minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Rritja e pagave si shkatërrim i sistemit

0

Nga Gjon Ndreja

Fushata elektorale për zgjedhjet e 25 Prillit, ka ndezur garën midis partive për t’a bërë sa më atraktiv dhe të besueshëm programin e tyre për zgjedhësit.

E në këtë kuadër përfaqësuesit e opozitës kanë premtuar rritjen e pagave për mjekët deri në dyfishimin e tyre, rritjen e pagave të mësuesve gjithashtu në një nivel shumë të lartë , heqjen pothuajse të tarifave të studimit për studentët, rritjen e  pensioneve  në masën  jo më pak se 5 përqind në vit, dyfishimin e ndihmës ekonomike për njerëzit  në nevojë etj. Të gjitha këto rritje janë caktuar në mënyrë krejt empirike pa ndonjë studim por bazuar në parimin përse një po sa…?

Sipas të dhënave të publikuara, këto përfitime u referohen 13.500 mjekëve dhe infermierëve, 35.000  mësuesve dhe pedagogëve, 102.000 studentëve, 650.000 pensionistëve, dhe 63.000 njerëzve në nevojë. Në total, llogaritet që numri i përfituesve nga këto premtime të PD-së të jetë 863.500 persona të cilët janë të gjithë votues. Duket si një ide e menduar mirë në funksion të përfitimit të votave….por jo në përmbajtjen e fenomenit në lidhje  me pasojat ekonomike sociale  që shkakton

Advertisement

Nuk ka as më të voglin dyshim se kjo përveçse një premtim elektoral, është një mënyrë trafikimi e votuesve ose e thënë me zhargonin e përditshëm shitblerje e votave. Ligji e ka ndaluar rritjen e pagave dhe të aktiviteteve të tjera me karakter përfitimi të qytetarëve nga ana e mazhorancës qeverisëse,  ndërkohë që nuk i ndalon premtimet me karakter joshës të qytetarëve nga ana e opozitës. Dhe në se do t’i besojmë magjisë së blerjes së votave, atëherë pa as më të voglin dyshim, Partia Demokratike është fituese e zgjedhjeve.

Por kjo nuk është shqetësimi im, në se qytetarët i besojnë këtyre premtimeve, le ta gëzojë pushtetin cila do forcë politike që arrin të bindë ata për përfitimet që sjell programi i tyre. Në fund të fundit ky është edhe vlera e zgjedhjeve, konkurrimi i alternativave të besueshme  dhe përfitimi i qytetarëve nga qeverisja. Nuk po paraqes si shqetësim as faktin se ku do t’i gjejë burimet qeverisja e nesërme për të realizuar këto premtime, duke ulur taksat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore, përveç marrjes me forcë nga  “oligarkët” (??!). Mendoj se realizimi i këtyre premtimeve godet rëndë treguesit makroekonomikë të ekonomisë por padyshim  edhe  stabilitetin financiar të vendit. Kjo krijon pasoja të pariparueshme për një periudhë të gjatë, po të kemi parasysh se realizimi i këtyre premtimeve në se ndodh ka të bëjë me të drejta të fituara të cilat korrigjohen me vështirësi.

Ajo që përbën shqetësimin tim në këtë rast është deformimi i sistemit të pagave nga këto premtime. Këto premtimet nuk marrin parasysh përmbajtjen dhe funksionin e pagave në sektorin publik. Autorët e këtyre premtimeve ose nuk kanë kurrë farë haberi nga pagat si instrument ekonomik ose kanë marrë parasysh të fitojnë zgjedhjet  me çdo kosto. Por për të kuptuar më qartë rëndësinë e pagës në ekonomi si dhe pavërtetësinë e këtyre premtimeve le të prezantojmë disa koncepte ekonomike lidhur me përmbajtjen e pagave. Në sistemin kapitalist paga është  shprehja në para e vlerës së mallit fuqi punëtore. Madhësia  e pagës  si e  çdo malli tjetër i nënshtrohet ligjeve të tregut ku dominon kërkesa dhe oferta.

Kjo vlen për sektorin privat ku ligjet e tregut veprojnë lirshëm dhe brenda atyre kufizimeve që ka caktuar ligji veçanërisht për pagën minimale. Në këtë kuadër brenda sektorit privat, ashtu si për çdo mall tjetër edhe vlera e mallit fuqi punëtore i nënshtrohet konkurrencës. Subjektet private në bazë të politikave të tyre synojnë të thithin fuqi punëtore të kualifikuar dhe me vlerë më të ulët. Kjo garë midis tyre bën që të vendoset një farë ekuilibri midis ofertës së mallit fuqi punëtore dhe kërkesës së subjekteve për këtë mall. Subjektet private janë në konkurrencë jo vetëm midis tyre por edhe me sektorin publik për të thithur fuqi punëtore të kualifikuar. Kjo përbën edhe ndikimin që ka tregu në sektorin publik lidhur me burimet njerëzore.

Advertisement

Në sektorin publik paga është ajo pjesë e PBB që u shpërndahet njerëzve sipas kontributit direkt për krijimin e tij, vlera e mallit fuqi punëtore, nuk i nënshtrohet konkurrencës por parimit bazë “Për punë të barabartë, pagë të barabartë” kjo për shkak se kapitali themelor nuk është privat por shoqëror. Ky parim e shmang tërësisht konkurrencën brenda sektorit publik, ndërkohë që ndikimi i sektorit privat nuk mund të përjashtohet. Kjo është arsyeja që një numër i konsiderueshëm specialistësh e braktisin sektorin publik dhe i referohen sektorit privat. Kjo është një faktor i cili duhet mbajtur parasysh në ndërtimin e sistemi të pagave në sektorin publik.

Ndërtimi i sistemit të pagave në sektorin publik në të vërtetë nuk është një ushtrim i thjeshtë por madje shumë i vështirë. Ndërtimi i këtij sistemi duhet të marrë parasysh faktorë makroekonomikë që kanë të bëjnë me raportin midis pagave dhe Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, ashtu si edhe faktorë me karakter ekonomik,social,teknik,natyrorë etj. Në se do t’i referohemi parimit bazë për ndërtimin e këtij sistemi që është masa e punës së harxhuar duket se është mjaft e vështirë matja e saj në tregues konkretë, ndërkohë që nuk i referohet ndonjë produkti të matshëm.

Në vija të përgjithshme puna është shprehja në para e vlerës së energjive mendore e fizike të harxhuara në procesin e punës si dhe e mjeteve për t’i rikuperuar këto energji. Kjo përfshin jo vetëm një zëvendësim të thjeshtë të tyre por ajo duhet të plotësojë nevojat për mjete jetese të punonjësit dhe familjes së tij për mjete jetese. Puna e harxhuar nuk është vetëm energji fizike dhe mendore, por është, rëndësi e detyrës, kualifikim, kohë, rrezik për shëndetin, kushte të vështira, performancë (jo të gjithë e kryejnë një lloj detyrën për të cilën paguhet), kushte natyrore etj.

Brenda parimit bazë ka dy orientime për ndërtimin e sistemit të pagave. Orientimi drejt një sistemi egalitariste  dhe vlerësimi analitik i vendit të punës i korrektuar me performancën. Orientimi egalitarist (barazimtar) përgjithësisht ishte karakteristikë për sistemin socialist ndërsa vlerësimi analitik i vendit të punës është karakteristike e pagave në sisteme  demokratike. Ky vlerësim merr parasysh përveç një page bazë edhe shtesat mbi pagë për shkak të pozicionit apo shtesa të tjera me karakter të përhershëm.

Advertisement

Baza ligjore e sistemit të pagave në vendin tonë , mbështetet në një ligj për pagat e administratës në institucionet kushtetuese dhe të pavarura si dhe në një vendim të KM bazuar në këtë ligj, i cili rregullon pagat e administratës që përfshihen në juridiksionin e qeverisë. Pa hyrë në detaje mund të them me bindje se ky konceptin është i gabuar. Të dyja këto dispozita veprojnë  pavarësisht nga njeri tjetri. Kjo ka bërë që pagat e institucioneve qeveritare të pësojnë deformime të thella dhe abuzive falë ndikimeve të ministrave dhe titullarëve të institucioneve qendrore. Departamenti i Administratës Publike me gjithë rezistencën që bën, nuk mund të përballojë presionet për ngritje page apo për shtesa me karakter të veçantë për kategori të ndryshme punonjësish dhe në mënyrë të pa argumentuar. Kësisoj mund të them se sistemi është i deformuar.

Por deformimi i sistemit nuk është thjesht një çështje teknike por ai shkel parimin themelor të pagave “Për punë të barabartë pagë të barabartë”. Si shembulli më tipik është shtesa prej 15 mijë lekë në muaj që marrin punonjësit e nivelit drejtues  të   Ministrisë së  Financave apo të Kryeministrisë duke e emërtuar si natyrë të veçantë pune, apo shtesa të tjera të “shpikura” nga ministrat përkatës, pa kurrfarë veçantie. P.sh. çfarë veçantie paraqesin drejtorët e përgjithshëm apo drejtorët e drejtorisë në ministrinë e financave në krahasim me ata të Ministrisë Mbrojtjes të Rendit Publik apo të Arsimit që marrin shtesën përkatëse. Nën presionin e luftës kundër korrupsionit pagat e sistemit të drejtësisë, gjyqtarëve dhe prokurorëve, janë rritur disa fish Ndërkohë një gjyqtar apo prokuror në thelb nuk ka ndryshim me punonjës të tjerë të administratës. Të rritësh pagat për të luftuar korrupsionin është një gënjeshtër. Korrupsioni nuk lind kryesisht nga nevoja por nga mundësia dhe motivimi për të kryer korrupsion.

Për të kthyer te shembulli i fillimit për dyfishimin apo rritjen e pagave të mjekëve apo mësuesve  kjo është padyshim deformim i sistemit të pagave madje shkatërrim i saj, i cili dëmton edhe më tej barazinë sociale   edhe pse është mjaft e dëmtuar. Pa dyshim që në periudha të jashtëzakonshme siç është pandemia mjekët mund të diferencohen në shpërblime me anë të bonuseve të përkohshme për aq kohë sa zgjat ky faktor por jo të dyfishohen pagat. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për nëpunësit e tjerë që përfshihen në përballimin e fatkeqësive natyrore. Një mësues i ciklit të ulët do të paguhet   në qeverinë e re të Bashës, aq sa paguhet një drejtor Drejtorie në ministri ose një infermier sa një Drejtor i Përgjithshëm. Disa njerëz kam dëgjuar të thonë se kështu e ka Kosova. Por Kosova është shembulli më i keq për ndërtimin e sistemit të pagave. Mjafton t’ u referohemi  disa të dhënave si paga e presidentit ndaj pagës minimale ose paga e deputeteve ndaj GDP/për frymë dhe do të kuptojmë përmbajtjen e sistemit tonë të pagave dhe atë Kosovës.

Kështu rezulton se paga e presidentit të Kosovës që është edhe paga maksimale është 16 herë më e lartë se paga minimale , ajo e Presidentit të Shqipërisë 9.9 herë ndërsa e presidentit Slloven 8 herë. E për ta shtrirë më tej krahasimin me qëllim që të lexojmë anomalitë,  le të shohim raportet e pagave të deputetëve me pagën minimale. Kështu në Shqipëri  një deputet paguhet 6 herë më shumë se paga minimale, në Kosovë 8.2 herë, në Maqedoninë e Veriut 4.2 herë, në  Serbi 3.4 herë , në Slloveni 4.4 herë, ndërsa në Holandë që është një vend i zhvilluar   4.7  herë.

Advertisement

Krejt e pa justifikueshme dhe pa asnjë logjike ekonomike është edhe rritja e pagave te mjekëve në përmasat e premtimit elektoral. Në se do ti referohemi pagave të tyre në vendet e rajonit rezulton se një mjek specialist në Shqipëri paguhet me 530 euro, Kosova 1.195 euro, Maqedonia 725 euro,Mali i zi 720 euro dhe Serbia 685 euro në muaj. Gjithsesi rishikimi është i nevojshëm por nuk mund të merren parasysh në mënyrë shabllone vendet e rajonit pasi ato i referohen treguesve të ndryshëm makroekonomikë të vendit por rritja shqiptare me 2.3 herë është pa asnjë bazë. Argumenti i dhënë shpesh se kjo do të ndalë largimin e mjekëve  është pa kuptim, pasi sido që ne ta rritim pagën e mjekëve në Shqipëri, nuk mund të arrijmë nivelin e 7.500 eurove që paguhet një mjek i specializuar në Gjermani.  Nga këto të dhëna nuk është vështirë të kuptohet batërdia që është bërë  në sistemin e pagave në Shqipëri dhe nevoja imediate për reformimin e këtij sistemi.

Po cfarë përmban një sistem pagash në sektorin publik. E thashë që në fillim se ky është një ushtrim tejet i vështirë. Mendoj se sistemi aktual nuk pranon riparime por duhet ndërtuar një sistem tërëisht i ri mbi bazën e studimeve të thelluara social ekonomike me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe institucioneve të ndryshme. Ky sistem që ka formën e një piramide duhet të  përfshirë gjithë sektorin publik. Kjo kërkon caktimin e një pike referuese bazë të fillimit dhe një pagë maksimale. Brenda kësaj duhet të ketë një raport të konsoliduar le të themi 1:10 ose diçka tjetër në varësi të politikave. Paga minimale ose pika e referimit duhet të zgjedhur si një raport me GDP/frymë. Bazuar në strukturat organizative duhet të ndërtohet hierarkia e pagave e shprehur në tabela që mbështet në parimin “për punë të barabartë pagë të barabartë”.

Caktimi i një serie koeficientesh për kalimin nga një shkallë page në tjetrën. Formimi i pagës bruto duhet të jetë rezultat i shtesave, për pozicion, për vështirësi, për dëmtime të shëndetit, si dhe shtesa speciale si ato të punonjësve diplomatikë, që marrin parasysh koston e jetesës. Një shtesë e veçantë mund të përllogaritet për ndikimin e tregut siç theksuam për rastin e mjekëve. Të gjitha këto shtesa nuk mund të caktohen në mënyrë empirike por në sajë të një vlerësimi analitik të vendit të punës.  Shuma e shtesave në raport me pagën duhet të kufizohet në ligj. Pagat duhet të indeksohen ose të rriten sa herë është e nevojshme në mënyrë proporcionale sa herë që miratohet ligji për buxhetin.

Të gjitha sa më sipër  është e nevojshme të përmblidhen në një paketë ligjore të miratuar nga Parlamenti. Unë do të jepja gjithë mbështetjen time cilës do forcë politike që do të ndërmarrë një reformë tërësore të sistemit të pagave në Republikën e Shqipërisë por jo shtesave spontane të orientuara nga interesat e çastit dhe konjukturat politike.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit