minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Në përvjetorin e pushtimit të Vukovarit nga forcat serbe: Një histori me shqiptarë dhe me një shqiptare

0

Në përvjetorin e pushtimit të Vukovarit nga forcat serbe më 18 nëntor 1991: një histori me shqiptarë dhe me një shqiptare. Ajo quhet Klaudija Gojani dhe është gazetare e Radios Kroate të Vukovarit.

Nga Enver Robelli 

29 vjet më parë, më 18 nëntor 1991, forcat serbe të përbëra nga ushtria jugosllave e serbizuar, grupet paramilitare dhe njësi çetnikësh pushtuan Vukovarin, qytetin me arkitekturë baroku në Kroaci. Forcat kroate qëndruan dhe rezistuan tre muaj përballë agresorit që kishte në dispozicion tërë makinerinë luftarake. U vranë rreth 1000 civilë. Mbi numrin e të armatosurve të vrarë në të dy anët ka të dhëna të ndryshme. Mbi 7000 ushtarë kroatë u zunë peng dhe u dërguan në kampe në Serbi, ku u keqtrajtuan. Pas pushtimit të qytetit forcat serbe arrestuan mbi 200 pacientë të spitalit të Vukovarit, të cilët i dërguan në kombinatin bujqësor Ovçara, ku i vranë e masakruan.

Vukovari ka një histori të pashmangshme me shqiptarë. Në këtë qytet jetonin disa familje shqiptare, të cilat kishin aty bizneset e tyre (furra buke, restorante, dyqane këpucësh, mishtore). Në luftë ata humbën pronat e tyre. Kur filloi lufta rreth 200 shqiptarë iu bashkuan forcave kroate për të mbrojtur qytetin. Në anën tjetër armata e serbizuar jugosllave kishte në radhët e veta edhe rekrutë shqiptarë, të cilët i urdhëroi të bashkëmarshojnë me ushtarët serbë drejt Vukovarit. Shumica e rekrutëve shqiptarë arritën të ikin nga armata serbo-jugosllave, shpesh duke u paguar oficerëve serbë shuma të larta ryshfeti.

Advertisement

Në qendrën memoriale Ovçara mes viktimave është edhe emri i Jozo Gojanit, pjesëtar i familjes Gojani me origjinë nga Kosova. Buzë Danubit, në qendër të qytetit, gjendet një kampshtëpizë. Aty, ku dikur ka qenë shtëpia e tij, është kthyer një shqiptar nga rrethina e Gostivarit dhe shet ushqime të shpejta. Përpiqet të mbijetojë.

Zëri më kumbues shqiptar në Vukovar padyshim është zëri i Klaudija Gojanit. Në gusht të vitit 1991 babai i saj Jozo vendosi që gruan dhe fëmijët t’i dërgojë në Gjermani, ndërsa vetë qëndroi në Vukovar për të mbrojtur qytetin. Kur u futën forcat serbe në qytet, bashkë me Jozon morën peng edhe qindra banorë të tjerë, mes tyre edhe gazetarin legjendar kroat Sinisha Gllavasheviq, raportet e të cilit nga Vukovari i rrethuar kanë hyrë në historinë e Kroacisë. Jozo Gojani e Sinisha Gllavasheviq u masakruan me gjasë në kombinatin bujqësor Ovçara. Kur ikën në Gjermani më 1991, Klaudija ishte foshnje. Sot ajo është gazetare e Radios Kroate të Vukovarit, të cilës ia kishte dhënë famën Sinisha Gllavasheviq. Klaudija Gojani për gazetën “Jutarnji list” ka deklaruar: “Jemi shqiptarë, babai ka ardhur këtu nga Klina e Kosovës, atëbotë ishte 16-vjeçar. Në Vukovar ai kishte shumë familjarë. Kemi pasur mishtoren tonë dhe një dyqan këpucësh. Ata jetonin një jetë të lumtur dhe të qetë, askush nuk e ka pritur atë që ndodhi më 1991. E keqja ndihej, nëna e kishte ndier, andaj e luti babain të lë të gjitha dhe të nisemi për në Gjermani. Ai tha se Kroacia i ka dhënë çdo gjë, jo Gjermania, prandaj do të qëndronte këtu për të luftuar për Kroacinë”.

Bashkë me Jozo Gojanin në Vukovar luftoi edhe djali i vëllit të tij, Fanol Gojani, i cili mbijetoi tmerrin. Eshtrat e Jozo Gojanit nuk janë gjetur ende. Por ka edhe lajme të tjera nga Vukovari: në regjistrin e nxënësve befas shfaqet ky emër: Lorena Gojani, nga familja e madhe Gojani. Pushtuesit serbë nuk kanë arritur ta vrasin këtë qytet. Klaudija Gojani citon gazetarin Sinisha Gllavasheviq: “Qyteti jeni ju”. “Kush jemi ne nëse dorëzohemi dhe braktisim qytetin”, thotë Klaudija.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit