minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Deputetët e rinj, modele profesionale në qasje e larg gjuhës së konfliktit, shpresë për një erë të re komunikimi

0
Deputetët e rinj, modele profesionale në qasje e larg gjuhës së konfliktit, shpresë për një erë të re komunikimi

Shumë nga deputetët e rinj të këtij parlamenti shihen deri më tani si një qasje e modelit profesional, larg gjuhës konfliktuale , duke dhënë shpresë për një erë të re komunikimi  dhe debati konstruktiv.

Nuk ishin të paktë deputetët socialistë që dje u tërhoqën nga agjenda e fjalimeve, me qëllimin e mirë, për t’i lënë kohë e mundësi kolegëve të opozitës për t’u shprehur dhe mesa duket për mos të vonuar  asnjë sekondë më shumë, votimin e kabinetit të ri të qeverisë Rama 3. Ndër ta edhe Bllako që sheh si prioritet të këtij mandati ekonominë gjithëpërfshirëse dhe mbi të gjitha tu ofrohet shqiptarëve ajo çka ata presin; nevojën e bashkëpunimit mes palësh, prodhuar nga debati i shëndetshëm.

Alqi Bllako hyn në parlament si deputet i PS, Qarku Tiranë ku garoi për këtë mandat në Njësinë 1, Tiranë, ku vota për PS pati një rezultat historik në këtë njësi. Bllako në një intervistë të pak ditëve më parë i ka mëshuar bashkëpunimit me opozitën si nevojë e domosdoshmëri, duke theksuar se ndër kolegët opozitarë ka profesionistë,  çka shihet si qasje kyçe dhe fjalimin e munguar të seancës pleanare të djeshme

 *Fjala e plotë e deputetit Alqi Bllako, Partia Socialiste përgatitur për seancën e parlmentare 16/09, publikuar sot në faqen e tij të Facebook.

Advertisement

 Jemi në fillim të një mandati më së paku historik, jo vetëm në raport me mundësitë e zhvillimit para nesh, por më së shumti në raport me shansin për t‘i dhënë njëri-tjetrit besim; duke bërë ç‘është e mundur që përtej interesit ngushtësisht partiak të vendosim interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Në një kohë fare të shkurtër na u desh të përballeshim bashkarisht, si Shqiptarë, me dy goditje që do të kishin gjunjëzuar këdo dhe pavarësisht ndasive që ne kemi sa i përket mënyrës së menaxhimit, askush s’mund ta mohojë solidaritetin mes shqiptarëve që shfaqet fort sa herë kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe është padiskutim ky solidaritet që nevojitet në këtë sallë; pasi sado ta mohojmë të fshihemi apo shmangemi, ne kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe vendi ka nevojë që ne të bashkëpunojmë.

Për çudinë time dhe mbase të shumëkujt fjala bashkëpunim ka marrë së fundmi një ngarkesë negative që zor se mund ta hasësh tjetërkund, duke ndërtuar një korrelacion të drejtpërdrejtë midis bashkëpunimit dhe pazarit. Sigurisht që ky përkthim i fjalës bashkëpunim nuk do të ishte në të mirë të askujt dhe nuk do të prodhonte asnjë vlerë të shtuar.

Të bashkëpunosh apo të merresh vesh, do të thotë më së pari të debatosh. Të debatosh mbi alternativa zhvillimi që padiskutim mund të jenë asimetrike, por që mund të mbartin brenda vetes ide të cilat integrohen fare mire.

Advertisement

5 parimet mbi të cilat është ndërtuar programi qeverisës i Partisë Socialiste janë besoj të gjithëpranuara, ndërkohë që ajo çka mund të na ndajë në ide duke nxitur një debat të shëndetshëm dhe konstruktiv është rruga se si mund t’i jetësojmë këto parime. Një rrugë kjo me shumë degëzime dhe pa një të vërtetë absolute, ndaj kemi shansin t’ju japim shqiptarëve mundësinë të na gjykojnë jo mbi sharjet e fyerjet, por mbi argumentat se cili degëzim ofron zhvillim me gjithëpërfshirës dhe është i duhuri për t’u ndjekur.

Prej vitesh tashmë në këtë sallë zhvillohet intensivisht një debat më së shumti retorik, sa i përket mbështetjes së një sistemi taksimi progresiv apo të sheshtë për tatimin mbi të ardhurat personale, duke e kthyer këtë debat në çështje morali dhe etike njerëzore, si dhe duke harruar në pothuajse çdo rast aspektin ekonomik mbështetur në të dhëna empirike.

Ne, si shumë vende të tjera kemi patur mundësinë t’i testojmë të dyja këto sisteme, ndaj dhe ka pafund të dhëna empirike, të cilat për fatin tonë të mirë nuk dinë të gënjejnë, dhe që dëshmojnë qartazi për një efekt më pozitiv dhe shumë më pak shtrëmbërues në raport me zhvillimin e sistemit progresiv. Kjo sigurisht nuk vjen nga një dëshirë e pallogjikshme për të ndëshkuar suksesin, apo ata që fitojnë më shumë, por si shumë teori të mirëkonsoliduara ekonomike e shpjegojnë fare qartë; kjo lidhet me maksimizimin e përfitimit të njëkohshëm të të dyja grupeve, ata që fitojnë më pak dhe ata që kanë të ardhura më të larta, nën një rregjim progresiv. Mund të tingëllojë utopike, por është empirikisht e provuar që përfitimi agregat i atij që fiton më shumë maksimizohet, nëse ai që fiton më pak paguan më pak.

Sigurisht, që këtu ka ende shumë vend për debat sa i përket shkallës së progresivitetit, pasi në këtë rast nuk ka një formulë magjike për të përcaktuar një nivel optima,  ndaj dhe çdo shkëmbim idesh apo analizash me kolegët e opozitës do të ndihmonte realisht proçesin e optimizimit.  Ky është bashkëpunimi që shqiptarët presin, dhe jo pazari që artikulohet pa bazë.

Advertisement

Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet me raportin më të ulët, sa i përket totalit të të ardhurave nga tatim-taskat në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, por kemi ende shumë hapësirë të debatojmë me njëri-tjetrin mbi llojin apo nivelin e tatimit në mënyrë që të maksimizojmë impaktin e politikës fiskale në zhvillim dhe minimizojmë shtrembërimet që çdo taskë në vetvete shkakton.

Ne i kemi sot të gjitha mundësitë, që falë mbështetjes së duhur të sektorëve strategjikë të garantojmë jo vetëm një rritje ekonomike të qëndrueshme, por ajo që ka më shumë rëndësi të garantojmë një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse, ku të gjitha fashat e shoqërisë të përfitojnë në mënyrë të njëtrajtshme duke bërë të mundur që hendeku midis atyre që fitojnë më shumë dhe atyre që fitojnë më pak të ngushtohet.

Ndaj dhe fokusi i këtij programi qeverisës është më së shumti në ato sektorë, që janë tashmë motorri i zhvillimit ekonomik të vendit dhe kanë të gjithë potencialin të na shndërrojnë në një vend eksportues neto duke garantuar rritje të punësimit të mirëpaguar dhe rrjedhimisht rritje të mirëqënies së përgjithshme.

Bujqësia, Turizmi, Manifaktura, Ekonomia Dixhitale dhe Energjia janë shtyllat mbi të cilat bashkarisht do të ndërtojmë ekonominë e së ardhmes. Pa dashur të bie në përsëritjen e mbështetjes së drejtpërdrejtë, që qeveria ka planifikuar për këta sektorë si dhe të gjithë investimet në infrastrukturën e nevojshme mbështetëse qoftë rrugore, ajrore, hekurudhore apo detare, ne si ligjvënës kemi misionin e rëndësishëm që falë një debati cilësor të ndikojmë për t’i përshpejtuar këto proçese zhvillimore.

Advertisement

Por mbi të gjitha unë Uroj dhe dëshiroj fort, që ne sot të jemi shembulli për ata mijëra të rinj, që me gjasa kureshtarë po na përcjellin apo dëgjojnë nga ekranët e tyre të lëvizshëm. Që ne sot t’i frymëzojmë këta mijëra të rinj të besojnë; se falë punës, përkushtimit dhe padiskutim falë talentit të tyre Shqipëria është vendi ku ata duhet të projektojnë e ndërtojnë të ardhmen e tyre.

I uroj suksese në këtë mandat të ri, Kryeministrit Rama dhe kabinetit të ri qeveritar.

Ju faleminderit!

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit