minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

“E ç’kuptim do ketë jeta/ Pa nxjerrë katërqind dekreta”: U japim një dorë këngëve për prijësat

0

Nga Pëllumb Kulla

Po trokasin ngjarje të mëdha. Do të jenë muaj të mbarsur me përplasje, grindje dhe brohorima.

Nuk kemi punë me grindjet ne, qejflinjtë e këngëve popullore. Ne jemi në shërbim të harèsë. Është stina e pjellorisë më të bollshme të artit popullor, të rapsodëve, të instrumentistëve popullorë, nga Preveza në Mitrovicë.

Pardje dëgjova një këngë të re me çifteli për Lulzim Bashën.

Advertisement

Nuk mbaj mend se ç’thuhej por këngëtari kish zë të mprehtë, jehonin malet dhe mua tani më vijnë në mend vetëm fjalët që rimonin me të. Ishin me dhjetra: Basha, masha, hasha, të trasha …

Thonë që janë më të bukura këngët për Ramën.

Edhe për Ramën, o burra?!!! Besohet se rimat për këtë, duhet të kenë qenë më tingëlluese: xhama, flama, kallama, bërthama, Obama…

Dhe këta dy krerë të politikës i mirëpresin. Pa dyshim. Ku ka gjë më të bukur se sa kur populli të këndon që më të gjallë! Unë për vete e kam ëndër të dëgjoj mes kërnetave një këngë për mua, sidoqë të jetë ajo, përshembull: “O Filan, o burrë i vjetër/Kur hesht, na pëlqen më tepër.”

Advertisement

Më vrafshin mua, po gjete një popull më prodhimtar për këngë udhëheqësash. Kemi traditë, ne. Çiftelitë dhe gajdet tona u kanë kënduar aq sa prijësve tanë, po aq edhe miqve të shquar, Titos, Stalinit, Maos, Ho Shi Minit, Bushit, Berluskonit… Krijimtaria popullore e viseve tona është e begatë.

Ka zëra, se këto ditë janë porositur këngë për sejcilin nga deputetët, për kryetarët e bashkive, ministrat dhe ministreshat. Do të ketë këngë dhe për ambasadorët që kalojnë shkarazi mbi këto troje, do të ketë për kryetarë shtetesh, Merkelin, Makronin, Erdoganin…

Kanë mbetur përgjysmë këngë për këta italianët, që vijnë në krye të qeverisë dhe bien prapë, pa mbaruar rapsodi i shkretë as strofën e parë!

Po vëmendja kryesore do të jetë për të këtushmit, për Presidentin, për Teatrin që u prish dhe për atë që do të ngrihet, për Opozitën që doli nga parlamenti dhe për atë që hyri… Për Covidin, dymbëdhjetë miljet e Greqisë… Po të kërkosh gjen këngë për SPAK-un dhe për këstin e tretë të të përndjekurve…

Advertisement

Sa mirë! Folklorit tonë i zgjerohet fjalori. Ai po zbraz hambarët e mbushur me turqizma dhe i mbush me të bukurat terma euroamerikane, diplomatike dhe juridike. Tani nëpër këngë gjen: konsensus, elektorat, supermarket, korrupsion…

“Po sodis-o prej ballkonit/ veturat e korrupsionit”

Nuk ka më vjetërsira, si, sebep, vatan, derman, sevda! Epërsi kanë fjalët e reja që shndrisin nga shkenca dhe oksidentalizmi, si bekgraund, metastaza, dializa, koalicione, fejsbuku…

“Ja seç thotë ai farë kopuku/ drejtpërdrejt-o nga fejsbuku!”…

Advertisement

Po ngrohen kërnetat, po temperohen çiftelitë, po fryhen gajdet dhe tërhiqen lëkurat e dajreve.

Poetëve popullorë u del gjumi natën. Ata zgjasin krahët e çveshur mbi komodina dhe zhgaravisn vargjet që u jep muza. Nxitojnë, se mos harrojnë.

Ja, tamam për këtë, unë kam punuar një çikë e nga një çikë dhe kam përgatitur për botim këtë Fjalor të Rimave Poetolitike (FRP), për rapsodët, një fjalor që ka munguar tërë jetën, qyshkur lindën vargjet e para të poezisë popullore. Por, sot, rimat… Rimat, thashë, jo vrimat!

Ato, rimat, duhen më shumë se në çdo periudhë të lumtur të historisë së popullit tonë. Shumë parti, e shumë udhëheqësa! Dhe asëll-asëll, pas përmbysjes së komunizmit, ai i himnizimit të politikanëve është i vetmi sektor që ka prodhim të begatë. Nuk kanë ecur as sektori i minierave, as i naftës, as sektori i bujqësisë. E vetmja fushë ku nderohemi, ja, kjo e këngëve për prijësat!

Advertisement

E deri sa të botohet fjalori, e meqë do ketë gjithmonë një palë zgjedhje përpara, unë po jap si paradhënie rimat më kryesore, ato më të ngutshmet, që u duhen rapsodëve. U nevojiten atyre, siç u nevojitet oksigjeni të sëmurëve! Le të jehojnë këngët! Le të jehojnë sot ndër pllaja e lugina të viseve arbërore…

Hapim fjalorin dhe lexojmë:

Për Rama: Fama, piskama, panorama, bërthama, harama… (Le librin mënjanë). Ja, të sajojmë dy tri vargje: “Tunjatjeta Edi Rama,/ Kot rri veshur me pizhama./ Mos përto e mos kij zor/ Rregullo Kodin Zgjedhor!”

Për Meta: Paketa, kuleta, njatjeta, stafeta, vërteta, videokaseta… Pas asaj që këndohet nga Skrapari, “Kush i qan hallet e mia/ Ilir Meta, LSI-ja…” mund të këndohet “E ç’kuptim do ketë jeta/ Pa nxjerrë katërqind dekreta/ Na hyri si pykë Venecja/ Pa s’do ndalja, nuk do ngecja…

Advertisement

Për Gramozin: Bajlozi, tetanozi, rrogozi…Qenë votat e Patozit / Që i dhanë zemër Gramozit. /Zu kryet e parlamentit/ U bë njeriu i momentit. /Zoti Ruçi burri i fjalës/ Ia preu mikrofonin Salës./ Boll foli tridhjetë vjet./ Foli sa për treqint vjet!

Kaq, hëpërhë, nga unë… Ishte një reklamë e shkurtër për fjalorin që po del së afërmi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit