minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Kush është “njeriu i vitit”

0

Nga Rudina Xhunga

Tani që 2020-a po ikën, të gjitha mediet shpallin “Njeriun e Vitit”. Kush bëri çfarë këtë vit. Ne të dritares e kemi një emër. Sipas nesh, “Njeriu i Vitit”…. je ti!

Ti që po më lexon tani. Ti që në një natë si kjo, një vit më parë, do kishe qeshur me të madhe të të tregonin, çfarë të priste në 2020-ën. Ti që e more me shaka në fillim, kur e dëgjove, pastaj mbajte larg kinezët që njihje në Shqipëri, pastaj italianët dhe në fund komshinjtë e tu.

Ti që nuk e duroje maskën, pastaj të thanë që maska është kot, pastaj të thanë është e detyrueshme, një ditë tjetër, të vunë gjobë se të pane në rrugë pa maskë. Ti që rrije në kafen e lagjes se mendoje që virusi nuk kishte punë në lagjen tënde, pastaj një ditë ai të gjeti aty, te cepi ku rrije përherë dhe ngrije kokën shikoje lajmet, sapo dilte me shkronja të medha, lajmi i fundit.

Advertisement

Dhe nga ajo ditë nuk shkove më në kafe. Një ditë ishe ti lajmi i fundit dhe miqtë e tu ngritën kokën, kur panë gazetaren që të intervistonte në spital. Aty e morën vesh, ku kishe humbur. Ti në spital i pe të gjitha, edhe shokun e krevatit përbri që të tha se nuk ia ndjente zemra për mirë, para se ta fusnin në intubim.

Pastaj ai nuk erdhi më dhe ti çdo natë je lutur që oksigjeni të të bënte punë dhe ajo zhurma që ata jashtë spitalit e dinë, zhurmë që çmend, ti e doje se ishte zhurma e frymës tënde.

Frymës tënde që dole nga spitali një ditë dhe jashtë ishte dhjetor dhe bashkia kishte zbukuruar sheshin. Ate ditë qave. Ti humbe shokun e jetës, humbe babain e fëmijës tënd të vogël, ti humbe miken e shtrenjtë, ti humbe mjekun e grykëve të djalit, ti humbe mësuesen e vajzës, ti humbe, doktorin e nënës, ti humbe gjyshin, gjyshen më të mirë në botë, që të tha kur iku në spital se do vinte shpejt të bënte petulla mëngjesin tjetër, po nuk pati me asnjë mëngjes tjetër.

Ti nuk e pe më kurrë dhe sado zgjohesh në mëngjes me aromën e petullave të saj, është vetëm një ëndërr. Nëna iku përgjithmonë. Ti u dende me ilaçe dhe mjekë të ndryshëm të thanë piji t’i kesh, po pastaj bëre analiza dhe mësove që nuk ke kaluar kovidin. Ti ke frikë çdo ditë se mos e merrr dhe duart te janë bërë copë nga alkooli dhe mendja të bën ca lojëra herë-herë. Ti e kalove , por të thonë që kthehet dhe hera e dytë është më keq. Ti je duke e kaluar sot dhe është nata e fundit e 2020.

Advertisement

Ti, ti je “Njeriu i Vitit”. Ti je gjallë. Ti mbijetove. Ti mbijetove, në një vit të vështirë. Ti je dëshmitar i një kohe të rrallë. Dhe ti e meriton që sot të ndalosh pak dhe të bësh një gëzuar për veten tënde, që je kaq i zoti, e zonja dhe ia dole të përballosh 2020-ën. Ti mund të perballosh çdo gjë tani. Gëzuar për ty! Njeriu i Vitit 2020! Gëzuar!/dritare.net

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit