minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Suksese historike të Presidencës gjermane të BE-së

0

Nga Agustin Palokaj

Para një jave titulli i kolumnes sime në “Kohën Ditore” ishte “Dështim frustrues i Presidencës Gjermane të BE-së”. Ta ketë kolumnja e radhës titullin “Suksese historike të Presidencës Gjermane të BE-së” vetëm një javë më vonë, shumë kujt mund t’i duket skizofrenike. Pata disa reagime për tekstin e javës së shkuar. Jo, nuk më kritikuan gjermanët. Nuk janë të njohur si njerëz që u mbetet hatri. Së paku nuk e shprehin. Përkundrazi. Shumë prej atyre që m’u lajmëruan u pajtuan se ai tekst ka qenë një konstatim i drejtë i realitetit. Fundi i fundit, vetë Presidenca Gjermane e BE-së u shpreh e frustruar për faktin se nuk ishin në gjendje të kalonin asnjë vendim të vetëm në Këshillin e BE-së rreth procesit të zgjerimit. Prandaj konstatimi i javës së shkuar për dështimin frustrues të Gjermanisë gjatë kryesimit të saj gjashtëmujor të BE-së mbetet. Sepse vërtet ishte një dështim kolosal. Aq dështim i madh, saqë nxit edhe pyetjen se sa në të vërtetë Gjermania kishte tentuar të ketë sukses për liberalizimin e vizave për Kosovën, miratimin e Kornizës negociuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, miratimin e konkluzioneve të Këshillit për Zgjerim dhe Proces të Stabilizim- Asocimit.

Por kësaj radhe po merremi me një çështje tjetër. Me sfidat e vërteta me të cilat u mor Gjermania gjatë kryesimit të saj me BE-në, sfida nga të cilat varej edhe vetë ekzistenca e Bashkimit Evropian. Dhe këtu Gjermania nuk dështoi, por arriti sukses historik. Gjatë kryesimit gjerman BE-ja miratoi Kornizën shumëvjeçare financiare në vlerë mbi 1000 miliardë euro. Miratoi edhe Fondin për rimëkëmbje nga kriza prej 750 miliardë eurosh. U arrit edhe Marrëveshja me Britaninë e Madhe për raportet pas Brexit-it. Edhe vaksinimi kundër virusit nisi në të gjitha shtetet anëtare. Krejt këto ndodhën në kohën kur në krye të BE-së ishte Gjermania.

Dhe nuk ishte i lehtë suksesi. Me shumë vështirësi në korrik u pajtuan liderët e shteteve anëtare për buxhetin. Sapo u duk si punë e kryer, doli problemi me Parlamentin Evropian, i cili nuk donte të jetë vetëm një institucion që symbyllur vulos vendimet e shteteve anëtare. Parlamenti insistonte që përdorimi i mjeteve nga buxheti i BE-së të lidhej me respektimin e parimit të sundimit të ligjit. Polonia dhe Hungaria e gjetën veten të dyshuara në këtë drejtim dhe bllokuan miratimin e vendimit. Kompromisi u arrit në fund të vitit. Edhe Marrëveshja për Brexit-in u arrti në fund të vitit, madje Natën e Kërshëndellave. Kështu u evitua kaosi nga i cili pasoja do të kishin edhe prodhuesit e veturave gjermane, por edhe miliona njerëz të tjerë dhe biznesmenë, si në Britani ashtu edhe në vendet e BE-së.

Advertisement

Gjermania arriti sukses historik në të gjitha gjërat e rëndësishme për të dhe për BE-në. Kjo do të mbetet edhe një trashëgimi e suksesshme e punës së kancelares Angela Merkel në punën e saj të fundit të rëndësishme në nivelin e BE-së. Pse dështoi në procesin e zgjerimit nuk i prishet gjumi askujt në BE.

Krahasimi i suksesit të Gjermane në prioritetet kryesore me të cilat u përball dhe frustrimi që nuk pati sukses të sigurojë liberalizimin e vizave për Kosovën apo avancimin e procesit të zgjerimit më ngjajnë me një barsoletë që kisha dëgjuar para shumë vjetësh në Kroaci.

Barsoleta shkon kështu: dy njerëz kishin rënë në gjunjë pran njëri-tjetrit në kishë dhe po luteshin me zë të ulët. Njëri ishte një fshatar modest dhe tjetri ishte një biznesmen “i suksesshëm”. Fshatari e luste Zotin që t’i falte një euro për të blerë një birrë. Biznesmeni lutej që të kalonte në doganë pa problem një shleper me mall që importonte nga jashtë (nuk i tregonte Zotit se për çfarë malli ishte fjala). Pas disa minutash, dhe pas përsëritjes së disahershme të lutjes, biznesmeni fut dorën në xhep dhe i nxjerr dhjetë euro, ia jep fshatarit dhe i thotë: “Merri këto dhjetë euro, blije një gajbe birra dhe lëre rehat Zotin e mos e huto derisa ai të merret me shleperin tim!”.

Gjatë Presidencës Gjermane BE-ja ndau disa miliona euro për vendet e Ballkanit. Po ashtu edhe për Kosovën. U kujdes të ndihmonte edhe për përballje me pandeminë. Në disa raste dukej sikur BE-ja dhe Gjermania shqetësoheshin më shumë për qytetarët e Kosovës sesa vetë udhëheqësit e tyre politikë. Se a do të mund të udhëtojë ndonjë fshatar i Kosovës pa viza në BE, a është Goce Delqevi maqedonas apo bullgar (një prej arsyeve pse u bllokuan vendimet e BE-së për zgjerim), a do të miratohet reforma zgjedhore për distriktin e Bërçkos në Bosnje-Hercegovinë dhe si do të funksionojë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, duket se ishte diçka me të cilën Gjermania nuk donte të hutohej shumë në kohën kur i zgjidhte problemet e mëdha për veten dhe Bashkimin Evropian

Advertisement

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit