
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, mori vetëm 2 vota pro, 2 kundër dhe 7 abstenime në mbledhjen e fundit, me anëtarët e lëvizjes Vetëvendosje që votuan kundër dhe partitë e tjera shqiptare që abstenuan.
Lëvizja Vetëvendosja ka ngritur shpesh zërin kundër certifikimit të Listës Serbe, pasi sipas tyre kjo parti punon kundër interesave të shtetit të Kosovës.
Vendimi nuk është ende përfundimtar, pasi partia më e madhe e serbëve në Kosovë ka ende mundësinë për të ankimuar në panelin zgjedhor për ankesa dhe parashtresa.
Megjithatë, lënia jashtë zgjedhje e kësaj partie ka nxitur reagime nga Beogradi zyrtar dhe komuniteti ndërkombëtar.
Misioni i OSBE në Prishtinë u shpreh i shqetësuar për polarizimin politik brenda KQZ dhe tha se sjellje të tilla cënojnë paanshmërinë dhe besueshmërinë.
Ambasada amerikane i cilësoi përpjekjet e LVV kundër Listës Serbe si dritëshkurtra dhe përçarëse.
“Veprime të tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, duke përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik“- thuhej në njoftimin e selisë diplomatike.
Reagime të njëjta erdhën nga zyrat e BE dhe Britanisë së Madhe në Prishtinë./vizionplus.tv