Një seancë e Komisionit për Mundësi të Barabarta në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është shndërruar në arenë përplasjesh politike, pasi çështja e përdorimit të gjuhës shqipe nxori në pah tensionet e vazhdueshme mbi barazinë gjuhësore në vend.
Debati shpërtheu gjatë seancës së 13-të, kur deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, refuzoi të lejojë vazhdimin e punimeve për shkak se materialet ishin shpërndarë vetëm në gjuhën maqedonase. Ajo e cilësoi këtë si shkelje të Kushtetutës dhe të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke e quajtur situatën “dhunë psikologjike” dhe diskriminim të hapur ndaj deputetëve shqiptarë.
“Si mund të flasim për barazi dhe strategji kundër diskriminimit, kur vetë po diskriminohemi këtu?” – ishte reagimi i saj, ndërsa bllokoi foltoren dhe ndaloi vijimin e seancës.
Nga ana tjetër, nënkryetarja e komisionit, Vesna Gjorgjieva, e akuzoi Dautin për përpjekje për të fituar pikë politike dhe tentoi të vazhdojë mbledhjen, por pa sukses. Përplasja detyroi ndërprerjen e seancës deri në sigurimin e materialeve në gjuhën shqipe.
Dauti nuk kurseu kritikat as ndaj përfaqësuesve shqiptarë në pushtet. Ajo përmendi ministrin e Politikës Sociale, Fatmir Limani, i cili kishte firmosur dokumentin vetëm në maqedonisht, si dhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, për neglizhencë në zbatimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.
Seanca rifilloi vetëm pasi administrata siguroi dhe shpërndau dokumentet në gjuhën shqipe, por incidenti la pas një debat të fortë politik dhe institucional.
Ngjarja vjen në një klimë të tensionuar, pasi së fundmi studentët shqiptarë të Jurisprudencës kanë protestuar në Shkup duke kërkuar të drejtën për të dhënë provimet në gjuhën amtare. Çështja e gjuhës shqipe vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme në vend, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se po punohet për zgjidhje në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare.
Ky episod tregon se, përtej ligjeve në letër, barazia gjuhësore mbetet ende një sfidë reale në praktikë në Maqedoninë e Veriut.
/vizionplus.tv