Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, bëri thirrje për shtensionim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, teksa u shpreh i gatshëm për takimin e kërkuar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, disa ditë më parë.
JENS STOLTENBERG
SEKRETAR I PERGJITHSHEM I NATO
Advertisement
“Jam në kontakt të vazhdueshëm me Vuçiç dhe patjetër që jam i gatshëm të takohem. Jemi të shqetësuar për rritjen e tensioneve në Kosovë dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shtensionojnë situatën dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të përshkallëzojë më tej situatën në rajon”
Duke folur në konferencën për media para fillimit të samitit të NATO-s në Vilnius të Lituanisë, Stoltenberg përsëriti se Aleanca është në Kosovë, për të garantuar siguri dhe stabilitet në rajon.
“NATO është aty për të garantuar siguri dhe stabilitet për popullin e Kosovës. Ne e zbatojmë mandatin tonë në mënyrë të paanshme. E shtuam praninë tonë për shkak të destabilitetit, dhunës dhe tensioneve që kemi parë për disa javë”
Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, NATO ka angazhuar edhe 700 trupa shtesë. Megjithë tensionet e muajve të fundit, çështja mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë temë diskutimi në samitin e aleancës veriatlantike.