Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas tha se idetë që kanë qarkulluar kohët e fundit rreth mundësisë së ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, përveç që janë joreale, janë edhe të rrezikshme. Sipas tij, i rrezikshëm është edhe vetë fakti që është diskutuar për këtë çështje. Këtë deklaratë shefi i diplomacisë gjermane Heiko Maas e bëri në një konferencë shtypi gjatë vizitës që realizoi në Kosovë, para se të niset për në Beograd.
Kohët e fundit, mediet raportuan se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha i ka dorëzuar Brukselit zyrtar, një “non-paper”, në të cilën besohet të jetë thënë se procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë nuk është finalizuar. Por shefi i diplomacisë gjermane nuk e di nëse ekzistojnë projekte të tilla.
“Nuk e di nëse ka projekte të tilla. Fakti që është folur për non-paper është termi i duhur. Duhet të mbetet ashtu non-paper. Sa i përket ideve për ndryshime të kufijve, qeveria gjermane i refuzon fuqishëm ato, sepse një zgjidhje e tillë nuk çon në zgjidhje të problemeve, por i thellon ato”, tha Heiko Maas, gjatë një konference të përbashkët për medie me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani. Edhe kjo e fundit tha se pas qarkullimit të këtyre raportimeve, menjëherë ka kontaktuar autoritetet sllovene dhe ato i kanë konfirmuar se një dokumnt i tillë nuk ekziston.
Dialog bazuar në parime të qarta
Shefi i diplomacisë gjermane Heiko Maas foli në Prishtinë edhe për dialogun Kosovë-Serbi, që në fakt ishte edhe qëllimi i vizitës së tij në Prishtinë dhe më pas në Beograd. Sipas tij dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke, ndërsa në procesin e dialogut, tha ai, natyrisht që duhet të ketë kompromise deri në zgjidhjen përfundimtare. Sipas tij Gjermania ka ofruar vazhdimisht mbështetjen e pakusht për dialogun të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Natyrisht që njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes, përndryshe s’do të realizohet. Është normale që nëdialogun për normalizim, duhet të ketë dhe ka kompromise. Nuk dua të vendos linja të kuqe, por e di që edhe nga ana tjetër për shkak të rrethanave historike do të jetë e vështirë dhe s’dua ta ngarkoj edhe më tej procesin, por në fund të procesit dëshiroj të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet”, tha Heiko Maas.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nga ana e saj tha, se Kosova do të zhvillojë dialog me Serbinë të bazuar në parime të qarta, ndërkaq, sipas saj “ndryshimi i kufijve është një logjikë që i takon shekullit të kaluar”.
“Dialogu me Serbinë është proces në të cilin Kosova ka qenë e përfshirë që nga fillimi. Republika jonë ka ofruar dorën e bashkëpunimit me Serbinë, edhe pse Serbia akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë dhe akoma nuk ka drejtësi për mijëra e mijëra viktima. Do të zhvillojmë një dialog të bazuar në parime të qarta, në të cilin Republika e Kosovës nuk do të pranojë të hyjë në aventura të rrezikshme qoftë me ndryshim kufijsh, logjikë kjo që i takon shekullit të kaluar, qoftë me ndryshimin e rregullimit kushtetues të Republikës së Kosovës, i cili do ta rrezikonte funksionalitetin tonë të brendshëm dhe një Kosovë jofunksionale nuk i duhet as Kosovës dhe as partnerëve tanë”, tha Presidentja Vjosa Osmani. E shefi i diplomacisë gjermane Heiko Maas, tha se ai “i ka dëgjuar parimet e palës së Kosovës në këtë proces dhe se ato do t’ia përcjellë përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në dialog, Mirosllav Lajcak”.
Liberalizimi i vizave
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, shefi i diplomacisë gjermane Heiko Maas, foli edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, kritere këto që Kosova tash e disa vite i ka përmbushur por, që akoma mbetet nën regjimin e vizave.
“E di se për qytetarët e Kosovës është më rëndësi liberalizimi i vizave. I shpreha presidentes Osmani edhe një herë që qëndrimi i Qeverisë së Gjermanisë është i qartë që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim dhe se ai duhet të jepet. Nuk është çështje vetëm e përmbushjes së kritereve, por edhe e asaj që Bashkimi Evropian t’i përmbahet premtimit të dhënë. Ne gjatë presidencës gjermane e kemi vënë këtë çështje në krye të agjendës, ndrërsa do të vazhdojmë të angazhohemi që liberalizimi i vizave të ndodhë”, tha Heiko Maas.
Shefi i diplomacisë gjermane gjatë qëndrimit në Prishtinë takoi edhe kryeminstrin e Kosovës Albin Kurti, para se të niset për në Beograd, ku do të takojë edhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuciq. Kurti dhe Vuciq, javën e ardhshme do të qëndrojnë për vizitë në Bruksel, ku në takime të ndara do të bisedojnë me strukturat e larta të BE-së.
Ditë më parë Presidenti i SHBA-së Joe Bidden në një letër që i dërgoi Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, shkroi se SHBA-së mbështetë vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, që do të përqendrohej në njohje reciproke. Sipas Presidentit amerikan, rruga për arritjen e këtij qëllimi ëshhtë e vështirë, por “kërkohet flekisbilitet dhe kompromise të vështira”, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë përkrah Kosovës në çdo hap”, tha Joe Biden./ DW