Analisti, Adriatik Kelmendi, në një intervistë për Vizion Plus ka folur lidhur me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës si dhe atmosferën politike atje.
Cila është atmosfera politike në Prishtinë?
“Është një ditë e mirë do ta quaja për gazetarinë, ka shumë lajme, por fatkeqësisht shumica e lajmeve janë të këqija. Atmosfera është jo vetëm këtë ditë, por ka disa javë prej se është atmosferë e nderë, ne shohim se është një ballafaqim, ndoshta më i madhi që nga shpallja e pavarësisë prej Prishtinës dhe Bashkësisë Ndërkombëtare, njëkohësisht edhe ndërmjet Kosovës e Serbisë ne kishim një marrëveshje të nënshkruar, por Bashkësia Ndërkombëtare priste që gjërat të shkonin në rrugën e duhur, por morën për keq. Serbia si fillim nuk pranoi se ka marrëveshje edhe pse ishin dakordësuar në Bruksel dhe Brukseli e quante si një marrëveshje të arritur dhe pastaj vazhdoi të shkelte edhe pikat që përfshiheshin edhe në marrëveshjen e Brukselit si dhe planin e zbatimit që u arrit pas disa ditësh në Ohër. Nga ana tjetër, Kosova i kishte shtyrë njëherë zgjedhjet në komunat në veri të vendit, pastaj vendosi t’i mbajë ato, kishte dhe mbështetje nga vendet e QUINT-it për një proces të qetë dhe të rregullt, por siç e dimë nuk kishte pjesëmarrje të serbëve me urdhër të Vuçiç dhe përfunduam me kryetarë të cilët janë të etnisë shqiptare, por me një legjitimitet të kontestuar”, tha ai.
Si mendon sipas këtyre zhvillimeve, cila është situata për Kurtin, a është ai më i fortë apo është lëkundur në opinionin publik?
“Siç shihet në rrjetet sociale, aty ku shpërthejnë emocionet ekstreme, duket se ka një përkrahje, për shkak se këto janë situata që ngjeshin emocionet e populizmit. Nga ana tjetër, të gjithë ata që kanë diçka për të thënë për politikën në këto dekadat e fundit në Kosovë e rajon janë të brengosur, për shkak se Kosova sot duket se ka mbetur fare pa aleatë”, tha ai duke kujtuar dhe anulimin ndërqeveritar mes Kosovës e Shqipërisë.
Orët e fundit përflitet se ka një ndryshim qëndrimesh mes Kurtit dhe Osmanit, nisur nga fjala e kësaj të fundit në PE, që një vend nuk mund të qëndrojë pa miq. A është ky një spekulim apo qëndron?
“Hatërmbetja e bashkësisë ndërkombëtare, zyrtarëve të SHBA dhe BE, është drejtuar drejt kryeministrit Kurti. Ata kanë qenë të kujdesshëm e madje të thonë se nuk e kanë qasjen ndaj presidentes Osmani edhe pse deklarata se ne jemi me miq e me partnerët ndërkombëtarë e dëgjojmë dhe nga Kurti, pastaj veprimet në terren duket se nuk kanë qenë të kordinuara ndërmjet qeverisë së tij dhe BE. Presidentja ka qenë e heshtur dhe e përheshtur, mund të themi se ajo në situata të tilla do duhej të ishte më aktive deh jo vetëm këtë zell të jap deklarata si këto të tilla që janë të mirëpritura në institucionet ndërkombëtare, por dhe më aktive në punët e udhëheqjes së shtetit”, shton ai.