minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

“Tradhëtitë kombëtare” në Shekullin e 21 po bëhen LIVE!

0
“Tradhëtitë kombëtare” në Shekullin e 21 po bëhen LIVE!

Nga Alfred Peza

Opozitarizmi virtual kishte ditën sot, që të linte për ca orë plazhet dhe të harronte temperaturat sahariane, për tu marë me denoncimin e një “tradhëtie të madhe kombëtare”. Edi Rama “e shiti” çështjen kombetare tek serbi Aleksandër Vuçiç dhe tek maqedonasi Zoran Zaev dhe tani që kaluan 20 vjet nga krijimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan, na bëri edhe pjesë të projektit të ri të ringjalljes së “Jugosllavisë”.

Këto e plot broçkulla të tjera si të ardhura nga një botë paralele, që po e jeton sot atë që planeti ynë e jetoi në shekullin 19 dhe 20, mbushën rrjetet sociale dhe mediat online pranë opozitës sonë. Gjakrat u nxehën keq deri në atë pikë, sa “patriotët” tanë të mëdhenj të hi tech-ut, ishin gati që të nxirrnin edhe shpatat e jataganët që mbajnë të fshehura në bodrumet e mendjes, për raste të tilla “in extremis”.

Kryeministri i Shqipërisë, i Maqedonisë së Veriut dhe Presidenti i Serbisë, nga Forumi Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal në Shkup, njoftuan se nisma e “mini-Shengenit” ballkanik, ka marë emrin e ri “Open Balkan” (Ballkani i hapur). E transmetuar live nga të gjitha mediat që dëshironin, ata firmosën marrëveshjet e para dhe shpjeguan hapat që do hidhen për të lënë pas të shkuarën, përmes rrëzimit të barrierave që pengojnë ecjen me shpejtësi përpara të popujve tanë, nga jetësimi i 4 lirive europiane në rajonin tonë.

Advertisement

“Kush thotë se kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për ti dhënë hegjemoninë Serbisë se ajo është më e madhe e se do na marrë gjithë çfarë kemi…, harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se edhe BE-ja është një Jugosllavi e madhe”- ishte përgjigja që kryeministri shqiptar Edi Rama, kishte për skeptikët dhe opozitarët që shohin prapa këtij akti, një “tradhëti të re kombëtare” tani në vitin e 21 të shekullit të 21.

Duke dashur që ta përdorin këtë kartë, thjeshtë dhe vetëm për konsum të brendshëm në luftën politike të ditës në Tiranë e Prishtinë, janë gati që të shpikin e shpifin gjithçka me shpresën se diçka do të mbetet në fund. E shqiptarët do ti shohin pas kësaj Sali Berishën, Lulzim Bashën, Ilir Metën, Monika Kryemadhim e Albin Kurtin si “baballarët” shpëtimtarë të kombit dhe Edi Ramën si “Esat Pashë Toptanin e ri”.

Ata nuk duan të kujtojnë dhe as të kuptojnë, se Jugosllavia është një projekt artificial i lindur më 1918, që u shpërbë njëherë e përgjithmonë pas rrëzimit të Murit të Berlinit. Për këtë u bënë katër luftra të përgjakshme në Ballkan, u vranë dhe u zhvendosën përmes aktesh genocidale dhe krimesh kundër njerëzimit, qindra e mijëra fëmijëve, grave, burra e pleq.

Sllovenia dhe Krocia janë anëtare të BE, e njëkohësiht edhe anëtare të NATO, sikundër Maqedonia dhe Mali i Zi. Kosova u çlirua më 1999 me ndihmën e NATO, SHBA e BE dhe nga 17 shkurti I vitit 2008 është një shtet i pavarur. Shqipëria prej mbi 12 vjetësh është anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe pasi ka plotësuar të gjitha kushtet, pret datën e mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare, për anëtarësimin në BE.

Advertisement

Jemi plot 3 dekada larg tashmë nga rikthimi i fantazmës së vjetër të ish Jugosllavisë dhe mbi një shekull nga ajo që në histori njihet si Traktati i Fshehtë i Londrës (26 prill 1915). Marrëveshja mes fuqive të Antantës dhe qeverisë italiane, u bë për të shuar edhe lakmitë e fqinjëve të tjerë; Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Dihet sesi rodhi historia pas kësaj për fatin tonë të mirë, në Konferencën e Paqes së Parisit më 1919 nga ndërhyrja shpëtimtare e Presidentit Amerikan Woodrow Willson. Vetëm pak kohë pas kësak, në fillim të vitit 1920, Kongresi i Lushnjes e hodhi poshtë Traktatin famëkeq.

Sot jetojmë në një epokë tjetër, në një realitet ndryshe dhe në një botë të re, që ka të tjera sfida për të përballuar për të sotme dhe të ardhmen. Ndaj të jenë të qetë opozitarët tanë që po u digjet bashkë me shpinën nga dielli, edhe barku për vatanin, nga atje ku po i kalojnë pushimet verore.

E vetmja gjë që u mbetet të sqarojnë, është që të tregojnë se kush është mes tyre Vladimir Iliç Lenini i kësaj epoke, që nën shembullin e “babait të revolucionit të tetorit” dikur po dirigjon sot në mediat e tij virtuale “tradhëtinë e re kombëtare” që Edi Rama sapo bëri, jo në mënyrë të fshehtë si qëmoti skutave të zeza, por LIVE!

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit