
Nga Mitro Çela
Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës na dërgoi ftesa: Filipit, Koços dhe mua.
“Ju pres ne Gjirokastër. Kemi festival…”
Hipëm në makinë. Filipi përpara. Ne mbrapa. Kur Filipi po dremiste, i them Koços.
-Dua të të tregoj një esse me humor…
-Ti e ke thënë vetë: Veshi i majtë më ka lënë shëndenë. Sipas ligjeve të perëndisë: kush nuk dëgjon: bërtet. Jo për gjë, por do zgjosh Filipin.
-Ok! Dikur, para Ezmerkës, më pëlqente një bionde. E gjatë. Me kaçurele. Me sy blu.
Në atë mot, isha memec . Goja më ka ardhur tani-vonë!
Bëra ca dredha dhe takova çupën:
Unë:- Të kam parë në ënderr!
Ajo:-Ishalla nuk më ke parë lakuriq! E kam për keq!
Unë:-Çneeee! Të kam parë me golf!
…Debil!…
-Biri im! Humori do fakte të vërteta. Kur i sajon, bëhet përrallë!- Tha Koçoja.-
-Pse?
-Ti thua para Ezmerkës. Me llogari ëndrrën me sy hapur, e ke parë para viteve ‘80-të. Në atë mot punoje në “ZP”. E kishe të ndaluar të ëndërroje për seks.
-Ta heq Ezmerkën?
-Nuk e heq dot, sepse është shënjë tradhëtie dhe…vaj të valuar në vesh…
Mbërritëm në Gjirokatër. Festivali fillonte pas tre orëve.
-Kemi kohë, – tha Filipi,- të shohim dyqanet.
Morëm përpjetë sokakëve. U futëm në një dyqan me gjëra artistike. E zonja rreth të 50-tave. Pa pyetur Filipi bëri prezantimin:
-Ky është Koço Devole,- i tha për mua. -Artist në estradë. Ne të dy jemi futbollistë.
-Më vjen keq. Nuk ju njoh. Kam jetuar në Greqi?!
Blemë disa suvenire. Filipi u largua. Mbeta me Koçon.
Më thotë shitësja:
-Zoti Koço! Më fal që nuk ju njoha. Çfarë pune bën në estradë?
-Marangoz!
Ngrita zërin, për të dëgjuar i zoti i emrit!
Dolëm nga dyqani. Më thotë Koço:
-Nuk gjete zanat tjetër për mua?…Mund të thoje: shakaxhi?!…Kjo tregon se të mungon batuta për tu bërë humorist!…Si puna e esse-së nudo, de!