
Familja e studentes shqiptare, Iftigjeni Mitska, kërkon që drejtësia të ndëshkojë përgjegjësit që shkaktuan vdekjen e vajzës së tyre. Avokati i familjes për mediat greke shprehet se mes dhimbjes dhe pikëllimit, familjarët e 23-vjeçares gjejnë ngushëllim tek shpresa për drejtësi.
“Kërkesa reale e familjes është që drejtësia të lihet e pandikuar për të bërë punën e saj si duhet. Le ta lëmë të bëjë punën e saj, të caktohen shpejt përgjegjësitë dhe të mblidhen provat ”, theksoi ai.
Advertisement
Ai shtoi se familja është e tronditur nga ngjarja e rëndë dhe bën apel që askush të mos i shpëtojë përgjegjësisë për përplasjen e trenave.
“Familja është e tronditur dhe në të njëjtën kohë shumë e zemëruar. Familja kërkon nga shteti që të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe askush të mos u shpëtojë përgjegjësive”, shtoi ai.
Avokati i familjes së 23-vjeçares shqiptare deklaroi se po mbledh prova që do t’i shërbejnë hetimit.
“Brenda ditëve në vijim do të kemi dosjen e lëndës. Ne do të marrim masa kundër komandantit të stacionit dhe ndaj çdo përgjegjësi”, deklaroi ai.
Aksidenti fatal në Larisa la të vdekur 6 shtetas shqiptarë teksa në total u shënuan 57 viktima.