
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç u takuan këtë të hënë në Bruksel, por raundi i dytë i dialogut mes tyre nuk solli asgjë të re, vec akuzave të ndërsjellta.
Kurti deklaroi se Vuçiç nuk pranoi një ndër pikat e tij kryesore, atë të marrëveshjes se paqes mes dy vendeve.
“Një takim pa asnjë zhvillim konkret” e cilësoi edhe presidenti serb raundin e ri të bisedimeve.
Por rrugëtimi i dy vendeve drejt Bashkimit Evropian do të mundësohet vetëm nëse dy palët arrijnë në një kompromis, theksoi pas takimit Miroslav Lajcak, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
“Takimi ishte i vështirë, ndërsa u prezantuan dy qëndrime plotësisht të ndryshme nga të dyja palët për të normalizuar marrëdhëniet në rajon. Si pasojë nuk patën shumë progres. Është shumë e rëndësishme të theksojmë se rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian për Serbinë dhe Kosovën varet nga normalizimi i marrëdhenieve në rajon.”
Dy udhëheqësit ranë dakort që në muajin gusht të zhvillohet një takim në nivel teknik, ndërsa në shtator do të realizohet diskutimi i radhës i nivelit të lartë.