minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Katër rreshta të miat për Fatos Nanon që ende pas 25 vjetësh Berisha nuk gëlltiti

0

Nga Carlo Bollino

Kthimi i papritur në ekran i Fatos Nanos dhe historia e të kaluarës së tij politike dhe burgosjes në burgjet ” demokratike ”, kanë çuar mijëra shqiptarë mbrapa në kohë.

Unë personalisht u ktheva në vitet e mia të para në Shqipëri si gazetar dhe në fillimin e luftës së egër me shpifje nga Sali Berisha dhe familja e tij PD që më përndjek deri sot.

Origjina e konfliktit ishte një artikull me 4 rreshta që unë botova në “Gazeta Shqiptare” (që në 1993 unë kisha themeluar për llogari të një botuesi italian) në të cilin thjesht raportova se prokurori i Romës kishte mbyllur një pjesë të hetimit të Levant Co, e njëjta histori për të cilën prokurori i familjes së Sali Berishës mbante Fatos Nanon në qeli.

Advertisement

Unë e kisha takuar vetëm një herë Fatos Nanon para arrestimit të tij, por ato 4 rreshta ishin të mjaftueshme për me etiketuar që atëherë e tutje si “shoku i Fatosit” dhe rrjedhimisht i blerë apo i korruptuar prej tij.

Fatos Nano ishte në ato vite kryetari i opozitës, të cilin qeveria e Sali Berishës e kishte arrestuar me akuzën e korrupsionit (për ta kuptuar më mirë njëri-tjetrin, sikur sot Edi Rama të fusë në burg Lulzim Bashën!). Faji im, si gazetar, kishte qenë se shkruaja lajme që vinin nga jashtë, por që mund të dukeshin si mbrojtje të Fatos Nanos. Sipas kulturës “demokratike” të Sali Berishës, një media që i lejon vetes të shkruajë një fjalë për një lider të opozitës në burg është një armik për t’i mbyllur gojën.

Sipas tij, drejtësia dhe pavarësia nënkuptojnë që kundërshtarët, ose gazetarët kritikë, duhet të asgjësohen me çdo mënyrë, sepse Berisha (diktatori i fundit në Ballkan ende aktiv në politikë) nuk toleron pluralizmin e ideve. Nano u burgos, kolegë të tjerë (shumë nga Koha Jone) u përndoqën dhe u arrestuan, unë u dëbova nga vendi.

Ndërkohë të gjithë të tjerët, duke përfshirë shumë nga “analistët” që sot pretendojnë të japin mësime demokracie në sallonet televizive, jetuan të lirë dhe të lumtur në ato vite, sepse ata zgjodhën të kënaqin demokracinë diktatoriale të Sali Berishës. Ata ishin de-fakto bashkëpunëtorët e tij.

Advertisement

Kuptoj kundërshtimin që sot militantët e PD do të jenë të gatshëm të ma shpalosin: Po kanë kaluar 25 vjet! Po, eshtë e vërtetë, kanë kaluar 25 vjet, por pyetja e saktë për të bërë është: a ka ndryshuar Sali Berisha në këto 25 vjet? A kanë mësuar Partia Demokratike dhe udhëheqësit e saj të respektojnë pluralizmin e ideve? Si reagojnë sot Basha dhe njerëzit e tij (të cilët u rritën sipas modelit dhe nën urdhrat e Berishës) nëse një gazetar guxon t’i kritikojë ata? A përdorin ende ata shpifjen, gënjeshtrën dhe kërcënimin si një armë politike? Dhe nëse Edi Paloka (numër dy i partisë) fillon fushatën e tij elektorale duke i ”sugjeruar” Edi Ramës që të ikë në Turqi të nesërmen e fitores së tyre elektorale (hipotetike) më 25 Prill, kjo do të thotë që sjellja e PD ndaj opozitës ka ndryshuar?

Ndoshta kjo nuk ka rëndësi për rrethin e vogël të militantëve të partisë, por për pjesën e madhe të elektoratit liberal dhe të moderuar (që është pjesa vendimtare e popullit për të fituar ose humbur zgjedhjet) kjo ka shumë rëndësi. Vetëm kur mungon kujtesa, historia është e gatshme të përsëritet. Kjo është arsyeja pse çdo deklaratë, çdo gjest dhe çdo njeri që kujton të kaluarën e këtyre ish-pushtetarëve është një dhuratë për Edi Ramën dhe një ndihmë për të fituar edhe mandatin e tretë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit