minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Të (pa) braktisur atje në Hagë

0

Nga Kristaq Xharo

Përballja në Hagë ka hyrë në një fazë mjaft delikate, dhe tërheq jo vetëm të akuzuarit, por edhe shtetet (shqiptare) ndaj ka nevojë të përbashkët për vëmendje, përkushtim dhe angazhim. Por, duket që gjithë çfarë po ndodh, mbetet atje në Hagë, sepse në Prishtinë dhe Tiranë kanë halle më të mëdha, edhe përtej pandemisë, por me triumfin në zgjedhjet e ardhme elektorale, ndoshta si çelës për shpëtimin e kombit në të gjitha anët…

Atje në Hagë ka një disbalancë të fuqisë së aktorëve që janë përfshirë. Të thirrurit në Hagë, nuk kanë përballë vetëm akuzën, ekipin e prokurorëve, por edhe strukturat aktive të shtetit serb që prodhoi, dërgoi dhe bindi prokurorët e Hagës, me seli në Kosovë me shpifje. Në këto kushte, balanca e fuqisë arrihet kur edhe ekipi i mbrojtjes të kenë në gatishmëri mbështetjen e shteteve respektive. Nëse Prishtina dhe Tirana do të qëndrojnë larg siç duket deri tani, në besë të ‘drejtësie të kulluar’ vështirë se do të ketë balancë dhe goditja ndaj komandantëve do të pasojë shumë shpejt nga agresioni ndaj idesë, përmbajtjes dhe fryteve të luftës.

Serbia atje në Hagë është duke realizuar manovrën më të madhe të pas luftës, ku ndryshe nga çfarë synoi dhe dështoi në vitin 2010, po në Hagë, tashmë në strategjinë e vet ka idenë e de legjitimit të statusit të Kosovës. Edhe nëse nuk do të arrijë sukses të plotë, ky moment do të shihet si alibi për vazhdimin të luftës. Komandantët e luftës nuk kanë nevojë vetëm për mesazhet mallëngjyese të liderëve ditën që u thirrën në Hagë. Ata kanë nevojë që shtetet (shqiptare) të shohin seriozitetin e çështjes së tyre. Mbrojtja ka gjithë kapacitetet dhe aftësitë për tu marrë me çështjet teknike dhe për të zbuluar marrëzinë, djallëzinë dhe absurditetin e akuzave në nivelin teknik. Por janë shtetet, media, opinioni që të bëjnë çmontimin e këtyre akuzave në nivel operacional dhe strategjik. Për këtë janë të gjitha mundësitë.

Advertisement

Akuza është ngritur me kunja të vendosura në rërë, ndaj mjafton vëmendja, serioziteti dhe përkushtimi për ti rrëzuar një e nga një. Por vështirë se ato mund të rrëzohen me lojë kasetash, bojë të verdhë, apo duke kërkuar eshtrat e xhaxhait të humbur para 80 vjetësh, e as me rezoluta. ‘Faktet’, që u afruan për publikun, nuk vlejnë për Hagën, se më shumë se lidhje me akuzën, japin idenë se problemi qëndron midis shqiptarëve. Gjylja me fitilin e ndezur në Beograd lëreni atje e mos e vendosni as në Prishtinë e as në Tiranë. Asnjë lojë elektorale nuk jep kontribut për të thirrurit në Hagë. Demaskimi i akuzës në nivel operacional dhe strategjik kryesisht duhet të bëhet në Prishtinë dhe në Tiranë. Akuza është e mundur të demaskohet në nivel makro, pra strategjik dhe operacional. Këtu gjendet edhe pozicioni më i dobët i akuzës, në këtë kontekst janë katër momente kryesore.

Së pari, akuza ngrihet mbi ide të gabuara që mbeten në rrafshin e paragjykimit. Akuzat për fatin e keq të tyre përqafojnë idetë dhe këtë e shtrijnë deri në germën e fundit, që lufta në Kosovë ishte luftë e brendshme civile dhe jo çlirimtare, ishte përballje midis klaneve politikë, etnikë dhe fetarë dhe jo një rezistence për mbijetesë kundër gjenocidit, spastrimit etnik dhe tokës së djegur. Për këdo këto janë idetë më absurde për Luftën e Kosovës. Pjesëmarrja e NATO-s demonstron të kundërtën e asaj që paraqet akuza. Rrëzimi i këtyre ideve sa duket i lehtë aq është më se i nevojshëm dhe për aq kohë sa pala tjetër fryn ide të tjera të kundërta.

Së dyti, zgjedhja e kontekstit të luftës ku gjithçka ndodhi brenda dhe midis kosovarëve. Beogradi ka meritën, pastaj prokurorët, të gatuajnë akuzën (shpifjen) në një kontekst gjeografik që të jetë i kuptueshëm për prokurorin, i cili luftën më të fundit në historinë e vendit të vet, njeh atë të para 200 viteve, e cila ishte një Lufta Civile. Për ta bërë më të kuptueshme, Beogradi ka afruar tipologji nga Ruanda dhe Kongo (përplasje etnish), apo Kolumbia (luftë për territore droge), e pse jo edhe nga Siria dhe Iraku (luftë fetare). Duke u përqendruar te vendi ku u zhvillua lufta (Kosovë) akuza harron palët në konflikt dhe merret vetëm me aktorë ‘vendas’ duke injoruar veprimet e Serbisë si shtet agresor me ushtrinë, policinë, trupat paramilitare dhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët kryen krime lufte.

Së treti, akuza mpleks në mënyrë keqdashëse nivelet strategjikë të drejtimit me akte individuale në konflikt. Të gjithë të thirrurit në Hagë i përkasin zinxhirit komandues dhe akuza minimalisht duhej tu referohej planeve operacionale të luftës, për të cilat nuk referohet asnjë akuzë. Të thirrurit në Hagë akuzohen për ‘çfarë nuk kanë bërë’ ose dyshimin se ‘mund të kenë pasur dijeni’. Individë për të cilët dyshohet nuk i përkasin as nivelit taktik (grupe të organizuara) as nivelit operacional (formacione në betejë) as nivelit strategjik (struktura e UCK, karakteri i luftës, forcat pjesëmarrëse). Edhe dëshmitarët e mundshëm, përsa kohë kalojnë nga kuzhina serbe vështirë të jenë të besueshëm.

Advertisement

Së katërti, koha në të cilën ngrihen. Akuza i referohet periudhës së para 20 viteve. Që nga ajo kohë, ata që janë thirrur në Hagë kanë marrë pjesë në jetën politike të Kosovës në qeveri apo opozitë, përballë apo në koalicion me parti politike për të cilat ngrihen akuza, me etni, përfshirë pakicat serbe, apo grupe të tjera etnike, me një model përfaqësimi dhe qeverisje që rrëzon të gjitha paragjykimet e akuzës. Sajimi i akuzave me referenca individësh duke ju gjetur përfaqësimi grupi është dashakeqe dhe kërkon të ngrejë një situatë të paqenë. Besohet që përdorimi i saj është një model i keq kopjimi i Beogradit dhe shpresë që akuza duhej të tërhiqej nëse do ta njihte realitetin.

Lufta e Kosovës nuk ka përfunduar, vazhdon me forma të tjera siç shprehet Klauseviç, frontet janë po aty, por ndryshe nga shteti serb që përshtat taktikat e luftës, shqiptarët, si në mejhane apo studio televizive fryhen e grinden me njëri tjetrin. Ndryshe nga Prishtina e Tirana, Beogradi vazhdon të furnizojë me municion të rëndë akuzën në Hagë. Ndërsa koha ndryshon shtete, sisteme e modele, pozicioni i shtetit serb ndaj shqiptarëve vështirë se ndryshon qëllimin e tij. Duhet ‘falënderuar’ presidenti Vuçiç, që me sinqeritetin e vet siguroi vëllain e madh Lavrov se Kosova do të mbetet ‘një konflikt i ngrirë’, një Nagorni- Karabak, dhe ai përsa të jetë gjallë (ndoshta si president) nuk do ta njohë shtetin e Kosovës. Në memorien serbe viti 1999 duket se do të mbesë si 1389, që për ironi i përkasin muajit qershor.

Duke u rikthyer në nisje, është e qartë se më tepër nevojë për drejtësi nuk kanë komandantët e luftës në Hagë, se vetë shqiptarët dhe çështja e tyre kombëtare. Të mos i braktisim heronjtë në Hagë, se shumë shpejt të braktisur do të ndjehemi ne të gjithë. Më së paku, në Prishtinë dhe Tiranë, institucionet, mediat dhe publiku të afrojmë kontributin për demaskim të akuzave, përtej nivelit teknik, por në nivel strategjik, thjesht duke qartësuar realitetin, përtej kufijve tanë, për të mos u ndjerë si personazhet e Remarkut në librin e famshëm ‘Tre shokët’, ku të dehur, dhe të përhumbur që kishin mbijetuar në Luftën e Parë Botërore, nuk e kishin kuptuar që kish filluar Lufta e Dytë, një luftë tjetër…

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit