minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Tri rrugët që po e çojnë opozitën drejt humbjes më 25 prill

0

Nga Alfred Peza

Kur jemi vetëm 16 të diela larg ditës së votimit, ka një paqartësi nga ana e mbështetësve të opozitës, në lidhje me strategjinë e lidershipit të saj për zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare të pranverës.

Një gjë është e sigurtë, se tri rrugët që po ndjekin udhëheqësit e tyre deri tani, po i çojnë drejt humbjes së sigurtë. Këtu mund të gjendet edhe shkaku, se përse ka një mungesë fryme dhe entuziazmi, në radhët e tyre për atë që i pret më 25 prill.

I.Lulzim Basha kishte deklaruar që në pranverën e shkuar, se gjatë gjithë verës 2020 nuk do të bënte fare pushime dhe se deri në fund të gushtit, PD do të kishte jo vetëm listën e kandidatëve të saj për deputetë por edhe programin qeverisës me të cilin do ti kërkonte votën shqiptarëve për të ardhur në pushtet.

Advertisement

Kaloi vera dhe iku vjeshta. Vitin 2020 e lamë pas dhe kalendarit të ri, i kemi hapur tashmë, edhe fletën e parë. Bashkë me ditët, javët, muajt dhe vitin e vjetër, ka nisur që të iki dhe dimri. Ndërsa Lulzim Basha, vazhdon të mos ketë gati ende, asnjërën prej tyre. Listën e kandidatëve për deputetë, nuk e ka ai në dorë, por Sali Berisha i cili ka thënë se do kandidojë ku të dojë dhe këtë do ta deklarojë kur të dojë ai.

Kaq mjafton për të kuptuar se opozita jonë nuk ka as lidership, sepse “de jure” të tjerë janë në krye të saj dhe “de facto”, të tjerë e drejtojnë atë. Nga PD kanë dalë gjatë kësaj kohe edhe nja 3 a 4 parti të reja politike dhe fakt është se opozita, nuk është më e përçarë se kurrë përballë PS dhe Kryeministrit Rama.

Prova është se “Opozita e Bashkuar”, nuk do të dali me një koalicion të vetëm paraelektorale dhe me një listë të përbashkët kandidatësh për deputetë, por me të paktën dy; njëra e udhëhequr nga PD dhe tjetra nga LSI. Përballë një liste të mazhorancës, opozita në totalin e vet do të dali me të paktën tri, a më shumë koalicione zgjedhore. Sa më e copëzuar opozita, aq më pak shanse ka, që ajo të rikthehet në pushtet.

II.Lidershipi i opozitës e ka bërë ves që të sulmojë mazhorancën ose në pikat e saj më të forta, të cilat i japin të majtës identitetin e vet qeverisës, ose përmes kauzash të rreme opozitare. Asnjëherë deri më sot pas 2013, liderët e opozitës nuk kanë patur një kalë beteje të vetin, me të cilin të luftonin pa u ndalur përgjatë këtyre dy mandateve deri në fitore.

Advertisement

Mungesa e identitetit të së djathtës opozitare, vjen nga mungesa e vizionit të lidershipit të saj dhe e forcës së moralit për ti shpjeguar dhe imponuar shoqërisë shqiptare, projektin e vet origjinal qeverisës. Një projeksion që nxit e përhap dalëngadalë frymën e madhe të ndryshimit, e cila arrin kulmin në ditën e zgjedhjeve, përmes ortekut të votave popullore që çon në rrotacionin e pashmangshëm të pushtetit.

E vetmja gjë që kanë bërë këto mbi 7 vjet në opozitë, kanë qenë luftrat fake në “çadra bulevardi”, “revolucionet e molotovëve” dhe deri tek “revolucioni i gurëve” në dhjetorin që sapo lamë pas. E në pushimet ndërmjet tyre, u përfshinë në betejat sportadike propogandistiko- mediatike përmes kauzash të rreme, me çështje ku zhurma për ta është gjithçka dhe qëllimi në fund, asgjë.

III.Ajo që të çudit është se tani janë përfshirë në çështje shumë të rëndësishme, por në mënyrën më të gabuar, në përfundim të të cilave do dalin edhe më të mundur sesa deri më sot. Opozita dhe lidershipi i saj kanë dashur gjithmonë që të përfshihen politikisht, me qëllim përfitimi të pastër elektoral, në beteja si ajo për projektin e rindërtimit të zonave të shkatërrura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe në atë të vaksinës kundër covid-19.

Të sulmosh qeverinë në dy nga pikat e saj më të forta, është një vetëvrasje politike dhe elektorale, të cilën vetëm Lulzim Basha, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi mund ta bëjnë.

Advertisement

E keni vënë re besoj, sesa më shumë e bëjnë aq më i qetë dhe i sigurtë ndihet për fitoren e mandatit të tij të tretë, Edi Rama. Sepse nuk ka gjë më të gabuar në politikë, sesa ta ndërpresësh kundërshtarin tënd, kur është duke gabuar kësisoj si opozita jonë përpara zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Mënyrat për të shkuar tek fitorja janë të pafundme, por ajo asnjëherë nuk ka kaluar nëpër rrugicat qorre si këto, që të bëjnë të humbasësh rrugën përmes pyllit të historisë!

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit