëhej në një gjendje shumë të ndërlikuar si rrjedhim i mpleksjes së kontradiktave midis fuqive të mëdha në këtë zonë të Ballkanit. Vilajeti Kosovës u bë arenë e rivaliteteve politike nga më të ashprat jo vetëm midis qarqeve shoviniste ballkanike por dhe midis shteteve evropiane. Depërtimi i misioneve fetare franceze deri në Prizren e shqetësoi së tepërmi diplomacinë e Vjenës. Ajo për hir të interesave më të gjëra të perandorisë dualiste, me ndihmën e Vatikanit, arriti në vitin 1892 të largonte nga Prizreni murgeshat franceze dhe në vend të tyre të sillte një mision klerikësh sllavë nga Zagrebi. Për t’iu kundërvënë misioneve katolike rivale në këtë rast atyre franceze, ata futën në shkollën e  vajzave të Prizrenit mësimin e gjuhës serbokroate. Me këtë i hapej rrugë e gjërë përpjekjeve të shovinistëvë serbë për asimilimin, gjegjësisht, për sllavizimin e popullsisë vendase. Ky akt jo rastësisht fillonte me shkollën e vajzave dhe s’ka dyshim që do të shtrihej edhe në institucionet e tjera arsimore e fetare që ishin nën kujdesin e protektoratit fetar austriak në këto treva të Ballkanit. Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk mund të rrinte indiferente përballë synimesh dhe veprimesh të këtij lloji.

Pakënaqësia dhe revolta e banorëve të Prizrenit shpërtheu hapur. Ata bojkotuan shkollën e vajzave të manipuluar nga konsullata austriake dhe misioni fetar katolik sllav, sepse në të mësimi vazhdonte të jepej në gjuhën serbe. Prizrenasit shkuan dhe më tej. Në shenjë solidariteti ata nuk pranuan t’i çonin as djemtë në shkollën e mbajtur prej Austro-Hungarisë edhe pse mësimi këtu vazhdonte të jepej në gjuhën shqipe. Nxënësit, djem dhe vajza, për katër muaj deri në dhjetor të atij viti mbetën pa shkollë.

Në mbylljen e vitit shkollor më 1898 nga 70 nxënës u paraqitën veçse 15 prej tyre. Me mësuesit e shkollës së Prizrenit, me nxënësit dhe prindërit e tyre u bashkuan edhe klerikët atdhetarë Pashko Trokthi dhe Ndue Bytyçi. Për të mposhtur qëndresën e popullsisë së Prizrenit kundër shkollës në gjuhë serbokroate Vjena kërkoi dhe gjeti ndihmën e autoriteteve osmane dhe çuditërisht dhe të Vatikanit. Klerikët atdhetarë, njëri pas tjetrit, u transferuan nga Prizreni dhe u tërhoqën në Vatikan apo u dërguan me punë në vise të tjera. Përkrahësit e shkollës u arrestuan nga autoritetet. Priftërinjtë sllavë dhe të huaj mallkuan mësuesin Mati Logoreci dhe të gjithë banorët katolikë të qytetit. SI përgjigje banorët e qytetit bojkotuan shkollën austriake të mbikqyrur nga kosnullata. Konsulli austro-hungarez në Prizren, siç shkruante Mati Logoreci aso kohe, ndërhynte “në qeveri që të mos varrosen katolikët e mallkuar në qimeterin (varrezën) e përbashkët », por popullsia qëndronte e patundur.

Të gjitha këto masa dhe presione nuk e thyen qëndresën e popullsisë atdhetare të Prizrenit. Përkundrazi ajo shkoi deri atje sa e bojkotoi për dy vjet rresht edhe kishën e qytetit të Prizrenit, e cila, siç duket, kishte kaluar plotësisht nën drejtimin e klerikëve të huaj, kryesisht sllavë. Ky bojkotim gjatë të cilit prizrenasit qëndruan të bashkuar, zgjati plot dy vjet, nga qershori i vitit 1898 deri në qershor të vitit 1900.

Advertisement

Kështu shkolla e djemve në Prizren u nda më dysh, Shkolla e konsullatës, ku megjithëse mësohej shqip, shkonin vetëm 16 fëmijë të nëpunësve të konsullatës, që qenë dhe të vetmit që frekuentonin kishën, me mësues Lazër Lumezin, si dhe “shkolla e popullit, t’atyne pa kishë”, siç shkruante Rrok Zojzi qysh para më se gjysëm shekulli. Kjo shkollë e popullit kishte 60 nxënës dhe drejtohej nga Mati Logoreci.

Prifti sllav, të cilin prizrenasit filluan ta thërrisnin Magaroviç, me gjithë presionet që bëri, nuk mundi t’i bindte banorët që të shkonin në kishë. Ai jo vetëm i kërcënoi por dhe zbatoi kërcënimin e tij që të mos u pagëzonte fëmijët, të mos u vinte kurrorë në kishë çifteve të reja, dhe të mos u përcillte as të vdekurit, sipas riteve të krishtera. Për dy vjet rresht të gjitha këto ceremoni prizrenasit i bënë pa prift. Kur një plakë shumë besimtare para vdekjes kërkoi që ta përcillte prifti, populli e paralajmëroi se po erdhi prifti nuk do të vijmë ne. Atëherë plaka tha: “ma mirë pa prift, se pa popull”.

Vendosmërinë e popullit të Prizrenit, në mbrojtje të gjuhës shqipe nuk mundi ta thyente as inspektimi i kryer në vend me këtë qëllim nga padër Zubaçi, padër Pacifiku dhe nga një prelat i tillë i lartë si emzot Guerini.

Në mbështetje të protestave të Prizrenit u ngritën dhe Peja Shkupi, Janjeva. dhe Gjakova, pa dallim besimi. Shkolla popullore dhe kombëtare e Prizrenit e drejtuar nga Mati Logoreci mbahej me ndihmat materiale e morale të banorëve të qytetit dhe të viseve për rreth, si të krishterë ashtu dhe myslimanë.

Advertisement

Ky proçes i thellë i kombëtarizimit të shkollës së Prizrenit po kryehej jo rastësisht në një kohë kur Kosova po bëhej rishtazi qendër e ngritjes së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në këkrim të autonomisë së Shqipërisë. Sapo qe mbajtur Kuvendi i Pejës në fillim të vitit 1899, për ripërtëritjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të 22 vjetëve më parë. Kuvendi i Dibrës që u mbajt në ato ditë, parashtroi kërkesa të tilla në fushën e arsimit, të cilat synonin të përgjithësonin dhe të legalizonin në shkallë kombëtare të gjitha ato përpjekje që po bëheshin anë e kënd vendit për hapjen e shkollave shqipe, dhe konkretisht atë çka po ndodhte edhe në Prizren në ato ditë me shkollën.

Qëndrimi i vendosur i popullsisë së Prizrenit në mbrojtje të shkollës kombëtare kundër politikës së tërbuar antishqiptare të shovinizmit pansllavist dhe të mbështetësve të saj qofshin këta dhe koniukturorë, vazhdonte të gjente përkrahjen dhe mbështetjen e fuqishme të popullsisë së mbarë Kosovës, (nga Gjakova e deri në Shkup). Mësuesi i shkollës atdhetari Mati Logoreci vlerësonte lart në mënyrë të veçantë mbështetjen me armë në dorë të malësorëve të Gjakovës. Ai shkruante, se “ata nuk janë gjin qi durojnë, pse nër ta luan martina”.

Përballë qëndresë së vendosur e të paepur të popullsisë së Prizrenit në mbrojtje të shkollës shqipe, kundër përpjekjve të qarqeve të caktuara jo vetëm ballkanike por dhe në metropolet evropiane, për sllavizimin e saj, Vjena dhe Vatikani u detyruan të mbanin një qëndrim më realist dhe ta tërhiqnin msionin fetar kroat nga Prizreni dhe t’i kthejnë priftërinjtë shqiptarë atdhetarë me në krye Pashko Trokthin. Kjo qe një fitore shumë e madhe e forcave atdhetare dhe arsimdashëse të Kosovës jo vetëm në fushën arsimore.

Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Pejës, u krijuan rrethana dhe kushte shumë të vështira për shkollën e gjuhën shqipe, të cilat ndiqeshin dhe përndiqeshin tashmë dhe më egërsisht nga autoritete osmane. Në këto situata që bëheshin gjithnjë e më të rënda, atdhetarët vazhdonin përpjekjet për të shfrytëzuar  çdo rast dhe mundësi që u jepej, çdo shteg sado të ngushtë që ekzistonte për të mbajtur në këmbë mësimin e gjuhës shqipe.

Advertisement

Përballë ndjekjeve të ashpra dhe rrezikut të mbylljes së “shkollës së re kombëtare”, siç quhej shkolla e Prizrenit e drejtuar nga Mati Logoreci, atdhetarët të detyruar nga rrethanat dhe të kënaqur në shkallë jo të vogël nga largimi i murgeshave dhe të mësuesve sllavë nga shkolla e vajzave, parapëlqyen bashkimin e saj me shkollën e djemve të hapur dhe të mbajtur nga konsullata austro-hungareze. Matia vazhdoi të shërbente në këtë shkollë deri më 1903, pra afro 14 vjet. Për këtë arsye megjithëse me origjinë shkodrane, ai u quajt “Atdhetari i Kosovës”.

Pas dëbimit të misionit fetar sllav dhe heqjes së mësimit të gjuhës serbokroate nga shkolla a vajzave, ky qëndrim i shërbente si dhe më parë jo vetëm përhapjes së leximit dhe shkrimit të shqipes, por mbi të gjitha i shërbente rikorfimimit të identitetit kombëtar e të karakterit etnik shqiptar të trevave ku zhvilluan veprimtarinë e tyre këto shkolla. Këtë fakt do ta kishin tash e mbrapa më mirë parasysh dhe qendra të tilla politike dhe fetare si Vjena dhe Vatikani. Lufta që zhvilloi Prizreni për shkollën kombëtare shqipe në këto vite kundër synimeve dhe ambicieve shoviniste sllave kishte një rëndësi jetike për fatin e ardhshëm të këtyre anëve.

Shkolla shqipe e Prizrenit nuk duhet parë me sy mospërfillës, siç ka ndodhur në të kaluarën jo të largët. E konsideruar si një shkollë e huaj e hapur dhe e mbajtur nga Austro-Hungaria dhe nga kleri katolik, shkolla e Prizrenit dhe pse e drejtuar nga arsimtarë atdhetarë, me shumë vështirësi mundi të zinte vendin e vet të merituar, midis përpjekjeve të patriotëve për përhapjen e mësimit shqip. Ishte një kohë, kur, duke bërë fjalë për historinë e arsimit kombëtar, rreshtoheshin (jo pa të drejtë) edhe përpjekjet më të vogla për hapjen e shkollave shqipe anë e kënd vendit. Edhe pse përpjekje të tilla nuk arritën të sendërtoheshin për ta gjendej vendi në tablonë historike të arsimit kombëtar. Ndërsa për shkollën e Prizrenit heshtej në vend që ajo të renditej me dinjitet, ashtu siç i takonte, përkrah shkollave të para kombëtare shqipe.

Një qëndrim i tillë mbahej në një kohë kur në shtypin periodik e të përditshëm, qysh në vitet gjashtëdhjetë ishte çarë, si të thuash, akulli dhe kjo shkollë, mund të thuhet, kishte fituar, përkundrejt shumë paragjykimeve, të drejtën e qytetarisë. Megjithatë emri i Mati Logorecit nuk kishte arritur të radhitej deri kah mezi i viteve shtatëdhjetë (megjithëse me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare më 1962 u dekorua nga Prsidiumi i Kuvendit Populor me Urdhërin për « Merita patriotike ») përkrah emrave të atdhetarëve të tjerë të shquar në fushën e përhapjes dhe të konsolidimit të arsimit kombëtar shqiptar. Gjithë kjo, ndodhte në mënyrën më paradoksale me mëtimin, se Mati Logoreci kishte dhënë mësim në një shkollë të mbajtur nga Austro-Hungaria, shkollë e cila i shërbente “depërtimit” të saj “paqësor” në Shqipëri. Për më tepër, ajo vazhdonte të konsiderohej, me që ndodhej nën drejtimin e klerit katolik, si shkollë katolike gati gati fetare.

Advertisement

Koncepte të tilla që venin shenjën e barazimit midis politikës së fuqive të huaja në Shqipëri dhe përpjekjeve të atdhetarëve për shfrytëzimin e çdo mundësie për hapjen dhe mbajtjen e shkollave shqipe pengonin vlerësimin real të këtyre shkollave dhe të mësuesve dhe të klerikëve atdhetarë që punuan me përkushtim në to. Koncepte të tilla tejkalonin dhe vijën e partisë shtet lidhur me trajtimin e politikës së Fuqive të Mëdha apo dhe të Vatikanit në Shqipëri. Një qëndrim i tillë nga historiografia zyrtare e shkollës shqipe mbahej në një kohë kur mësues, veteranë, studjues të historikut të shkollës kombëtare të Prizrenit, si Siri Shapllo dhe ndonjë tjetër, kishin arritur të venin në pah mjaft mirë kontributin e Mati Logorecit, të Pashko Trokthit dhe të shkollës së Prizrenit në tërësi. Për ta bërë të mundur këtë gjë atyre u ishte dashur të kapërcenin mjaft vështirësi.

Qëndrime të tilla të ngushta, me gjithë përpjekjet për një vlerësim sa më të drejtë të kësaj faqeje të historisë së arsimit tonë kombëtar, bënë që të mos merej në konsideratë propozimi i bërë për kremtimin, siç duhej, të 100-vjetorit të shkollës shqipe të Prizrenit. Dhe kjo ngjarje jo e zakonshme, në një kohë kur Kosova përjetonte momente sa të rënda aq dhe vendimtare, po të lëmë në një anë ndonjë artikull përkujtimor, mund të thuhet, se u kalua pothuajse në heshtje. Nuk kaloi  pa kundërshtime edhe përfshirja e zërit kushtuar shkollës së Prizrenit në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”. Për këtë nguli këmë më në fund Akademik prof. dr. Bedri Dedja.

Shkolla shqipe e Prizrenit dhe mësuesit që punuan aty shkruan faqe të lavdishme në historinë e arsimit tonë kombëtar. Kur flasim për mësuesit e kësaj shkolle, nuk kemi parasysh vetëm mësuesit më të parë të saj si Mati Logoreci e Lazër Lumezi por dhe ata që shërbyen më vonë aty si Kolë Kodheli, Kolë Rrota, Ndoc Lezhja, Palokë Traboini, Serafin Mitroviqi, Luigj Kromiqi, Lukë Lukaj dhe të tjerë të pavlerësuar sa duhet deri më sot.

Rëndësia e shkollës së Prizrenit nuk qëndron vetëm në fushën e arsimit. Vepra e mësuesve atdhetarë të saj e mbështetur fuqimisht nga popullsia patriotike dhe arsimdashëse jo vetëm e qytetit por nga mbarë Kosova pa dallim besimi dëshmoi dhe një herë se shkolla shqipe nuk ishte vetëm vatër dije dhe kulture, vatër e rritjes dhe e përforcimit të ndërgjegjes kombëtare të masave të popullit, vatër e bashkimit kombëtar të mbarë shqiptarëve pa dallim besimi. Ajo qe gjithashtu, siç e tregon gjithë jeta e kësaj shkolle, dhe front i avancuar i luftës së popullit tonë për ruajtjen e identitetit kombëtar të etnisë shqiptare në këto treva, të kërcënuar nga lakmitë shoviniste të qarqeve sunduese fqinje të përkrahura nga fuqi të mëdha në një mënyrë apo në një tjetër. Në këtë luftë, duke vënë, si gjithënjë kombësinë mbi ndjenjat fetare, me të cilat kërkonin të manipulonin armiqtë e popullit tonë, popullsia e Prizrenit nuk ngurroi t’i kundërvihej në rrafsh politik dhe kishës të manipuluar nga kleri i huaj antishqiptar. Ndjenjat fetare ajo ia nënshtroi plotësisht për dy vjet rresht interesave kombëtare.

Advertisement

Parë me këtë sy, rëndësia e shkollës shqipe të Prizrenit i tejkalon së tepërmi caqet e historisë së arsimit tonë kombëtar.

Rrugën e shkollës së parë shqipe të Prizrenit e ndoqën shkollat e Pejës, të Gjakovës, Janjevës, Zymit, Ferizajt, Letnicës, Shkupit, Porozhanit etj. Rrugën e mësuesve atdhetarë Mati Logoreci, Shtjefën Gjeçovi, Lazër Lumezi, Ahmet Gashi, Zekerija Rexha e të tjerë e ndoqën me dhjetra e qindra arsimtarë. Për vetë kushtet e krijuara sot shkolla shqipe  në Kosovë po ecën jo vetëm figurativisht por dhe praktikisht në rrugën e ndjekur dikur nga shkolla e Prizrenit në kohën e një sundimi autokrat.

Në këto shkolla u edukuan dhe edukohen, u arsimuan dhe arsimohen luftëtarët e vendosur të pavarësisë së plotë të atdheut dhe të bashkimit kombëtar të shqiptarëve.

  • Kumtesë e mbajtur në sesionin shkencor të organizuar nga Fakulteti Histori-Filologji më 1986, Më gjerësisht shih « Lufta për shkollëm shqipe në Prizren në fund të shekullit të kaluar » botuar në « Revistën pedagogjike », përfshirë edhe në përzgjedhjen « Në vazhdën e gjurmimeve për epokën e Rilindjes Kombëtare », Botimet TOENA, Tiranë 1997, f. 77-91 ; varianti i shkurtuar botuar në përzgjedhjen « Në prag të Pavarësisë », « Eagle Press », Neë York, 1999, f. 7-12.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit